Qeveria propozon fond kombëtar për sigurimin nga tërmetet

7 Gusht 2023, 18:49Ekonomia TEMA
Qeveria propozon fond kombëtar për sigurimin nga tërmetet

Qeveria shqiptare ka propozuar për debat publik një projektligj që synon krijimin e një skeme shtetërore të sigurimit nga tërmeti, e cila nënkupton një fond rezervë të paguar çdo vit nga pronarët e shtëpive te një agjenci e cila do të duhet të dëmshpërblejë vlerën e shtëpisë së dëmtuar apo shembur nga një tërmet i mundshëm në të ardhmen. 

Relacioni i qeverisë citon një studim të Bankës Botërore, e cila sugjeron se Shqipëria ka rrezik të humbasë 2 miliardë euro nga tërmetet përgjatë një periudhe 250 vjeçare.

Shqipëria është goditur nga dymbëdhjetë tërmete me magnitudë mbi 6 që nga viti 1900, por duket se vetëm tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Durrës mbart një vlerësim konkret të dëmeve të pësuara.

Logjika e projektligjit është që përmes një procesi teknik nga fusha e sigurimeve, të arrihet në një shkallë rreziku dhe vlerësim të dëmit potencial, gjë që përcakton edhe masën e primit apo pagesës vjetore që duhet të shlyhet nga të siguruarit për të përfituar kompensim. Fjala vjen, nëse tërmeti mund të shkaktojë 1 miliardë euro dëme çdo 50 vjet në një bazë pronash me vlerë 20 miliardë euro, atëhere, kontribuuesve do t'u duhet të shlyejnë 5% të vlerës së pronës përgjatë 50 viteve të sigurimit ose 0.1% të vlerës së pronës çdo vit.

Por kjo është një llogari më e lehtë në teori se sa në praktikë. Llogaritja e primit të rrezikut për një ngjarje të tillë si tërmetet është e vështirë dhe kërkon metodologji të stërholluara, të cilat projektligji nuk i mbart. Nuk është e lehtë të matet vlera e pronës në rang kombëtar apo në rang rajonal dhe as nuk është e lehtë që të llogariten dëmet potenciale nga ngjarje të tilla të rralla dhe me forcë të luhatshme si tërmetet. Gjithashtu, mbetet e paqartë dhe e pasqaruar në ligj se mbi çfarë informacioni dhe mbi çfarë logjike do të duhet të matet diferenca e rrezikut për dëme mes një zone me rrezik të lartë për tërmet, si Durrësi nga një zonë me rrezik më të ulët për tërmet si Tirana.

Projektligji parashikon që sigurimi i detyrueshëm të jetë vetëm për pronat që përdoren për banim, përfshirë ndërtesat në proces legalizimi, ndërsa pronat biznes përjashtohen. Po kështu përjashtohen edhe shtëpitë e baltës apo ndërtesat e lëvizshme. Projektligji saktëson se sigurimi mbulon vetëm banesën pa orendi ndërsa nuk do të ketë kompensim nga ky fond për dëme në shëndet apo për humbje jete. Për këto lloj dëmesh, qytetarët kanë mundësi të sigurohen në sektorin privat, nëse dëshirojnë.

Projektligji parashikon krijimin e një korporate shtetërore, e cila do të grumbullojë pagesën e siguracionit të detyrueshëm nga qytetarët dhe do të menaxhojë këtë fond, supozohet duke i investuar paratë në instrumente borxhi. Një pjesë e kontributeve të qytetarëve në sigurim do të shkojë për të paguar rrogat dhe shpenzimet e tjera administrative të korporatës së sigurimeve.

Shqipëria i përballoi dëmet në masën 985 milionë euro të 26 nëntorit 2019 përmes rritjes së borxhit publik dhe falë ndihmave të vendeve dashamirëse, përfshirë mbi 100 milionë euro të dhëna nga Bashkimi Evropian, me të cilat po rindërtohen shumë shkolla, disa prej të cilave nuk kishin dëmtime nga tërmeti.

Tërmete të tjera më të vogla që kanë goditur vendin kanë shkaktuar dëme në shkallë shumë më të vogël.

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 nuk ishte tërmeti më i fortë që ka goditur Shqipërinë, tërmete që shkaktohen më së shumti nga mikropllaka e Adriatikut.  Një tërmet që goditi Shqipërinë dhe Malin e Zi më 15 prill 1979 shkaktoi 35 të vdekur dhe shkatërroi tërësisht 2413 shtëpi dhe pjesërisht rreth 12 mijë shtëpi. Në vitin 1967, një tërmet me magnitudë 6.6 dhe intensitet në qendër 9 ballë, goditi zonën e Dibrës dhe Librazhdit duke shkaktuar 12 të vdekur dhe duke shkatërruar tërësisht 534 shtëpi.

Më 1 qershor 1905, në Shkodër, një tërmet i vlerësuar me magnitudë 6.6 dhe me intensitet 9 ballë, shkaktoi rreth 200 të vdekur dhe rrafshoi rreth 1500 shtëpi.

Më pas në histori, në vitin 1267, një tërmet goditi Durrësin duke rrafshuar qytetin në mënyrë katastrofike.(BIRN)

2 Komente

  1. k
    kacidhja

    Kafsheria e kesaj qeverie shkon deri ne eleminimin e popullit shqiptar........

    Përgjigjjuni
    1. e
      erling-haaland-s-borussia-dortmund-goals-boosting-

      E Para si i bjen LLogaria me rregull treshi nese studimi thote : "...2 miliarde deme ne 250 vjet .."sa i bie per 50 vjet i bie 1/5 dmth jo 1 miljard si merret shembulli per 50 vjet por 400 miljon EURO per 50 vjet duhen paguar .E dyta Diskutohet per Debat Publik , Ku edhe me Ke , sepse debati duhet bere me qytetarin se ai do te Paguaj, qeveria duhet te organizoje fushata kominikimi kapilar deri ne qendrat e punes ku njerezit te konsultohen dhe tu merren mendime , te organizoje poll e dhe referendume per kete ceshtje E treta mqs Diskutohet Korporate shteterore Koncepti duhet te reformohet dhe te kthehet ne nje forme te FONDIT TE MIRQENIES SOVRANE si psh Fondi NORVEGJEZ https://www.nbim.no/ .I bie qe njerezit do te investojne teorikisht parate e tyre brez pas brezi per nje katastrofe qe mund te ndodhe 1 here ne 30 vite, por cdo te ndodhe me parate e akumuluara ne Korporate per 30 Vite , ato po te investohen drejt dhe me ekspertize ekonomike ne 30 Vjet praktikisht DO TA DYFISHOJNE VLEREN .A do te kete transparence me keto para apo do te vidhen, kur behet fjale per perafersish 0.1 e 20 miljard eurove cdo vit.Keshtu qe per 20 miljon euro te investuara cdo vit nga fondi pas 10 vitesh do te marresh 20 miljon te tjera Fitim ZGJIDHJA eshte :NESE FAMILJET DO TE PAGUAJNE atehere KONTRIBUTI duhet te KONVERTOHET AUTOMATIKISHT NE AKSIONE TE FONDIT CDO FAMILJE DUHET TE JETE AKSIONERE NE INVESTIMET E FONDIT (Instrumenta borxhi qe permenden aty , por mund te investohet edhe ne kapitalin boteror , nga aksionet e APPLE apo GOOGLE e deri te aksionet e Klubeve te futbollit, ETF ,Index Fund ete tje ) Njerezit qe gjithsesi do te paguajne mund te fillojne te marrin Interesa nga investimi ne fond pas 10 vitesh investimi psh kurse nje pjese e interesave mbush nje llogari ku mbahet likuiditet per emergjenca .PERNDRYSHE ME MERR LEKE CDO VIT KOT ESHTE THJESHT VJEDHJE DHE NJEREZIT DUHET TA REFUZOJNE

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje