Prioritetet e Bankës së Shqipërisë

6 Shtator 2023, 09:16Ekonomia TEMA
Prioritetet e Bankës së Shqipërisë

Nga Evarist Stoja

Profesor i Financave, Universiteti i Bristolit, Mbretëri e Bashkuar.

Pavarësisht periudhës së verës ku zakonisht intensiteti i punës bie, për arsye që nuk dihen mirë, Banka e Shqipërisë ka qenë goxha aktive. Ky aktivitet duket nga një numër i madh studimesh të publikuara rishtaz që duke pasur parasysh traditën, është diçka që ngjall kuriozitet.

Për shembull, një studim i fundit i Bankës së Shqipërisë arriti në konkluzionin se “Kostot e punës janë rritur me ritme të përshpejtuara në tremujorin e parë të vitit 2023.” A surprizoi njeri, brenda a jashtë BSH, ky konkluzion? A mund të ndodhë që çmimet të rriten me ritme të shpejta – dhe të gjithë e dinë tani se inflacioni në Shqipëri ashtu si edhe në Europë ishte në nivelet më të larta përgjatë 2022 dhe fillimit të 2023 – dhe kostot e punës të ulen?

Perveç efektit përcaktues të inflacionit në përgjithësi, ka edhe elemente të tjere që e bëjnë më të fortë këtë efekt. Një psh. është mungesa e forcës së punës – bizneset shqiptare e kane të vështirë të gjejnë e mbajnë punonjës. Ky nuk është një problem i izoluar – vende të tjera, edhe shumë më të pasura se Shqipëria, kanë të njëjtin problem. Në SHBA, Britani dhe Eurozonë shumë biznese kërkojnë dhe nuk gjejnë punonjës. Si e zgjidh një firmë këtë problem? Duke ofruar paga më të larta, që në mënyrë mekanike rrit kostot e punës. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri dhe afërmendsh është ajo që dokumenton ky studim i BSH.

E ndërsa studime të tilla kanë rëndësi sepse i konfirmojnë bizneseve dhe publikut tendencat e përgjithshme ekonomike në vend, ndihmesa që u ofrojnë bizneseve, veçanërisht në kushtet aktuale, është minimale. Prioritetet qartësisht duhet të jenë të tjera se edhe urgjenca, tashmë e ditur nga të gjithë, është gjetkë.

Prej muajsh në media gëlon debati mbi “duelin” euro-lek. Njëherë është leku në “ofensive” dhe euro në tërheqje, pasuar nga një “kundërofensivë” e euros të cilës leku po i “kundërpërgjigjet”. Kjo do të ishte zbavitëse nëse nuk do ishte shqetësuese. Prej kohësh eksportuesit po ngrenë zërin se yryshi i lekut po shkakton hemoragji financiare të cilave disa, ndoshta shumë prej tyre nuk do të mund tu rezistojnë gjatë. Çdo cinik ndaj fatit të tyre do të bëhej “esëll” kur të mendonte se falimenti i tyre do të thotë njerëz që humbasin punën, më pak investime në shkolla, shëndetësi e rrugë si rrjedhim i të ardhura më të ulta në buxhet. Të gjitha këto ulin konsumin që ul prodhimin i cili ul punësimin, e kështu me radhë në një spirale vicioze që po hyre është vështirë të dalësh si ç’u pa edhe te fqinji ynë jugor që vuajti një spirale të ngjashme para një dekade nga e cila doli tani vonë me shumë mund e sakrifica. Fati i eksportuesve është edhe fati i ekonomisë shqiptare.

Një tjetër lajm i parapakditshëm me burim BSH thotë se kursimet në lekë të depozituara në bankat shqiptare u ulën por, në kontrast, ato në euro u rritën. Për fat të keq, ky lajm nuk mori vëmendjen e duhur. Në një kohë kur BSH prej vitesh ndërmerr një sërë masash për të kufizuar përdorimin e euros në ekonomi, monedhë e cila gjithashtu prej vitesh gëlon në të katra anët e vendit, depozitat në euro rriten dhe ato në lek ulen! Më minimalja që kjo sugjeron është që masat për de-euroizimin e ekonomisë kanë dështuar. Nëse çështja do të mbyllej këtu, s’do të kishte problem përveç ndoshta krenarisë së lënduar të monedhës kombëtare. Për fat të keq, në ekonomi gjërat janë të lidhura zinxhir.

Politika monetare e BSH funksionon mbi bazën e normave të interesit që paguhen për depozitat në monedhën kombëtare. Nëse monedha kombëtare konkurohet në vend padrejtësisht nga euro, ashtu si lajmi bën të qartë, atëherë politika monetare e BSH nuk funksionon – normat e interesit në euro nuk i cakton BSH. Ato i cakton Banka Qendrore Europiane që ti përshtaten kushteve të Eurozones, jo atyre të Shqipërisë. Si rrjedhim, është e vështire për politikën monetare të krijojë kushtet që vendi ka nevojë për zhvillimin ekonomik. Ekonomia do të ishte si një makinë ku shoferi ka njërën këmbë te gazi dhe tjetrën te frenat.

Kjo logjikë mbështetet edhe nga vetë studimet e BSH në të shkuarën.  Në një studim cilësor të vitit 2007, me ç’duket të harruar padrejtësisht, me titull “Roli i kursit të këmbimit në shënjestrimin e inflacionit, Si veprohet?” autorët, punonjës të BSH, konkludojnë:

“…Futja e tipareve të shënjestrimit të inflacionit në politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, ka çuar në një inflacion të qëndrueshëm dhe të ulët, dhe ka përkuar me një periudhë të gjatë të mbiçmimit gradual dhe të vazhdueshëm të monedhës vendase. Përveç rezultateve të dëshirueshme monetare, këto zhvillime ngrenë çështje të rëndësishme për politikën, të cilat kanë të bëjnë me rolin e kursit të këmbimit në këtë politikë të re monetare, objektivat e saj, efektet e mundshme destabilizuese të zhvillimeve të kursit të këmbimit dhe reagimin e politikës ndaj këtyre zhvillimeve…” (nënvizimi është i shtuar).

Të gjitha këto arsyetime sugjerojnë pyetje të tjera shumë më urgjente. Cilat janë arsyet, ekonomike e më gjerë, të tejforcimit të lekut? Cili është efekti në ekonomi i këtij tejforcimi të lekut? Si duhet ti përgjigjet BSH efekteve të mundshme destabilizuese të kursit të këmbimit? Çfarë impakti ka pasur dështimi i de-euroizimit në tejforcimin e lekut? Çuditërisht për këto tema thelbësore për zhvillimin e vendit që edhe vetë ky institucion pranon se mund të shpien në efekte destabilizuese, BSH nuk ka, ose të paktën nuk ka bërë publik asnjë studim të vonshëm por i duket me interes të studioje marrëdhënie aksiomatike si “inflacioni i lartë sjell kosto pune të larta”!

Për fat të keq, për këto kontradikta e dështime nuk po flitet mjaftueshëm. Është sikur pas një ndeshje të dobët të kombëtares, të gjithë të flasin për dobësitë në sulm e mesfushë por dobësitë e skuadrës në mbrojte të mos përmenden. E nëse dobësitë në mbrojte të kombëtares nuk do të toleroheshin më shumë se disa javë, prej vitesh dobësitë në mbrojtje – pozicion i mbuluar nga Banka e Shqipërisë – të “skuadrës ekonomike kombëtare” po kalohen me sportivitet.

3 Komente

  1. S
    Shaqo

    Pa argumente bindese. Sipas prof. duhet me patjeter qe leku te cvleresohet, qe shqiptaret qe paguhen me leke, le te vuajne, se importet jane ne euro dhe ne me shume importojme se eksportojme, pra nje lek i dobet si para 20 vjetesh, i ben shqiptaret te vuajne, se rritja e pages minimale, do te shumzohet me 0, pra do te shkojme aty ku ishim. Kush eshte leverdia e qytetareve ketu o profesor?

    1. k
      k

      Faktori kryesor i kursit të lekut (kurs te tretuari mbrapa bankës) janë vërshimi i pakontrolluar i parave të drogës dhe trafiqeve të tjera që nuk figurojnë në asnjë bilanc dhe për pasojë deformojnë bilancet.Ky zotëria nuk na tha asgjë dhe bën sikur nuk ka dijeni. Ekspozimi i ideve abstrakte teorike sjell vetën përshtjellim dhe mjergull. MU kutua Niçe kur fliste për këtë kategori "mentarësh". Unë jam si hekuri i skuqur nga pasioni për të vobektit,Kurse ata të freskët ulen në shkallët e kishave të vakta nga rrezet e diellit dhe vrojtojnë kalimtarët duke shpresuar të gjejnë mendime të menduar nga tjerët.Po ti prekësh pak ,nxjerrin një re pluhuri si thasë me miell. Kush mund të mendojë se ai pluhur vjen nga gruri i bagatë ,apo nga delikatesa e artë e fushave në verë ?

    2. s
      shqip

      Na mbushe mendjen o Evarist.Ti ,ose do zevendesosh qoften ,ose ke marre nje grusht eurosh te zhvleresuara per te shkruajtur brockulla.Nese keto anekdota bajate i tregon ne auditoret ku jep leksione (nese ekzistojne realisht) do te te kishin kapur me domate.Boll me denglat bajate se eksportuesit shqiptare humben shuma te medha nga menaxhimi " perfekt" i situates.

      Lini një Përgjigje