Si mund ta ulni faturën e dritave me të paktën 20%

5 Korrik 2022, 20:25Ekonomia TEMA

Si mund ta ulni faturën e dritave me të paktën 20%

Filloi me pandeminë, vazhdoi me luftën në Ukrainë dhe u thellua edhe më tej me krizën e naftës – energjia është kthyer në një problem serioz kudo!

Dhe në një kohë kur çmimet e energjisë po rriten në të gjithë botën, mbajtja nën kontroll e asaj që quhet ‘energjia vampire’ mund t’ju ndihmojë të kurseni para por edhe të luftoni ngrohjen globale.

Sipas një studimi të fundit në SHBA, ‘pajisjet e përgjumura’ janë të përgjegjshme për rreth 1/4 e faturës suaj të energjisë.

Nga aspekti mjedisor, pajisjet shtëpiake prodhojnë rreth 60 kg emetime të CO2, çdo vit – një sasi karboni për të cilën duhen 3 pemë për ta absorbuar gjatë të njëjtës periudhë.

Kthimi në burime energjie të rinovueshme është një nga lëvizjet themelore të shekullit të 21, dhe ndërkohë që heqja nga priza e sendeve shtëpiake mund të duket si diçka e vogël, ndikimi afatgjatë i saj është i jashtëzakonshëm.

Ja dhe pse ka marrë emrin: ‘energjia vampire’, pasi përshkruan pajisjet që thithin energji edhe kur janë të fikura apo në standby.

Cili është impakti mbi faturën tonë elektrike?

‘Energjia fantazmë’ përbën rreth 23% të konsumit të elektricitetit të një shtëpie, sipas studimit të Këshillit të Mbrojtjes së Resurseve Natyrore, në SHBA.

Një raport i fundit i bërë nga një kompani britanike, e bën të përgjegjshme këtë energji fantazmë për rreth 16% të faturës elektrike të britanikëve.

1 në 5 persona ishin të ndërgjegjshëm për këtë fenomen – i cili i kushton Britanisë rreth €1.9 miliardë euro në vit – sipas një tjetër studimi nga kompania Centrica.

Si ta mposhtim ‘energjinë vampire’?

Të gjithë e dimë sa e thjeshtë është të harrojmë jo vetëm t’i fikim pajisjet tona, por edhe t’i heqim ato nga priza. Por, me gjithë këto shqetësime klimaterike dhe financiare ndërmend, krijimi i një rutine dhe zakoni të ri nuk do të ishte aq i vështirë.

Mikrovala, televizionet, kompjuterët, konsolat e lojërave, satelitorët dhe rauterat e internetit janë ndër pajisjet më të ‘etura’ për energji.

Printerët dhe ushqyesit e celularëve gjithashtu nuk duhen lënë në prizë.

Një zgjatues do të ishte zgjidhja perfekte, në rastin kur nis të bëhet e vështirë të hiqet dhe rivendoset çdo prizë e panevojshme, kur mjafton të fiket çelësi dhe pajisjet ndalojnë të ‘ushqehen’.

Por, diçka është e sigurt, ‘energjia vampire’ nuk ka pse të vazhdojë të rëndojë as faturën tonë elektrike dhe as ndërgjegjen e ambientalistëve më të paepur!

Lini një Përgjigje