Luhatjet e pazakonta të euros në dhjetor, BSH “fajëson” të huajt

17 Shkurt 2024, 20:41Ekonomia TEMA
Luhatjet e pazakonta të euros në dhjetor, BSH

Ndërsa përgjatë gjithë vitit është kujdesur që nënçmimin e euros ta argumentojë me disa faktorë, si remitancat, suficitin tregtar apo suficitin e llogarisë korrente, përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë si dhe blerjet larta të  apartamenteve nga jorezidentët, për dhjetorin Banka e Shqipërisë vlerëson se shkak i luhatjeve tepër të forta ka qenë numri shumë i lartë i turistëve.

Në analizën që i bën kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë e quan të vijueshme tendencën mbiçmuese të lekut përgjatë gjithë vitit, me përjashtim të dhjetorit ku u regjistrua një rritje e përkohshme e luhatshmërisë dhe e spread-it mes çmimit të blerjes dhe atij të shitjes.

Kuotimi i euros zbriti në mesatarisht 102.8 lekë në muajin dhjetor, nga 106.9 lekë që ishte në muajin shtator, me një mbiçmim të lekut prej 3.8% në këtë periudhë. Forcimi i lekut në fund të vitit është në linjë me sjelljen e tij sezonale, por, sikurse është vërejtur gjatë gjithë vitit 2023, intensiteti i këtij fenomeni rezultoi më i lartë se vitet e tjera.

Mbiçmimi vjetor i lekut shënoi 10.4% gjatë tremujorit të fundit të vitit, nga 10.2% që ishte në tremujorin e tretë. Gjatë muajit janar, leku është nënçmuar, sikurse është tipike në këtë periudhë. Kursi eur/lek shënoi nivelin mesatar prej 103.9 lekësh në tre javët e para të këtij muaji.

Presionet mbiçmuese mbi monedhën vendase gjatë vitit 2023 kanë reflektuar zhvillimet pozitive në sektorin e jashtëm të ekonomisë, analizon Banka e Shqipërisë. Kjo ecuri pasqyroi prurjet e larta në turizëm dhe u ilustrua në suficitin tregtar dhe në suficitin e llogarisë korrente në tremujorin e tretë.

Të dhënat indirekte sinjalizojnë vazhdimësi të këtij trendi edhe në tremujorin e katërt, thekson Banka e Shqipërisë, duke nënvizuar se hyrjet e shtetasve të huaj për tremujorin e katërt të vitit u rritën me rreth 66% krahasuar me një vit më parë. Gjithashtu, edhe vëllimet e tregtimit në treg kanë vijuar të jenë të larta gjatë kësaj periudhe.

Në përgjithësi, kushtet e tregtimit në tregun valutor kanë qenë të qeta gjatë këtij tremujori. Këtu përjashtim bën muaji dhjetor ku u regjistrua një rritje e përkohshme e luhatshmërisë dhe e spread-it mes çmimit të blerjes dhe atij të shitjes. Këto të fundit u rikthyen pranë vlerave normale të tyre në muajin janar, konkludon në analizë Banka e Shqiperisë.

Lini një Përgjigje