Ministri Salla kërkon takim me fermerët e Maliqit pas proteste: Do t’ju mbështesim financiarisht

20 Janar 2026, 16:01Ekonomia TEMA
Ministri Salla kërkon takim me fermerët e Maliqit pas proteste: Do

Pas protestës së zhvilluar këtë të martë nga fermerët në Maliq, ministri i Bujqësisë Andis Salla ka reaguar duke theksuar se ka kërkuar një takim me ta për t’i sqaruar dhe për të qenë pranë shqetësimeve të tyre.

”Kam kërkuar takim me fermerët për t’i sqaruar dhe për t’i siguruar se jemi pranë tyre dhe do t’i mbështesim. Është e vërtetë që ata kanë një sipërfaqe të konsiderueshme toke të prekur nga përmbytjet e ndodhura ditët e fundit, si pasojë e argjinaturës, por edhe për shkak të reshjeve të shumta të shiut.


Ne do të angazhohemi në evidentimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara, jo vetëm në Bashkinë e Maliqit, por në të gjithë Shqipërinë. Ashtu siç kemi vendosur edhe më parë, do të kemi një paketë financiare për t’i mbështetur fermerët për problematikat dhe dëmet që u janë shkaktuar.

Sot do t’i takoj personalisht fermerët për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe shqetësimeve që ata kanë”, deklaroi ministri Salla gjatë një prononcimi për mediat nga Maliqi.


Sjellim ndërmend se paraditen e kësaj të marte, fermerët e prekur nga përmbytjet e fillimit të këtij muaji, kanë protestuar sot përpara Bashkisë së Maliqit. Ata kërkuan dëmshpërblim nga shteti, duke theksuar se dëmet e shkaktuara janë të mëdha dhe kanë prekur rëndë prodhimin bujqësor.

Lini një Përgjigje