
Në Gjykatën e Lartë numri i çështjeve të mbetura stog është ulur dhe vijon të ulet në mënyrë të ndjeshme. Kjo për shkak se shumë institucione po tërheqin rekurset ndaj qytetarëve, ku institucioni që ka tërhequr më shumë është ai i sigurimeve shoqërore.
Ndërkohë që sot ka qenë policia e Shtetit e cila ka paraqitur 500 kërkesa për tërheqje rekurse.
Ka qenë zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi i cili në bilancin e punës së vitit që po lëmë pas bëri me dije shifrat.
“Janë rreth 1,893 rekurse të tërhequra nga institucionet publike, ndërkohë që deri tani janë dhënë rreth 993 vendime për heqje dorë nga rekursi (621 vendime nga Kolegji Administrativ dhe 372 vendime nga Kolegji Civil). Kjo prirje nevojitet të shoqërohet edhe me mosparaqitjen e rekurseve të reja që dukshëm janë të pabazuara. Vetëm kështu mund të parandalohet krijimi i një stoku të ri.
Padyshim që është bërë shumë, por për qytetarët të cilët presin drejtësinë në kohë sa më të shpejtë nuk është mjaftueshme. Kolegjet e Gjykatës së Lartë janë përpjekur maksimalisht të trajtojnë çështjet, jo thjesht si raste individuale, por edhe si një mekanizëm për të standardizuar praktikën për raste të ngjashme.
Kjo strategji e qartë ka ndikuar në shqyrtimin më të shpejtë të dosjeve me të njëjtën natyrë, parametër ky, që synohet të rritet në vitin 2023.
Duhet të jetë e qartë për cilindo se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti. Këtë e parashikon kuadri kushtetues e ligjor dhe jemi munduar ta theksojmë në çdo vendim që merret nga trupa e gjyqtarëve.
Ne e kuptojmë mjaft mirë se qytetarët dhe opinioni publik presin përgjigje të shpejtë dhe të drejtë nga gjykata. Për këtë jemi të angazhuar maksimalisht dhe jemi të bindur se vit pas viti, do të arrijmë t’u japim përgjigje shteruese të gjithë rekurseve të depozituara pranë Gjykatës së Lartë”, tha Sadushi.
Kur flet ky se po bejne per drejtesine, e keni gabim gazetar e qytetar, keto jane matrapazet e drejtesise. Nuk e di pse nuk kane kaluar vetingun si ky tipi etj. ne krye te drejtesise. Keto kane pasuri pafund dhe bejne pazare me gjyqtare e avokate se kush pale paguan me shume I japin vendim gjyqi ne favor te pales. Mashtruesa dilni ne TV sikur beni dicka, perkundrazi jeni zinxhir ne pazare te pista.