Apartamentet e kthyera në bazë kanabisi, në pranga administratori i pallatit në Sarandë

20 Janar 2026, 16:57Kronika TEMA
Apartamentet e kthyera në bazë kanabisi, në pranga administratori

Pas një operacioni policor, të koduar “Administratori”, në Sarandë, janë zbuluar këtë të martë, 20 janar, dy apartamente në katin e nëntë të një pallati, të cilat ishin kthyer në bazë kultivimi të bimës narkotike kanabisi.

Për këtë, ra në pranga administratori i këtij pallati, shtetasi E.B., 45 vjeç, ndërsa në kërkim janë shpallur katër persona të tjerë, që dyshohen të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.


Sipas njoftimit të uniformave blu, dy apartamentet ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, përmes llambave elektrike, por dhe tharjen e përpunimin e tyre, me qëllim shitjen e tyre.

Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar 157 bimë narkotike të dyshuara të llojit Cannabis Sativa, të kultivuara në vazo, 18 kg lëndë narkotike kanabis në gjendje të thatë, 90 llamba elektrike me reflektorë, 100 siguresa elektrike, pesë kondicionerë, 15 ventilatorë, katër filtra ajri, tubo aspirimi, tre aparate celulare dhe pajisje të tjera që përdoreshin për veprimtari kriminale.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Administratori”, evidentohet dhe goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, në qytetin e Sarandës.


Sekuestrohen 157 bimë narkotike, 18 kg lëndë narkotike kanabis, pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike, me qëllim shitjen.

Vihet në pranga administratori i pallatit ku ishte përshtatur ambienti për këtë veprimtari kriminale.
Shpallen në kërkim 4 shtetas, të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.


Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar mbi informacione të siguruara nga inteligjenca informative dhe verifikime në terren, strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë finalizuan operacionin policor të koduar “Administratori”.

Si rezultat i këtij operacioni, në katin e nëntë të një pallati 9-katësh, në lagjen nr. 2, Sarandë, në dy apartamente, u konstatuan ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet llambave elektrike, si dhe për tharjen dhe përpunimin e tyre, me qëllim shitjen. Nga verifikimet rezultoi se pajisjet furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 45 vjeç, banues në Sarandë, administrator i pallatit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulsive telefonike”.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit E. Sh., 48 vjeç, S. H., 26 vjeç, T. M., 28 vjeç dhe A. M., 25 vjeçe, të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Po në vijim të veprimeve për këtë rast, u procedua penalisht dhe shtetasja M. B., 45 vjeçe, (bashkëshortja e shtetasit E. B., të arrestuar).

Gjatë kontrollit në ambientet e përshtatura u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 157 bimë narkotike të dyshuara të llojit Cannabis Sativa, të kultivuara në vazo, 18 kg lëndë narkotike kanabis, në gjendje të thatë, 90 llamba elektrike me reflektorë, 100 siguresa elektrike, 5 kondicionerë, 15 ventilatorë, 4 filtra ajri, tubo aspirimi, 3 aparate celulare dhe pajisje të tjera që përdoreshin për veprimtari kriminale.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme“, njoftojnë uniformat blu.

Lini një Përgjigje