Eksportet janë rritur lehtë në qershor për të dytin muaj radhazi. Ecuria e qershorit është ndikuar nga rritja e fortë e eksporteve të lëndëve djegëse drejt Kosovës si dhe shtimi i shitjeve të produkteve ushqimore në vendet e tjera.
Në rritje ishin dhe eksportet e grupit makineri e pjesë këmbimi. Sektori që punon me material porositësi, kryesisht tekstile e këpucë ishte në të njëjtat nivele si një vit më parë.
Ndërsa në rënie të fortë vazhdojnë materialet e ndërtimit e metalet, të ndikuara nga frenimi i aktivitetit të Kurum.
Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në Qershor 2025 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u rritur me 1,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 0,6 %, në krahasim me Maj 2025.
Sipas INSTAT, gjatë muajit Qershor 2025, në rritjen e eksporteve prej 1,9 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +9,7 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +3,1 pikë përqindje. “Negativisht ka ndikuar grupi: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,2 pikë përqindje, etj.
Për 6 mujorin, tendenca mbetet pozitive.
Eksportet, gjatë këtij gjashtëmujori janë rritur me 2,1 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +8,6 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1,2 pikë përqindje, etj. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,1 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,6 pikë përqindje, etj.
“Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” kanë kaluar si grupi më i madh eksportues në vend me 27.4% të totalit. Në vend të dytë kanë zbritur “tekstile e këpucë”, me 26.9% të totalit. “Ushqim, pije, duhan” është ngjitur si grupi i tretë, me 14.71%. “Materiale ndërtimi dhe metale” kanë zbritur në vend të katërt me 12.2%. “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” janë në vend të pestë me 9.8%.
Kosova “shpëton eksportet
Rritja e eksporteve është ndikuar nga Kosova, shitjet drejt të cilës u rritën me 72.5% në gjashtëmujor, e ndikuar kryesisht nga grupi “mineralet, lëndët djegëse e energjia”.
Në vlerë, nga 4 miliardë që janë rritur eksportet në total në vlerë, shitjet e Kosovës janë zgjeruar me 14 miliardë lekë, për 6 mujorin, duke amortizuar rënien e eksporteve drejt shteteve të tjera, kryesisht drejt Italisë (-9.4 miliardë lekë), Maqedonisë së veriut (-2.1 miliardë lekë), Kroacisë (-1 miliardë lekë). Eksportet drejt Kosovës unë 17% të totalit në 6 mujorin 2025, nga 10% të njëj5ën periudhë të një viti më parë, duke u renditur e dyta pas Italisë (38.6%).
Lëndët djegëse, energjia e mineralet, rritja nga Kosova
“Minerale, lëndë djegëse e energji” është grupi me rritjen më të madhe në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Për janar-qershor, eksportet arritën në gati 56 miliardë lekë, me një rritje prej 44% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur efektin kryesor e kishin shitjet e Bankers Petroleum në Spanjës, ose energjia, ndikimin kryesor në këtë tendencë e ka dhënë Kosova, që ka pasur një zgjerim të fortë të shitjeve të grupmallit “Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre”.
Eksportet e këtij grupi janë 8.5 fishuar nga 2.2 miliardë lekë në 5 mujorin e 2024-s arritën në 19 miliardë lekë në 5 mujorin e 2025-s.
Ngec sërish fasoni
Eksportet e tekstile e këpucë kanë shënuar luhatje të shumta përgjatë muajve të parë të këtij viti, me rënie e rritje të lehta. Në qershor, ky grup ishte në stanjacion, me një rritje prej 0.1%.
Për gjashtëmujorin tendenca është negative, me një rënie prej 1.3% me bazë vjetore.
Ekspertët e tregut kanë pohuar se sezoni i prodhimit për veshjet dhe këpucët e stinës së dimrit sivjet është përqendruar në 4 muaj nga 5 muaj që zgjat zakonisht. Sezoni i prodhimit për veshjet e stinës së dimrit nga kompanitë e manifakturës sivjet nisi në muajin Prill dhe pritet të përfundojë më 15 Shtator.
Nga sektori është parashikuar një rritje eksportesh në nivelet 3 deri 5%, e ndikuar nga rritja e shitjeve në periudhën janar-shkurt 2025, krahasuar me vitin e kaluar. Këpucët janë produkti më i kërkuar, pas një rënieje në shitje gjatë viteve 2023 dhe 2024”.
Materiale ndërtimi dhe metale, tkurrje e fortë 33%
“Materialet e ndërtimit dhe metalet” kanë vijuar tendencën rënëse edhe këtë vit, të ndikuar nga reduktimi i aktivitetit të Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend.
Për gjashtë mujorin, ky grup ra me 33%. Sektori po vuan nga kërkesa e dobët rajonale dhe tkurrja e çmimeve.
Ushqime pije e duhan, përshpejtojnë rritjen
“Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit po shënon rritje. Në janar-qershor, ky grup u rrit me 8.5%, teksa në qershor zgjerimi u përshpejtua në 228%, si rrjedhojë e një sezoni të mbarë. Rritja është ndikuar nga riorganizimi i fermave të vogla ë ferma më të mëdha për eksporte, shtimi i kontratave dhe zgjerimi i zonave që eksportojnë, si dhe shtimi i investimeve në magazina e zgjerimi i tregjeve deri në vendet nordike. Këtë vit një produkt shtesë është lakra në pranverë, ndërsa ka ecuri të mirë dhe pjepri e shalqiri, të ndikuara dhe nga prodhimi i dobët i këtyre produkteve në Mesdhe si rrjedhojë e motit të nxehtë, sipas operatorëve.
Makineri, pajisje, pjesë këmbimi në stanjacion
“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishin grupi tjetër që nuk po rritet vitin e fundit. Ky grup po vuan zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore. Për pesë mujorin grupi u rrit lehtë me 3.8%.
Ulet deficiti tregtar
Në Qershor 2025 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u rritur me 1,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 0,6 %, në krahasim me Maj 2025. Importet e mallrave arritën vlerën 77 mld lekë, duke u ulur me 0,2 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 1,5 %, në krahasim me Maj 2025. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 41 mld lekë, duke u ulur me 2,0 %, krahasuar me Qershor 2024 dhe 3,2 %, në krahasim me Maj 2025.
Në këtë gjashtërmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 203 mld lekë, duke u rritur me 2,1 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 431 mld lekë, duke u ulur me 2,0 %, krahasuar me një vit më parë. Defiçiti tregtar arriti vlerën 228 mld lekë, duke u ulur me 5,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024.
Eksportet drejt Kosovës rriten 64.8% në qershor dhe 72.5% për 6 mujorin
Në muajin Qershor 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Qershor 2024 janë: Kosova (64,8 %), Gjermania (39,6 %), Greqia (18,1 %), etj.
Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (6,2 %), Spanja (19,3 %). dhe Maqedonia e Veriut (21,6 %)
Gjatë këtij gjashtëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (72,5 %), Greqia (8,6 %) dhe Gjermania (10,3 %).
Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (10,7 %) dhe Maqedonia e Veriut (29,8 %). Në muajin Qershor 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë: Italia (5,5 %), Turqia (12,1 %). dhe SHBA (4,0 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kina (29,9 %), Greqia (1,3 %) dhe Gjermania (4,3 %). (Monitor)
Jete te gjate Shtetev te Bashkuara Shqiotare
Jete te gjate Shtetev te Bashkuara Shqiotare
Po sheshin nafte fiktive (uje)
Kosova po hane Pesticidet qe prodhone shqiperia. une as ha as pi made in ballkan Countries.