Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur një aksion përgjatë aksit kombëtar Qafë Thanë – Kapshticë për lirimin e hapësirave pranë rrugës.
Drejtori i IKMT Korçë, Edi Bitri, tha se të gjitha bizneset dhe banesat që kanë rrethime apo ndërtime brenda distancës 6 metra nga karrexhata duhet t’i heqin ato brenda afatit të përcaktuar, përndryshe do të gjobiten.
“Faza e paralajmërimit ka mbaruar që më 31 korrik, ku janë evidentuar rreth 377 subjekte, rrethime banesash apo biznesesh të cilat duhet të spostohen 6 metra nga fundi i asfaltit, i cili është i parashikuar në Kodin Rrugor. Tani jemi në fazën ku subjektet që i kemi paralajmëruar, po i shohim nëse kanë bërë çmontimin vullnetar; në të kundërt, do të merren masa administrative nga ana jonë me gjobë dhe do të dalin me vendim prishjeje. Gjoba shkon me vlerën e ndërtimit, por jo më pak se 5 milionë lekë të vjetra”, tha Bitri.
Sipas të dhënave, në këtë segment janë identifikuar 377 subjekte që duhet të kryejnë prishjen vullnetarisht, përndryshe ndërhyrja do të kryhet nga vetë IKMT. Ky aksion është pjesë e masave për zbatimin e ligjit dhe lirimin e hapësirave publike përgjatë akseve kombëtare, të cilat lidhen drejtpërdrejt me sigurinë rrugore.
Lini një Përgjigje