Turizmi “lëvizi” konsumin

7 Shtator 2023, 21:10Ekonomia TEMA
Turizmi “lëvizi” konsumin

Fluksi i turistëve të huaj gjatë këtij sezoni veror ka bërë që ndjeshmëria të jetë e lartë në konsum, edhe pse nuk është reflektuar e gjitha në shifra. Duke qenë se të ardhurat në arkën e shtetit nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar administruar nga tatimet  janë matësi kryesor i konsumit, mund të jepet edhe një vlerësim i përgjithshëm për muajt Qershor-Korrik të cilët kanë pasur bumin më të lartë turistik, kjo pasi të dhënat për Gushtin dhe në vazhdim ende nuk janë procesuar. Kështu referuar treguesve fiskalë të ministrisë së financave, të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme bruto në muajin Qershor janë rritur me 22.9 për qind krahasuar me një vit më parë dhe po ashtu në muajin korrik kapërcimi është me afro 1.2 miliardë lekë.

Pra e thënë ndryshe vetëm nga TVSH e brendshme bruto, që mat konsumin, në periudhën Qershor-korrik janë mbledhur rreth 2.3 miliard lekë më shumë se Qershor-Korrik 2022 dhe në total shifra regjistrohet në 11 miliardë lekë të arkëtuara në këto dy muaj. Duke marrë parasysh bumin e turistëve, rritja nuk është aq e lartë sa duhej të ishte, ku faktor në këtë pikë luan informaliteti si dhe fakti që subjektet e vogla trajtohen me TVSH zero.

Nga ana tjetër një tregues tjetër që pasyron efektet e turizmit në ekonomi është dhe akzica. Të ardhurat nga akciza përgjatë dy muajve Qershor-Korrik, janë rritur me 1.1 miliardë lekë duke u regjistruar në 10.7 miliardë lekë nga 9.6 miliardë përgjatë Qershor-Korrik 2022. Mallrat e akcizës janë karburantet, kafeja, birra dhe cigarja.

Megjithatë efektet e turizmit janë të shtrira në disa sektorë dhe pavarësisht të hyrave në buxhet,  ky sezon ka sjellë më shumë të ardhura për një sërë kategorish bizneset dhe individësh në vend.

TVSH e brendshme bruto

Qershor-Korrik 2022       8.7 miliardë lekë

Qershor-Korrik 2023       11 miliard lekë

Të ardhurat nga akciza

Qershor-Korrik 2022       9.6 miliardë lekë

Qershor-Korrik 2023       10.7 miliard lekë

Elisabeta Dosku

1 Komente

  1. b
    ben.

    Sipas matematikes ritja e tvsh eshte me e madhe se ritja e aksizes. Nese per tvsh gazeta e rilindjes e gjeti qe ka invazion dhe bisneset e vogla me tvsh 0. Si ka mundesi qe aksiza eshte ritur me pak se tvsh????? Pergjigja eshte e thjeshte aksizen e vjedh te gjithen luani dhe nuk ka problem , problem eshte nese ndonje qyqar nuk ka deklaruar 3 bira qe jane kane pire kamarieret. Shtet legen. Pervecse hajdut i pangopur

    Lini një Përgjigje