Policia njofton se dy të shumëkërkuarit shqiptarë, të njohur si “Kimisti” në Kolumbi dhe Soni Pepa në Santo Domingo, do të ekstradohen drejt Shqipërisë, ku do të përballen me akuza për aktivitet kriminal.
Njoftimi i policisë:
Vijon intensivisht bashkëpunimi me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohen edhe dy faza të tjera të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.
Në vijim të punës intensive për gjurmimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe falë shkëmbimit në kohë reale të informacioneve me partnerët, u bë e mundur finalizimi i dy fazave të tjera të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Si rezultat i informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij me homologët e Republikës Domenikane, nëpërmjet Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi në Punta Cana/Republika Domenikane i shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., 41 vjeç, lindur në Lushnjë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjithashtu, po falë informacionit të siguruar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe i shkëmbimit të informacionit me Policinë kolumbiane, nëpërmjet Interpol Tiranës, si dhe koordinimit të veprimeve me zyrat kombëtare të Interpolit në Ekuador dhe Kolumbi, u bë i mundur arrestimi në Kolumbi i shtetasit kolumbian S. R., i dyshuar si pjesë e grupit që transportonte dhe përpunonte kokainë në banesën e ish-kreut të komunës në Frakull të Fierit, V. Ç..
Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Shqipërisë.
Lini një Përgjigje