Qeveria, filtra të rinj për investimet e huaja

26 Dhjetor 2025, 16:40Ekonomia TEMA
Qeveria, filtra të rinj për investimet e huaja

Qeveria ka hedhur për konsultim publik një rregullore që vendos procedura të detajuara për vlerësimin dhe shqyrtimin e investimeve të huaja direkte në sektorë të ndjeshëm si infrastruktura kritike, teknologjia, energjia, të dhënat sensitive dhe media. Dokumenti synon të mbrojë sigurinë kombëtare, rendin publik dhe të garantojë që investimet strategjike të mos kthehen në rrezik për transparencën, demokracinë apo sovranitetin informativ të vendit.

“Kërcënimet hibride nga sulmet kibernetike, dezinformimi dhe rrjedhjet e të dhënave janë kthyer në risk real për sigurinë kombëtare. Në këto kushte, investimet në sektorët e medias dhe informacionit duhet të trajtohen me kujdes të veçantë për të shmangur ndikimet e dëmshme. Rregullorja synon të krijojë balancë mes tërheqjes së kapitalit të huaj dhe mbrojtjes së interesit publik e transparencës në vend”.


Sipas relacionit, nga kjo nismë pritet krijimi i Komitetit Ndërministror për shqyrtimin e investimeve, ku përfshihen institucionet e sigurisë, ekonomisë dhe teknologjisë. Çdo investim që prek një sektor të ndjeshëm do të kalojë në filtrat e verifikimit, me afate të qarta dhe mundësi për ndalim apo anulim aktiviteti.

“Investimet që lidhen me infrastrukturën kritike, teknologjinë e ndjeshme, aksesin në informacion apo lirinë e medias do të vlerësohen për rrezik potencial ndaj sigurisë dhe rendit publik. Komiteti ndërministror ka të drejtën të ndalojë ose të vendosë kushte mbi një investim kur ai krijon rrezik. Marrja e autorizimit bëhet kusht për licenca, kontrata publike dhe pjesëmarrje në tendera”.

Dokumenti nuk sjell kosto financiare për buxhetin dhe përafron Shqipërinë me standardet e BE-së, si pjesë e detyrimeve të Kapitullit 30.

Lini një Përgjigje