Shumica e trupit gjykues të Kolegjit që shqyrtoi ankimin e gjyqtares së Lushnjës, Saemira Hila ndaj vendimmarrjes së Komisionit për shkarkimin e saj, e gjeti të drejtë dhe e la në fuqi. Ndërsa pakica i çmoi bindëse shpjegimet e subjektit për pasurinë dhe kërkoi që të urdhërohej Komisioni për të vijuar hetimin dhe për dy kriteret e tjerë, figurën dhe profesionalizmin.
Nga Edmond Hoxhaj
Megjithëse disa prej shkaqeve të ankimit për pasurinë të parashtruara nga gjyqtaria Saemira Hila janë gjetur të bazuara nga trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, ato janë vlerësuar si të pamjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Komisionit për shkarkimin nga detyra të këtij subjekti rivlerësimi. Trupa e KPA u nda në vlerësimin e Hilës, ku shumica konkludoi se ajo gjendej në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë, kriterin e vetëm për të cilin u përmbyll vetingu ndaj saj, ndërsa pakica vlerësoi se shpjegimet e saj ishin bindëse dhe kërkoi të urdhërohej Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të vijonte hetimin administrative edhe për figurën e profesionalizmin.
KPK ka konstatuar pamundësi financiare të subjektit për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe totale 112.1 m2 në Tiranë në vitin 2011 për çmimin 82 mijë e 500 euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie janë deklaruar një kredi bankare në vlerën 5 milionë lekë; të ardhurat nga shitja e një apartamenti të trashëguar nga prindërit, si dhe kursimet e saj e të bashkëshortit.
Konkluzionet e KPK për pamundësi të pagesave të këstit të parë dhe të dytë për këtë apartament janë kundërshtuar nga subjekti si të padrejta.
Në lidhje me një depozitë bankare në vlerën 67 mijë USD e krijuar nga subjekti dhe bashkëshorti prej vitit 2004 e në vijim, KPK ka konstatuar pamundësi në shumën 1 milion e 392 mijë lekë. Ndryshe nga Komisioni që nuk ka konsideruar të ardhurat nga shitja e një apartamenti dhe kthimi një huaje bashkëshortit nga ana e vëllezërve, Kolegji i ka gjetur bindëse shpjegimet e Hilës për këto rrethana. Për rrjedhojë, këto shuma janë konsideruar si burime të ligjshme për financimin në bono thesari dhe për shtimin e depozitës bankare, duke brë që subjekti të dilte me bilanc pozitiv në masën prej 1 milion e 481 mijë lekësh për krijimin e këtyre likuiditeteve.
Ndërkohë sipas shumicës së trupit gjykues të KPA, të përbërë nga kryesuesja Natasha Mulaj, relatorja Albana Shtylla dhe anëtarët Rezarta Schuetz e Sokol Çomo, Hila ka dështuar të kundërshtojë konkluzionet e Komisionit për pamundësitë në pagesën e kësteve të apartamentit.
Për këstin e parë në masën 25 mijë euro, subjekti ka deklaruar si burim depozitën 67 mijë USD. Komisioni ka konstatuar se Hila ka kryer deklarim të pasaktë për burimin e kësaj pagese në vitin 2010, pasi nga hetimi ka rezultuar se nuk ka përdorur gjendjen e depozitës bankare. Sipas KPK, megjithëse depozita ishte maturuar dhe mund të tërhiqej, ka rezultuar se nuk ka ndodhur një gjë e tillë në datën e pagesës së këstit të parë. Tërheqja është kryer katër ditë më vonë nga një mikeshë e tyre e autorizuar me prokurorë të posaçme dhe për rrjedhojë KPK ka vlerësuar se kjo shumë nuk mund të ketë shërbyer për pagesën e kryer. Po ashtu, është konstatuar pamundësi në vlerën rreth 4.2 milionë për këstin e parë.
Subjekti ka pretenduar në ankim se Komisioni duhej ta vlerësonte përdorimin e depozitës për pagesën e këstit të parë të apartamentit, bazuar në gjithë faktet dhe rrethanat e ndodhura nga muaji dhjetor 2010 deri në muajin shkurt të 2011-ës. Ajo ka parashtruar se pasaktësitë në deklarimin e saj në lidhje me maturimin e depozitës bankare kanë qenë për shkak se nuk ishte konsultuar me aktet e bankës, me bashkëshortin dhe miq të tyre, të cilët kanë qenë të interesuar të blinin shtëpi pranë njëri-tjetrit.
Sipas Hilës, më datë 17 dhjetor të vitit 2010 ata janë gjendur në zyrat e shoqërisë ndërtuese në Tiranë së bashku me çiftin S.Q dhe F.Q. dhe motrën e tij për të diskutuar për blerjen e një apartamenti. Subjekti ka shpjeguar se kur përfaqësuesi i shoqërisë ka kërkuar që në rast prenotimi të paguanin të paktën një këst, për shkak se ajo dhe bashkëshorti nuk kishin pasur gjendje cash me vete, ka qenë z.Q i cili ka propozuar t’u jepte një shumë të hollash dhe për rrjedhojë është firmosur mandati për likujdimin e këstit në shumën 25 mijë euro.
Hila ka shtuar se nuk ka qenë e mundur që në atë datë të shkonin në bankë për të tërhequr depozitën dhe në kushtet kur ajo e bashkëshorti kishin prenotuar bileta për udhëtim në Itali, i kanë lënë zonjës S.Q. një prokurorë të posaçme që ta tërhiqte ajo depozitën bankare në vlerën 67 mijë dollarë dhe të mbante shumën që u kishin dhënë. Ndërsa pak muaj më vonë u është kthyer shuma prej 20 mijë dollarësh.
Subjekti ka argumentuar se marrëdhënia me familjen Q., ka zgjatur ligjërisht vetëm për disa orë të datës 17 dhjetor të vitit 2010, duke filluar nga koha e pagimit të këstit të parë prej tyre, deri në momentin e nënshkrimit të prokurës së posaçme me anë të së cilës u kanë dhënë të drejta të plota mbi depozitën bankare. Sipas Hilës, kjo marrëdhënie mes tyre dhe bashkëshortëve Q., nuk duhet të passjellë detyrimin që ata të provojnë burimin e ligjshëm të të ardhurave për shtëpinë e tyre të banimit, si dhe ato të përdorura për pagesën e këstit të parë të apartamentit të subjektit.
Kolegji konstaton se në prokurorën e posaçme që subjekti dhe bashkëshorti kanë emëruar si përfaqësuese të posaçme znj.S.Q., duke i dhënë të drejtën për të tërhequr gjithë shumën prej 67 mijë dollarësh, nuk ka asnjë shpjegim për arsyen e dhënies së tagrave të përfaqësimit.
“Në asnjë rresht të kësaj prokure, subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur nuk kanë tentuar të shpjegojnë marrëdhënien e interesit të krijuar mes tyre dhe z. F., Q., lidhur me pagesën e këstit të parë në shumën 25.000 euro dhe kthimin e kësaj shume nëpërmjet tërheqjes nga znj. Q., të depozitës bankare, marrëdhënie, e cila, sipas pretendimeve të subjektit të rivlerësimit, përbënte motivin e hartimit të prokurës së posaçme”, citohet në vendim.
Për rrjedhojë, shumica e trupit gjykues i KPA vlerëson se shuma prej 67 mijë dollarësh e tërhequr nga znj. S., Q., mund të jetë përdorur për çdo qëllim tjetër prej saj e bashkëshortit, por jo për zëvendësimin e shumës së pretenduar se i është dhënë subjektit për pagesën e këstit të parë.
Po ashtu, nga analiza e kryer ka rezultuar pamundësi e bashkëshortëve Q. që të jepinin vlerën 25 mijë euro në momentin e pagesës së këstit të parë për apartamentin e subjektit.
Megjithëse pamundësia e gjyqtares Hila dhe bashkëshortit të saj për shlyerjen e këstit të parë shumën 25 mijë euro, është reduktuar nga 4.2 milion lekë e konstatuar në Komision, në 3.2 milionë lekë, sërish është konkluduar se ajo gjendet në kushtet e pamundësisë financiare për kryerjen e këtij transaksioni.
Lidhur me pagesën e këstit të dytë në shumën 20 mijë euro, subjekti ka pretenduar në ankim se Komisioni ka nxituar të dalë në konkluzione pa analizuar me objektivitet, në mënyrë të plotë e gjithëpërfshirëse çdo deklarim të saj ndër vite.
Për pagesën e këtij kësti më 11 shkurt të vitit 2011, KPK ka arritur në konkluzionin se Hila ka kryer deklarimin të pasaktë në lidhje me burimin, depozitën bankare, duke arsyetuar se subjekti nuk arriti të provojë se pagesa është kryer me të ardhurat e kësaj depozite të tërhequr një vit më parë. Gjithashtu, është konstatuar balancë negative në shumën 2.7 milionë lekë për pagesën e këtij kësti.
Kolegji vlerëson se mungesa e dokumentacionit ligjor apo financiar të kohës, lidhur me kthimin e shumës prej 20 mijë eurosh nga bashkëshortët Q., si dhe mungesa e gjurmëve në deklarimet periodike të marrëdhënies së interesit mes subjektit e bashkëshortit me bashkëshortët Q., bën që pretendimet se kësti i dytë është paguar nga pjesa e mbetur e depozitës bankare, të mbeten deklarative e të paprovuara me dokumentacion.
Në përfundim të shqyrtimit të këtij shkaku ankimi, KPA vlerëson se Hila dështoi të provonte se si burim për financimin e pagesës së këstit të dytë për blerjen e apartamentit ka shërbyer depozita bankare. Për rrjedhojë është gjetur e drejtë analiza financiare e kryer nga Komisioni dhe bilanci negativ i konstatuar.
KPK e ka gjetur subjektin në pamundësi edhe për blerjen e një automjeti vitin 2010 për çmimin rreth 1.2 milionë lekë. Edhe nga korrektimi në Kolegj i analizës financiare të kryer nga KPK, sërish ka rezultuar pamundësi financiare në shumën e 733 mijë lekëve.
Në KPA është reduktuar edhe bilanci negativ i konstatuar nga Komisioni për analizën financiare të përgjithshme për periudhën 2003 -2016, nga 5.9 milionë lekë ai i rezultuar në shkallën e parë të vetingut, në 4.4 milionë lekë. Megjithatë, kjo pamundësi financiare prej 4.4 milionë lekësh, sipas Kolegjit e bënë të pamundur zbatimin e parimit të proporcionalitetit dhe është arritur në përfundimin e Hila ka kryer deklarim të pamjaftueshmërinë kriterin e pasurisë. Për rrjedhojë, shumica ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për shkarkimin nga detyra të Hilës.
Mendimi i pakicës
Gjyqtarja Ina Rama ka dalë kundër anëtarëve të tjerë të trupit gjykues për disa prej konkluzioneve të arritura, duke dalë me përfundimin se Hila ka arritur një nivel të besueshëm lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë. Rama ka votuar për prishjen e vendimit të shkarkimit të Hilës dhe urdhërimin e Komisionit të vijojë me hetimin për dy kriteret e tjera të rivlerësimit, figurës dhe profesionalizimit.
Rama mban qëndrim të ndryshëm përsai përket analizës dhe konkluzionit të shumicës për pagesën e dy kësteve të para të apartamentit në shumat 25 mijë euro dhe 20 mijë euro. Ajo vlerëson se shpjegimet e subjektit krijojnë besueshmëri për pagesën ë këture shumave.
“…Pakica ka arritur në konkluzionin se subjekti ka sjellë mjaftueshëm informacion që rezulton nga burime dokumentare, për të krijuar bindjen se versioni i saj i fakteve të çon në përfundimin se paratë e kursyera gjatë gjithë jetës kanë shërbyer për të financuar të vetmen pasuri të paluajtshme të subjektit dhe të personit të lidhur, për sa kohë që asnjë investim tjetër nuk rezulton të jetë bërë prej familjes së subjektit, as i deklaruar dhe as i dyshuar, në asnjë formë”, shprehet Rama.
Ajo konstaton se Hila ka deklaruar në koherencë të plotë të njëjtat burime për blerjen e apartamentit, si në deklaratat periodike, në atë veting, gjatë hetimit administrative në Komision, por edhe në pretendimet e ngritura në ankim.
Pakica sjell në vëmendje se KPK nuk ka gjetur probleme për kredinë, burimin tjetër të deklaruar për apartamentin. Ndërsa ka konkluduar mungesë për depozitën prej 67 mijë USD, por që u rrëzua nga Kolegji që çmoi se Hila dhe bashkëshorti kanë pasur burime për krijimin e këtyre likujditeteve.
Sipas pakicës, nga analiza e fakteve të rezultuara nga hetimi, këto të ardhura të ligjshme janë përdorur prej subjektit për financimin e apartamentit, si për këstin e parë në dhjetor të vitit 2010, ashtu dhe për të dytin në shkur të 2011-ës.
Ajo vlerëson se shpjegimet e Hilës janë konfirmuar nga të dhënat e një sërë akteve të hetimit administrativ. Sipas Ramës, prokurora e posaçme që i jepte tagrat znj.S.Q. për të përdorur gjithë depozitën është nënshkruar në të njëjtën datë kur është bërë pagesa 25 mijë euro. Po ashtu, pakica konstaton se në prokurorë, përveç lejimit të tërheqjes së shumës së depozitës, konstatohet edhe autorizimi për kryerjen e veprimeve për përftimin e kredisë që do të përdorej po për financimin e apartamentit të subjektit.
Këto të dhëna sipas Ramës, tregojnë për një marrëdhënie miqësore dhe të besueshme mes familjes së saj dhe familjes Q.. Faktet se ditën që është kryer pagesa e këstit të parë dhe është nënshkruar prokura e posaçme, ka qenë ditë e premte dhe subjekti e bashkëshorti gjendeshin në Tiranë, si dhe se do të udhëtonin për jashtë shtetit të dielën, rrethana që tregojnë pamundësinë e tyre për tërheqjen e depozitës, konsiderohen prej Ramës se jo vetëm justifikojnë përpilimin e prokurës, por edhe i japin kuptim perceptimit se pagimi i këstit të parë është kryer nëpërmjet depozitës dhe jo burimeve të personave të tjerë.
“Tërheqja e shumës efektivisht, në datën 21.12.2010, pas katër ditësh nga përdorimi i saj, ka qenë një zgjedhje e znj. Q., por për sa i përket vullnetit të subjektit, edhe si huamarrëse, ajo shumë është kthyer që në datën 17.12.2010, kur është përpiluar prokura e posaçme me autorizimin për tërheqjen e të gjithë depozitës dhe përdorimin e saj”, arsyeton Rama dhe vlerëson se edhe në kuptim të dispozitave civile, do të ishte e vështirë që kjo marrëdhënie të trajtohej si një kontratë huaje, e cila do të duhej të deklarohej në kuadër të deklarimit të pasurisë.
Ndërkohë, lidhur me disponiblitetin e shumës ditën e pagesës së këstit, Rama vlerëson se duket e besueshme që kjo ndihmë fare e përkohshme të jepet nga individë, për të cilët zotërimi i parave është objekti i veprimtarisë së tyre tregtare, pasi tregtojnë vlera monetare.
Mungesa e deklarimit të këtij veprimi në deklaratën periodike, por edhe në atë veting, justifikohet nga Rama me marrëdhënien miqësore mes dy çifteve dhe nga autorizimi për zotërimin e të gjithë depozitës, përfshi edhe shumën e parapaguar, të dhënë brenda së njëjtës datë.
Bazuar në këto arsyetime, gjyqtarja Rama i ka gjetur bindëse shpjegimet e subjektit për pagesën e këstit të parë.
Po ashtu, Rama del kundër edhe analizës së kryer nga shumica për pagesën e këstit të dytë në shumën 20 mijë euro. Sipas saj, mungesa e ndonjë dokumentacioni për kthimin e kësaj shume subjektit, nga znj. S. Q., e cila e kishte tërhequr prej bankës rreth dy muaj më parë, nuk e bën të pabesueshëm deklarimin e subjektit. Ajo argumenton se marrëdhënia e afërt nuk i detyronte palët të hartonin ndonjë dokument, si dhe se prokura nuk zhvishte ligjërisht subjektin dhe bashkëshortin nga posedimi i parave.
Sipas pakicës, diferenca e mbetur prej 20 mijë euro ishte një shumë në pronësi të subjektit dhe që nuk i kishte kaluar përfaqësueses në asnjë mënyrë. Rama vlerëson se Hila ka dhënë mjaftueshëm informacion, në koherencë të plotë dhe të mbështetur në dokumentacion, i cili krijon bindjen për vërtetësinë e deklarimeve të saj.
Duke ndjekur këtë logjikë, ajo arrin në konkluzionin se Hila ka pasur burime të ligjshme për të paguar këstin e dytë të apartamentit, në shumën prej 20 mijë eurosh.
Sipas Ramës, qëndrimi i shumicës për mosnjohjen e depozitës si burim për apartamentin, vetëm për shkak të interpretimit të deklarimeve të subjektit sipas versionit të lexuar prej tyre, ndërsa kanë lënë pa një përgjigje logjike pyetjen se për çfarë destinacioni u përdorën kursimet e jetës së familjes Hila, konfirmon drejtësinë e konkluzioneve të pakicës.
Në vijim, Rama ka kryer dhe analizën financiare sipas versionit të saj, duke konkluduar në një bilanc negative në total në vlerën prej 1.5 milionë lekësh, të shpërndarë në katër vite, që në zbatim të parimit të proporcionalitetit dhe objektivitetit, konsiderohet prej saj jopenalizuese.
Lini një Përgjigje