Rritja e qirave dhe çmimet e larta të pasurive të paluajtshme nuk janë thjesht një problem social, por edhe një rrezik potencial për stabilitetin ekonomik. Kështu paralajmëron eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, duke theksuar se tregu i real estate-it ndjek gjithmonë cikle dhe se rënia e çmimeve është çështje kohe.
Sipas Xhepës, historia ekonomike është e qartë: krizat e tregut imobiliar janë shfaqur në vende të ndryshme dhe në periudha të ndryshme — nga vendet nordike në vitet ’80, te Japonia në vitet ’90, e deri te Shtetet e Bashkuara gjatë recesionit të madh të vitit 2006. Pyetja kyçe, sipas tij, nuk është nëse Shqipëria do të përballet me një korrigjim të tillë, por sa e përgatitur do të jetë shoqëria dhe sistemi financiar për ta përballuar atë.
Në qendër të shqetësimit është ekspozimi ndaj kreditimit. Nëse rënia e çmimeve ndodh në një moment kur bankat dhe ekonomia janë thellësisht të ekspozuara ndaj tregut të pasurive të paluajtshme, pasojat mund të shkojnë përtej investitorëve individualë dhe të kthehen në një problem sistemik. “Një rënie e tillë mund të prodhojë një shok që krijon shqetësime serioze për shoqërinë,” paralajmëron Xhepa.
Për këtë arsye, ai argumenton se Banka e Shqipërisë duhet të jetë më agresive në kufizimin e kreditimit për sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme. Qëllimi, sipas tij, nuk është ndalimi i tregut, por izolimi i riskut tek investitorët, në mënyrë që sistemi financiar të mos tërhiqet në një spirale destabilizuese.
Edhe pse banka qendrore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë ndërmarrë disa masa kufizuese gjatë viteve të fundit, Xhepa vëren se dy ekspozimet kryesore të sistemit financiar shqiptar mbeten të pandryshuara: borxhi publik i zotëruar nga bankat dhe sektori i ndërtimit. Kjo e bën situatën edhe më delikate në rast të një korrigjimi të fortë të tregut.
Në këtë kuadër, paralajmërimi është i qartë: një treg imobiliar i mbinxehur nuk është vetëm çështje çmimesh të larta apo pamundësie për të blerë shtëpi. Ai mund të kthehet në një burim paqëndrueshmërie për gjithë ekonominë, nëse rënia e pashmangshme nuk paraprihet nga politika më të kujdesshme dhe masa parandaluese.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Rrugë, beton, apartamente… po për kë? | Selami Xhepa | Apostrof #53