Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka uruar Klodian Brahon për marrjen e detyrës si kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Në reagimin zyrtar, delegacioni i BE-së vlerëson SPAK për qëndrueshmërinë përballë presioneve politike si dhe për integritetin e treguar nga paraardhësi i Brahos, Altin Dumani.
Delegacioni i BE-së gjithashtu konfirmon mbështetjen për SPAK dhe Shqipërinë për integrimin në BE.
“Delegacioni i BE-së në Shqipëri uron Klodian Brahon për marrjen sot të detyrës si Kreu i SPAK-ut dhe i dëshiron suksese në këtë rol të rëndësishëm për vendin.
Njëkohësisht, vlerësojmë SPAK-un për qëndrueshmërinë përballë presioneve politike, si edhe për vendosmërinë dhe integritetin e treguar nga Kryeprokurori i mëparshëm, Altin Dumani. Nën drejtimin e tij, SPAK shënoi hapa përpara në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe kontribuoi në forcimin e besimit të publikut te drejtësia.
Lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si edhe respektimi i shtetit të së drejtës, janë përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve kyçe dhe një element thelbësor i rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, rrugë e mbështetur nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që të ushtrojnë plotësisht rolin e tyre, të përmbushin përgjegjësitë dhe të bashkëpunojnë pa rezervë për të garantuar llogaridhënie, në dobi të të gjithë qytetarëve.
Presim të vijojmë bashkëpunimin me SPAK-un, teksa e mbështesim Shqipërinë në çdo hap në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së.
Aman, BE arreston njerezit e saj eshte bere shporte karavidhesh.