Gara për kreun e SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendos datën kur do pyeten kandidatët

25 Nëntor 2025, 16:54Kronika TEMA
Gara për kreun e SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendos

Më 11 dhjetor në KLP do të zhvillohen intervistat e 4 prokurorëve që synojnë të marrin drejtimin e SPAK, pasi më 18 dhjetor kreu i SPAK Altin Dumani, do të duhet të lerë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, pas një mandati 3-vjeçar.

Prokurorët Adnand Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj pasi të dëgjohen dhe të pyeten, do të votohen.

Ky proces që finalizohet me votimin do të ndodhë nën vështrimin e ndërkombëtarëve, për të cilën SPAK do të vijojë të jetë prioritet edhe mbas përfundimit të mandatit në 18 dhjetor të kryeprokurorit Altin Dumani që mbas kësaj dite do të vijojë të mbajë stafetën e prokurorit të posaçëm.

Kush janë 4 kandidatët?

Adnan Xholi është një nga kandidatët me përvojë të gjatë, i emëruar për herë të parë në vitin 2004. Aktualisht, ai shërben si prokuror në SPAK dhe mban edhe detyrën e shefit të Seksionit të Krimit të Organizuar, një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të strukturuar.

Klodian Braho, i emëruar prokuror në vitin  2007, është po ashtu prokuror pranë SPAK që në krijimin e tij. Aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme.

Një nga prokurorët me përvojë në këtë garë është edhe Elvin Gokaj, i cili ka nisur karrierën e tij në dhjetor të vitit 2000. Ai ka qenë pjesë e SPAK prej kohësh dhe ka kontribuar në hetime të shumta me ndikim të lartë. 

Doloreza Musabelliu, e emëruar në tetor të vitit 2004, është prokurore në SPAK dhe ka një rol të rëndësishëm në strukturën e Prokurorisë së Posaçme. Ajo është një nga prokuroret që ka qenë pjesë e grupit të kanë hetuar dosjen e “Plumbi i Artë” ku tre bashkëpunëtor të drejtësisë kanë zbuluar me dhjetëra krime  ndër vite në Shqipëri, të cilët deri tani janë konsideruar si ngjarje pa autor.

Lini një Përgjigje