Fatmir Xhafaj ‘skanon’ KLGJ-në: S’na duhen vetëm statistikat, kemi nevojë për transparencë dhe llogaridhënie

15 Qershor 2022, 14:14Kronika TEMA

Fatmir Xhafaj ‘skanon’ KLGJ-në: S’na duhen vetëm

Ish kreu i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj, ka bërë radiografinë e punës së Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Deputeti i Partisë Socialiste nuk i ka kursyer rezervat në Komisionin e Ligjeve teksa përballë kishte kryetaren e KLGJ-së Naureda Llagami.

Në analizën e tij, Xhafaj përgëzoi KLGJ-në për raportin pasi sipas tij paraqet një tablo mjaft të detajuar, por përcolli një sërë pyetjesh dhe rekomandimesh të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në shërbimet që marrin qytetarët.

Ai tha se raporti është i paplotë pasi duhet të ketë transparencë dhe llogaridhënie më të lartë përballë publikut.

“Jam i habitur që sot ky raport i ngritur me urdhërin tuaj është paraqitur në Këshill për 15 minuta dhe nuk ka pasur asnjë koment nga anëtarët.

Kjo ka të bëjë me përgjegjësinë e çdo anëtari të Këshillit.

Gjithsesi në këndvështrimin tim raporti jep një tablo të plotë dhe është një standard shumë i mirë i krijuar nga KLGJ-ja e për këtë gjë duhet përgëzuar. Problemi është se prezantimi i të dhënave është një bazë e mire, por ama kjo nuk është e mjaftueshme. Duhet të dimë cilësinë, llogaridhënien, transparencën e drejtësisë, pasi këto i duhen qytetarit.

Çështja është: Cilat janë problemet, zgjidhjet dhe angazhimet që merr sistemi i drejtësisë? Këto janë gjëra që do doja të shihja në raportimet e ardhshme. KLGJ-ja ka tre vite që raporton dhe tani ka pritshmëri më të larta e më shumë përgjegjësi e llogaridhënie përballë qytetarëve. Vërtet në vitin 2021 ka një përparim pozitiv, por ama Këshilli është larg pritshmërive publike si organi kyç i gjyqësorit.

Llogaridhënia dhe transparenca dy shtyllat baze të një sistemi të drejtësisë, kisha më shumë pritshmëri nga ju lidhur me to. Këshilli nuk duhet konceptuar si një organ burogratik”, tha Xhafaj.

Ish ministri i Brendshëm u ndal edhe tek komunikimi me publikun i këtij institucioni ku vuri në dukje mungesën e reagimeve publike në faqen zyrtare lidhur me çështje sensitive që kanë pasur si objektiv trupën gjyqësore.

 

Lini një Përgjigje