Gjykata Kushtetuese deklaron mbarimin e mandatit të Sonila Bejtjas, njoftohen Presidenti dhe Kuvendi

24 Tetor 2025, 17:03Kronika TEMA
Gjykata Kushtetuese deklaron mbarimin e mandatit të Sonila Bejtjas,

Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e paraqitur nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja. Vendimi është marrë në mbledhjen e datës 24 tetor 2025.

Në dispozitivin e vendimit, Gjykata ka deklaruar se mandati i gjyqtares Sonila Bejtja ka përfunduar më 25 prill 2025. Po ashtu, institucioni ka urdhëruar njoftimin e Presidentit të Republikës si organi i emërtesës, si dhe njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Ky vendim hap rrugën për plotësimin e një vendi vakant në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, për të cilin procedurat pritet të ndiqen nga Presidenti i Republikës, i cili do të hapë garën për zëvendësimin e Bejtjas.

Një javë më parë, më 16 tetor Kushtetuesja i dha të drejtë Begajt që mandati i gjyqtares Sonila Bejtja kishte mbaruar dhe tani njoftohet për vakancën institucioni i presidencës dhe Kuvendi.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Holta Zaçaj, Kryetare, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Sandër Beci, Ilir Toska, Genti Ibrahimi, Marjana Semini, anëtarë, me sekretare Belma Lleshi, në datën 24.10.2025 mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh çështjen nr. 1/1 (P) 2025 të Regjistrit Themeltar, që i përket:

KËRKUES: OBJEKTI:      PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Deklarimi i mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

BAZA LIGJORE: Nenet 127 dhe 179, pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; neni 86, pika 4, i ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000); vendimi nr. 60, datë 16.10.2025 i Gjykatës Kushtetuese (vendimi nr. 60/2025).

GJYKATA KUSHTETUESE, pasi dëgjoi relatoren e çështjes Holta Zaçaj, mori në shqyrtim kërkesën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë (Presidenti) për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues emërtesë e tij, administroi dokumentacionin e nevojshëm, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,

1. Me vendimin nr. 84, datë 23.12.2024 Gjykata Kushtetuese (Gjykata) ka deklaruar mbarimin e mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj në datën 10.03.2025, për shkak të përfundimit të afatit të kohëzgjatjes së tij. Në atë vendim Gjykata u ndal edhe në përmbajtjen e nenit 179, pika 3, të Kushtetutës, që bën fjalë për një situatë kalimtare dhe që ka për qëllim garantimin e përtëritjes së rregullt të përbërjes së saj. Sipas Gjykatës, kushtetutëbërësi në ekuilibrin midis parimit të qëndrueshmërisë në detyrë dhe atij të përtëritjes së saj i ka kushtuar vëmendje të veçantë këtij të fundit dhe nën këtë logjikë momenti i mbarimit të mandatit të gjyqtarit paraardhës duket se ka lidhje me kohëzgjatjen e qëndrimit në detyrë të gjyqtarit që e ka zëvendësuar atë, në veçanti për sa i përket momentit të mbarimit të kësaj kohëzgjatjeje. Për rrjedhojë, ajo arriti në përfundimin se data e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues në rastin konkret ishte data e deklarimit të mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ai ka zëvendësuar në detyrë. Po kështu, Gjykata theksoi se hapja e procedurës për plotësimin e një vendi vakant duhet të fillojë vetëm pasi ajo të ketë deklaruar mbarimin e mandatit të anëtarit të saj dhe vetëm pasi Kryetari i saj të ketë njoftuar organin përkatës të emërtesës. Ndaj, në çdo rast kur një organ i emërtesës vlerëson se Gjykata nuk e ka ushtruar kompetencën e saj brenda afatit ligjor, ai duhet t`i drejtohet asaj, duke i kërkuar me shkrim ushtrimin e një kompetence të tillë (shih vendimin nr. 84, datë 23.12.2024 të Gjykatës Kushtetuese).

2. Në datën 30.01.2025 Presidenti i është drejtuar Gjykatës me kërkesë për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues, duke parashtruar, në thelb, se ai, në cilësinë e njërit prej tre organeve të emërtesës, është penguar në ushtrimin e kompetencës kushtetuese, për sa kohë që Gjykata nuk ka deklaruar mbarimin e mandatit të gjyqtarit kushtetues që është emërtesë e tij. 

3. Gjykata, në përfundim të gjykimit, me vendimin nr. 60, datë 16.10.2025, vendosi të shqyrtojë veçmas kërkimin e Presidentit për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues, duke disponuar edhe se një kompetencë e tillë i përket Gjykatës dhe vetëm pas kësaj organi i emërtesës ushtron kompetencën e tij të emërimit/zgjedhjes të gjyqtarit kushtetues.

4. Për sa i përket themelit të asaj çështjeje, Gjykata u ndal në interpretimin e nenit 179, pika 3, të Kushtetutës, për shkak se vlerësoi se paqartësia e krijuar lidhur me kohëzgjatjen e mandateve të gjyqtarëve kushtetues ka në dukje karakteristikat e një mosmarrëveshjeje kompetencash midis organeve të përfshira në procedurën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues, ndaj bën të nevojshëm interpretimin përfundimtar të normave kushtetuese lidhur me ndërveprimin e parimeve kushtetuese të përtëritjes së pjesshme të Gjykatës çdo tre vjet me një të tretën e saj dhe të kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues. Në përfundim, Gjykata interpretoi nenin 179, pika 3, të Kushtetutës si vijon: “Qëllimi i dispozitës kushtetuese është garantimi i përtëritjes së rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, parim i përcaktuar në nenin 125, pika 6, të Kushtetutës. Për këtë arsye, neni 179, pika 3, i Kushtetutës ka përcaktuar shkurtimin me më pak se 9 vjet të mandateve të dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, njëri deri në vitin 2025 dhe tjetri deri në vitin 2028. Për sa i përket “kohëzgjatjes së mandatit, sipas ligjit” të gjyqtarëve të tjerë, kjo dispozitë kushtetuese i referohet nenit 86, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, i cili ka përcaktuar skemën kohore të përtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, duke parashikuar përtëritjen e parë me një të tretën në vitin 2025, përtëritjen e dytë me një të tretën në vitin 2028 dhe përtëritjen e tretë me një të tretën në vitin 2031. Fillimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese përgjatë këtij regjimi tranzitor përkon me datën e deklaruar nga Gjykata Kushtetuese të mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ai zëvendëson.”. 

5. Bazuar në sa më sipër, Gjykata u mblodh për shqyrtimin e kërkimit të Presidentit për deklarimin e mbarimit të mandatit të anëtares së saj, zonjës Sonila Bejtja. 

Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese

6. Gjykata vëren se zonja Sonila Bejtja ka aplikuar si kandidate në procedurën e shpallur nga Presidenti për plotësimin e vendit vakant në Gjykatë, vakancë e parakohshme, të shpallur nga ai organ emërtese në datën 22.11.2019. Në përfundim të kësaj procedure, me dekretin nr. 11886, datë 28.12.2020, Presidenti ka dekretuar: “Zonja Sonila Bejtja emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese”. Në datën 29.12.2020 zonja Sonila Bejtja ka bërë betimin përpara Presidentit dhe ka filluar detyrën.

7. Kjo vakancë e parakohshme është krijuar për shkak se zoti Besnik Muçi, i cili është emëruar gjyqtar i Gjykatës me dekretin nr. 11313, datë 15.10.2019 të Presidentit, është shkarkuar nga detyra me vendimin nr. 32, datë 21.11.2019 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. 

8. Nga ana tjetër, zoti Besnik Muçi ka aplikuar si kandidat në procedurën e shpallur nga Presidenti për plotësimin e vendit vakant në Gjykatë, vakancë e plotë, e shpallur në datën 07.02.2018, për shkak të mbarimit të mandatit 9-vjeçar të gjyqtarit Sokol Berberi. Për sa i përket këtij të fundit, ai është emëruar gjyqtar i Gjykatës me dekretin e Presidentit nr. 5250, datë 04.04.2007, për të cilin, sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore të zbatueshme në atë kohë, është dhënë pëlqimi me vendimin nr. 86, datë 16.04.2007 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendi). 

9. Gjykata vëren, fillimisht, bazuar në qëndrimin e saj në vendimin nr. 60, datë 16.10.2025, se mandati kushtetues i gjyqtares Sonila Bejtja përfshihet në “mandatet e tjera” që i përkasin regjimit tranzitor të mandateve të gjyqtarëve kushtetues të emëruar/zgjedhur pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, kohëzgjatja e të cilave, sipas përmbajtjes së pikës 3 të nenit 179 të Kushtetutës, rregullohet sipas skemës kohore të përtëritjes sipas nenit 86, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000 dhe i përket përtëritjes së parë me një të tretën, e cila kryhet në vitin 2025. Për rrjedhojë, ky mandat mbaron në vitin 2025.

10. Për sa i takon përcaktimit të momentit kohor të mbarimit të këtij mandati kushtetues (dita dhe muaji), Gjykata vëren se edhe pse zoti Besnik Muçi, në mandatin kushtetues të të cilit ka hyrë si zëvendësuese gjyqtarja Sonila Bejtja, ka kandiduar dhe është emëruar për një mandat të plotë dhe ka filluar detyrën në datën 18.10.2019 (data e betimit përpara Presidentit), në rastin konkret nuk gjejnë zbatim përcaktimet e nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000 për fillimin dhe mbarimin e këtij mandati kushtetues, për sa kohë që ai, siç u përmend më sipër, i përket regjimit tranzitor për të cilin kushtetutëbërësi në pikën 3 të nenit 179 të Kushtetutës, me qëllim garantimin e përtëritjes së rregullt të përbërjes së Gjykatës, ka parashikuar një rregullim të ndryshëm nga rregulli i përgjithshëm i kohëqëndrimit në detyrë dhe mbarimit të mandatit. Referuar vendimit nr. 60, datë 16.10.2025 të Gjykatës fillimi i mandatit kushtetues që ushtron gjyqtarja Sonila Bejtja përkon me datën e deklaruar nga Gjykata të mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ajo ka zëvendësuar, pra të gjyqtarit Sokol Berberi.

11. Lidhur me datën e fillimit dhe mbarimit të mandatit të gjyqtarit të zëvendësuar Sokol Berberi, sipas akteve shkresore rezulton se ai është emëruar me dekretin e Presidentit nr. 5250, datë 04.04.2007, për të cilin është dhënë pëlqimi me vendimin nr. 86, datë 16.04.2007 të Kuvendit. Gjykata vëren se në rastin konkret nuk ka një vendim të sajin për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit Sokol Berberi, ndërkohë që me shkresat nr. 101 prot. dhe nr. 101/1 prot., datë 25.03.2016, Gjykata i ka dërguar Presidentit dhe Kuvendit informacion për fillimin dhe mbarimin e mandatit të atij gjyqtari, nga të cilat rezulton se ai ka filluar detyrën në datën 25.04.2007, kur ka bërë betimin përpara Presidentit, për rrjedhojë data 25.04.2016 konsiderohet edhe si data e mbarimit të mandatit të tij si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.    

12. Për sa më sipër, në situatën që mandati i gjyqtarit Sokol Berberi ka mbaruar në datën 25.04.2016 në po atë datë ka filluar edhe mandati kushtetues që ushtron gjyqtarja Sonila Bejtja, i cili, nga ana tjetër, konsiderohet se ka mbaruar në datën e njëjtë të atij muaji të vitit të nëntë, pra në datën 25.04.2025. PËR KËTO ARSYE, Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 127, pika 2 dhe 179, pika 3, të Kushtetutës, si dhe neneve 8, pika 3, 9, pikat 2 e 3 dhe 86, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash, V E N D O S I: – – – Deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Sonila Bejtja, në datën 25.04.2025.   Njoftimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë si organi i emërtesës. Njoftimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë.   Marrë më 24.10.2025 Shpallur më 24.10.2025   

1. Në gjykimin kushtetues të çështjes që i përket kërkesës së Presidentit me objekt  “Deklarimi i mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”, ne kemi qëndrim të kundërt me shumicës, pasi ky kërkim, i veçuar për shqyrtim nga kërkimi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave dhe interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, është i pabazuar dhe, si i tillë, duhej rrëzuar. 

2. Në vlerësimin tonë ky vendim ishte i pritshëm dhe i paracaktuar që prej mënyrës në të cilën po kjo shumicë në vendimin nr. 60, datë 16.10.2025 ka interpretuar dispozitat kushtetuese lidhur me mënyrën e zbatimit të dispozitës kalimtare, nenit 179, pika 3, të Kushtetutës, ku qartazi i ka dhënë epërsi parimit të përtëritjes së pjesshme të Gjykatës ndaj një parimi tjetër po kushtetues, atij të kohëzgjatjes së mandatit, por duke mos marrë në konsideratë as parimet e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike për sa kohë që gjyqtarët kushtetues në detyrë, pra edhe gjyqtarja Sonila Bejtja, ka kandiduar, ka pranuar dhe është emëruar si zëvendësuese në një mandat të plotë 9-vjeçar, gjë që as në atë moment dhe as gjatë ushtrimit të këtij mandati nuk është vënë asnjëherë në diskutim as nga organet e emërtesës, as nga ndonjë organ tjetër. 

3. Pavarësisht qëllimit që ka pasur kushtetutëbërësi në miratimin e dispozitës kalimtare, nenit 179, pika 3, të Kushtetutës dhe në vijim ligjvënësi në miratimin e nenit 86, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, skema e përtëritjes përgjatë regjimit tranzitor nuk mund të ndërhyjë në një mandat të plotë të gjyqtarit kushtetues, duke e prekur ose shkurtuar atë. Mandati në këtë rast nuk përkthehet thjesht si koha gjatë të cilës ushtrohet një detyrë e caktuar, pra si një detaj procedural, por ai lidhet drejtpërdrejt me garancitë dhe parimet kushtetuese, përfshirë ato të pavarësisë së Gjykatës dhe  patundshmërisë në detyrë të gjyqtarit kushtetues. Siç ka theksuar Gjykata, me qëllim që të përcaktohet nëse një organ është “i pavarur”, ndër të tjera, duhet konsideruar mënyra e emërimit të anëtarëve të tij, si dhe kohëzgjatja e funksionit të tyre (shih vendimin nr. 20, datë 09.07.2009 të Gjykatës Kushtetuese). Garancia e kohëzgjatjes dhe paprekshmërisë së mandatit e mbron gjyqtarin nga ndikimet e forcave politike që mund të vijnë në pushtet. Vetëm një gjykatë e pavarur, së cilës i garantohet paprekshmëria e mandatit të anëtarëve të saj, mund të konsiderohet si një gjykatë që administron drejtësinë kushtetuese, në përputhje me parimet kushtetuese (shih vendimin nr. 24, datë 09.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese). Këto garanci janë të tilla që duhet ta mbrojnë gjyqtarin jo vetëm nga faktorët e jashtëm, por edhe nga vetë kjo Gjykatë, që në çdo rast duhet të ndalojë çdo ndërhyrje ose presion të jashtëm ndaj gjyqtarëve të saj dhe, në ndryshim nga sa është vepruar konkretisht prej saj, duhet të garantojë paprekshmërinë e mandatit/qëndrimit në detyrë të gjyqtarit kushtetues përgjatë gjithë kohëzgjatjes së tij. 

4. Parimi i pavarësisë nënkupton, gjithashtu, se gjyqtari, në momentin e emërimit, duhet të dijë kohëzgjatjen e këtij mandati, bazuar në rregullimet ligjore përkatëse dhe kjo kohëzgjatje nuk mund të lihet në diskrecion të organeve që e kanë emëruar/zgjedhur atë (shih vendimet nr. 55, datë 27.07.2016; nr. 24, datë 09.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese). Mbi këtë qasje Gjykata, në vendimin nr. 84, datë 23.12.2024 për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj, duke iu referuar akteve të njoftimit të vakancës nga organi i emërtesës – Gjykata e Lartë, njoftimit për rihapjen e procedurës së aplikimit, kërkesës për aplikim dhe konfirmimit të kandidaturës pas rishpalljes së kësaj vakance, ka vlerësuar se ajo gjyqtare ka shprehur vullnetin e saj për të kandiduar për pjesën e mbetur të mandatit që përfundon në muajin mars të vitit 2025. Në vlerësimin tonë nuk ka asnjë vlerë se çfarë vendi ka zënë ky argument në vendimmarrjen e Gjykatës, për sa kohë që ai ka përbërë bazën e arsyetimit dhe është i lidhur me mënyrën sesi është zbërthyer parimi i pavarësisë së gjyqtarit në jurisprudencën kushtetuese. Thënë kjo, në rastin konkret, shumica nuk është ndalur aspak në analizën e situatës konkrete, që është katërcipërisht e ndryshme, për sa kohë që, referuar akteve të njoftimit të vakancës së plotë nga organi i emërtesës – Presidenti,  njoftimit të vakancës së pjesshme për plotësimin e vendit vakant të krijuar për shkak të mbarimit përpara kohe të mandatit të gjyqtarit Besnik Muçi, kërkesës për aplikim të këtij të fundit dhe të vetë kandidates Sonila Bejtja, sikundër të gjitha akteve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe vetë dekreteve të Presidentit për emërimin e tyre në detyrë, ajo gjyqtare ka pranuar dhe ka shprehur vullnetin për të hyrë në një mandat të plotë 9-vjeçar dhe në përfundim të procedurës është emëruar për një mandat të plotë 9-vjeçar. Në këtë kuptim, këto elemente e bëjnë qëndrimin e shumicës kontradiktor me qëndrimin e mëparshëm të saj.   

5. Në vlerësimin tonë, në situatën aktuale, në të cilën qartazi skema e përtëritjes së pjesshme të Gjykatës ka dështuar të funksionojë për shkak të mënyrës dhe kohës së zbatimit të ndryshimeve kushtetuese, mënyra për të siguruar zbatimin e saj nuk është përmes ndërhyrjes së kësaj Gjykate, pra përmes shkurtimit dhe ndërprerjes së mandateve të disa gjyqtarëve të saj që janë në detyrë në regjimin, sipas saj, tranzitor. Gjykata nuk mund të ndërhynte për të zhbërë mosfunksionimin e skemës duke sjellë pasoja negative në drejtim të parimeve kushtetuese që duhet të mbroheshin prej saj, që është ai i shtetit të së drejtës dhe lidhur me të parimi i pavarësisë së gjyqtarit kushtetues, i sigurisë juridike, sikundër ai i barazisë në të drejta.  6. Edhe nëse do të pranonim se kjo çështje nuk do të kërkonte ndërhyrjen e kushtetutëbërësit, por të Gjykatës për interpretimin përfundimtar të normës kushtetuese, e vetmja mënyrë për të garantuar respektimin e parimeve kushtetuese do të ishte përmes zbatimit të skemës në mandatet vijuese, duke përcaktuar detyrimin e secilit organ emërtese, sipas kuotave të tij, që të shpallte në vijim mandate të pjesshme për kohën e nevojshme që do të garantonte në vijim përtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet me një të tretën, çka do të garantonte edhe që çdo gjyqtar pasues të kandidonte dhe të pranonte të ushtronte detyrën për kohëzgjatjen e shpallur të mandatit dhe në asnjë rast duke prekur një mandat të dhënë si të plotë.   

7. Në nenin 127 të Kushtetutës janë përcaktuar të vetmet shkaqe të lejueshme kushtetutshmërisht për mbarimin e mandatit të gjyqtarit kushtetues, mes të cilave, shkronja “b” parashikon si të tillë përfundimin e mandatit 9-vjeçar. Për rrjedhojë, ne nuk jemi dakord as me konceptin e “mandatit kushtetues” të futur nga kjo shumicë, përmes të cilit synohet të krijohen koncepte të reja kushtetuese, që bien ndesh edhe me vetë normat kushtetuese dhe praktikën e kësaj Gjykate gjatë zbatimit të tyre. Kushtetuta e rregullon mandatin e gjyqtarit kushtetues në nenet 125 e vijues të saj dhe flet vetëm për një lloj mandati “mandati i gjyqtarit kushtetues”, i cili në rastet kur është i plotë, siç është rasti i gjyqtarit Besnik Muçi, të cilin ka zëvendësuar gjyqtarja Sonila Bejtja, nënkupton qëndrimin në detyrë për 9 vjet, sipas nenit 125, pika 3, të Kushtetutës. Kjo  kohëzgjatje në rastin konkret ka filluar nga dita e betimit të atij gjyqtari, sipas nenit 129 të Kushtetutës dhe do të përfundonte në ditën e njëjtë të atij muaji të vitit të nëntë. Për rrjedhojë, qëndrimi i shumicës dhe interpretimi se mandati fillon në ditën e deklarimit të mandatit kushtetues, e lidhur me datën e mbarimit të mandatit të gjyqtarit që zëvendësohet, ka zhbërë nenin 125, pika 3 dhe nenin 129 të Kushtetutës, duke asgjësuar betimin përpara Presidentit dhe dekretin si akt, si parakusht për fillimin e detyrës, e vetmja ngjarje me pasoja kushtetuese në fillimin dhe mbarimin e mandatit/qëndrimit në detyrë për 9 vjet të gjyqtarit kushtetues. 

8. Në vlerësimin tonë, për sa kohë që vetë dispozita tranzitore, neni 179, pika 3, i Kushtetutës nuk ka një parashikim të shprehur për përjashtimin e zbatimit të rregullave të përgjithshme për fillimin dhe mbarimin e mandatit/qëndrimit në detyrë të “gjyqtarëve të tjerë” kushtetues dhe as për kufizimin e mandateve të këtyre gjyqtarëve përgjatë regjimit tranzitor, kjo Gjykatë, në respekt edhe të parimit të vetëpërmbajtjes, nuk mund të bënte përmes interpretimit të saj atë që vetë kushtetutëbërësi nuk ka dashur ta bëjë. Parashikimi “kohëzgjatjes së mandatit, sipas ligjit”, në nenin 179, pika 3, të Kushtetutës nuk mund të nënkuptojë anashkalimin e normave kushtetuese të zbatueshme si më sipër, për sa kohë që përmes normave me natyrë ligjore nuk mund të kufizohen ose interpretohen normat garantuese të nivelit kushtetues.

9. Siç u theksua edhe më sipër, mbrojtja e së drejtës së gjyqtarit për të ushtuar mandatin e tij të plotë përgjatë periudhës 9-vjeçare mbështetet në parimet kushtetuese të pavarësisë së Gjykatës dhe të vetë gjyqtarit, si dhe të patundshmërisë në detyrë, ndërkohë që ndërprerja e mandatit në mënyrë të parakohshme, pa pëlqimin e vetë gjyqtarit, mbështetet në shkaqe të tjera kushtetuese. Procesi i deklarimit të mbarimit të mandatit është deklarativ dhe gjatë tij verifikohet data e betimit të gjyqtarit dhe lidhur me të, data që i përket ditës së njëjtë të të njëjtit muaj të vitit të nëntë kalendarik, dhe vetëm në këtë rast angazhohet trupa e gjyqtarëve me një proces deklarativ të bazuar në verifikimin e vetëm këtyre fakteve. Mënyra e ushtrimit të kësaj kompetence nga Gjykata përbën një garanci tjetër për mbrojtjen e gjyqtarit nga interpretimi dhe ndërhyrja në ushtrimin e mandatit të tij nga vetë kjo Gjykatë ose gjyqtarët e saj përmes interpretimit, i cili nuk mund të ndërpresë një detyrë që ka filluar të ushtrohet sipas rregullave kushtetuese të zbatueshme në kohën e emërimit/zgjedhjes së gjyqtarit, të njohura dhe të pranuara prej vetë atij, organeve të emërtesës dhe atyre të përfshira në proces, ashtu dhe prej vetë kësaj Gjykate. 

10. Nga ana tjetër, edhe Komisioni i Venecias ka vlerësuar se modeli kushtetues i miratuar në vitin 2016 është shumë kompleks dhe, në planin afatgjatë, është rekomanduar thjeshtimi i tij, në radhë të parë duke hequr rregullin e sekuencës. Sipas Komisionit të Venecias, kuotat e tre organeve të emërtesës mund të ruhen duke i caktuar automatikisht rinovimin e një mandati të njëjtit autoritet që ka emëruar gjyqtarin që largohet. Po sipas tij, vitet fikse të fillimit dhe mbarimit të mandateve 9-vjeçare duhet të hiqen dhe gjyqtarët kushtetues duhet të gëzojnë gjithmonë një mandat të plotë 9-vjeçar, edhe nëse janë zgjedhur me vonesë ose marrin një mandat që ka mbaruar përpara afatit (shih paragrafin 107 të opinionit të Komisionit të Venecias nr. 978/2020 CDLAD(2020)010, datë 19.06.2020 “Për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”).

11. Për të gjitha argumentet si më sipër, kërkimi i Presidentit për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja është i pabazuar, ndaj duhej të ishte vendosur rrëzimi i tij.   

Kryetare: Holta Zaçaj Anëtar: Genti Ibrahimi 

Lini një Përgjigje