Kandidatura e ish-ministrit të Financave, Ervin Mete, për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ka marrë një mbështetje të fortë publike në Komisionin e Ekonomisë, ku deputeti Erion Braçe e cilësoi atë si një profil të kompletuar, me formim, përvojë dhe integritet të padiskutueshëm për funksionin që synon të marrë.
Gjatë seancës dëgjimore, Braçe vuri theksin jo vetëm te përmbushja formale e kritereve ligjore, por mbi të gjitha te përmbajtja profesionale e kandidaturës. Ai theksoi se, pavarësisht faktit që Mete nuk ka punuar në një bankë të nivelit të dytë – kriter që shpesh konsiderohet si referencë në diskutimet publike për këtë pozicion – formimi dhe eksperienca e tij e tejkalojnë këtë element formal.
Sipas Braçes, kandidatura e Metes është “një kandidaturë e kompletuar në raport me kriteret që kërkon puna në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, duke nënvizuar se përvoja e tij në drejtimin e financave publike dhe në hartimin e politikave makroekonomike përbën një vlerë të shtuar për institucionin qendror bankar.
Një pjesë e rëndësishme e vlerësimit të deputetit lidhej me periudhën kur Mete drejtoi Ministrinë e Financave. Braçe evidentoi në mënyrë të posaçme disiplinën financiare dhe buxhetore gjatë mandatit të tij, si dhe angazhimin për mbrojtjen e interesit publik. Në fjalën e tij, ai shprehu bindjen se integriteti dhe përvoja e Metes janë elementë thelbësorë për një rol kaq të ndjeshëm sa ai i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës.
Mbështetja e shprehur publikisht nga Braçe shkon përtej një qëndrimi politik formal. Ajo përforcon idenë se kandidatura e Metes perceptohet si një zgjedhje me peshë profesionale, në një moment kur sistemi financiar ndodhet përballë sfidave të reja që lidhen me dixhitalizimin, standardet ndërkombëtare të mbikëqyrjes dhe procesin e integrimit europian.
Në këtë kontekst, vlerësimet e bëra në Komision nga një prej deputetëve me eksperiencë në çështjet ekonomike dhe fiskale marrin një domethënie të veçantë politike dhe institucionale. Ato sinjalizojnë një klimë konsensuale rreth profilit të kandidatit dhe një pritshmëri të lartë për kontributin e tij në vendimmarrjen e ardhshme të Bankës së Shqipërisë.
Kandidatura e Ervin Metes pritet të kalojë në votim në Kuvend, ndërsa diskutimet në Komision kanë shërbyer si një moment i rëndësishëm për të vënë në pah jo vetëm platformën e tij, por edhe mbështetjen që gëzon në radhët e deputetëve për rolin në një nga institucionet kyçe të stabilitetit financiar të vendit.
Fjala e mbajtur nga Ervin Mete në Komision
Sistemi financiar në Shqipëri ka kaluar në një proces konsolidimi të vazhdueshëm gjatë viteve të fundit, kjo veçanërisht edhe pas masave të ndërmarra në periudhën pas krizës financiare globale. Këto masa janë konceptuar dhe zbatuar në bashkëpunim të ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, duke synuar forcimin e qëndrueshmërisë, rritjen e mbikëqyrjes dhe përmirësimin e kuadrit rregullator.
Një nga dokumentet themelore që ka shërbyer si udhërrëfyes për këtë proces reformues ka qenë ushtrimi FSAP 2013 (Financial Sector Assessment Program), i realizuar bashkërisht nga FMN dhe Banka Botërore. Ai parashikonte ndërhyrje në thuajse të gjithë spektrin e sektorit financiar – nga politikat fiskale dhe stabiliteti makroekonomik, te kuadri rregullator dhe mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre rekomandimeve, veçanërisht ato që kanë kërkuar ndryshime ligjore, janë trajtuar edhe nga ky Komision dhe gjej rastin t’ju falënderoj për kontributin tuaj në forcimin e arkitekturës institucionale dhe rregullatore të sistemit financiar.
Për shkak të funksioneve që kam mbajtur ndër vite, kam qenë thelbësisht i përfshirë në konceptimin dhe zbatimin e një pjese të madhe të këtyre reformave, ku FSAP ka luajtur një rol orientues shumë të rëndësishëm. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij ushtrimi, gjatë kohës që mbaja detyrën e Ministrit të Financave, së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë kemi kërkuar një vlerësim të ri. Ky proces tashmë ka nisur – FSAP 2026.
Në fushën bankare, ushtrimi aktual do të fokusohet në disa prioritete kyçe për fazën ku ndodhet sistemi ynë financiar: mbrojtja e konsumatorit, dixhitalizimi i shërbimeve dhe infrastrukturave financiare, aplikimi i plotë i parimeve të Bazelit dhe forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse. Ushtrimi pritet të përfshijë edhe një stress test të sistemit bankar, me qëllim evidentimin e vulnerabiliteteve të mundshme dhe vlerësimin e qëndrueshmërisë në skenarë të ndryshëm makroekonomikë.
Rezultatet e këtij procesi, që pritet të përfundojë brenda këtij viti, do të shërbejnë si udhërrëfyes për prioritetet reformuese të paktën për pesë vitet e ardhshme.
Shtylla e dytë strategjike është integrimi europian. Kam drejtuar Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare” në rolin e negociatorit gjatë procesit të screening, çka më ka dhënë një njohje të thelluar të kërkesave të Bashkimit Europian në këtë fushë. Procesi i përafrimit nuk kufizohet vetëm në ndryshime ligjore, por kërkon edhe harmonizim institucional, forcim të sistemeve dhe standardeve mbikëqyrëse.
Në këtë drejtim, Shqipëria ka shënuar progres konkret. Kemi qenë ndër vendet e para të rajonit që jemi anëtarësuar në SEPA, duke krijuar kushte për integrim më të thellë të pagesave me tregun europian. Paralelisht, po punohet për finalizimin e ekuivalentimit të mbikëqyrjes me Bashkimin Europian, një proces me ndikim të drejtpërdrejtë edhe në aspekte rregullatore, përfshirë kërkesat për kapital dhe menaxhimin e riskut.
Këto dy shtylla – rekomandimet e FSAP dhe kërkesat e procesit të integrimit europian – do të përbëjnë drejtimet kryesore që do të ndikojnë reformat dhe ndërhyrjet në sistemin bankar dhe më gjerë në sistemin financiar në vitet në vijim.
Nisur nga përvoja ime relativisht e gjatë në sistemin financiar, përfshirja direkte në hartimin dhe zbatimin e reformave, si dhe njohuritë e thelluara të proceseve ndërkombëtare të vlerësimit dhe integrimit, besoj se eksperienca ime do të ishte një vlerë e shtuar në mozaikun e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Qëllimi im do të ishte të kontribuoj në një vendimmarrje sa më të konsoliduar, të balancuar dhe të orientuar drejt stabilitetit afatgjatë financiar, në përmbushje të plotë të mandatit dhe funksioneve të këtij institucioni kyç për stabilitetin financiar, politikën monetare dhe ekonominë e vendit në përgjithësi.
Qoka , Qoka dhe evtem qoka per analfabetet PUSHTtetare qe po vjedhin kete popull mjeran.Ky METE eshte njelloj si FULLHANI , analfabet me 5-sa ne ekonomik por meqe ka te atin prokuror do qe te jete pjese e HAJNISE , sipas BRAKES.FU brraka me lluce.