Kasandër Noga, kadeti që u bë vrasës

3 Mars 2024, 21:30Kronika TEMA

Kasandër Noga, kadeti që u bë vrasës

Dikur aspironte të ishte në anën e ligjit, por rrugës gjithçka ndryshoi dhe doli në anën e kundërt. Kur ishte në prag të diplomimit dhe vetëm pak muaj e ndanin nga përballja në terren me kriminelët, u kthye vetë në një prej tyre. Një konflikt i ashpër fizik që pati me një student nga Lushnja, solli përjashtimin e tij nga Akademia e Rendit. E këtu nisi tatëpjeta.

Ky është Kasandër Noga, nga Patosi i Fierit. Sot është 47 vjeç dhe ndodhet në burg në Belgjikë, i dënuar me 15 vjet heqje lirie.

Për 25 vite emri i tij është lakuar si autor i disa vrasjeve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Që pas vitit 2000, në çdo atentat të realizuar e të dështuar, emri i Kasandër Nogës ka qenë krah dy vëllezërve Geron e Erion Hasanbelli. Një hasmëri e vjetër që nuk i kurseu plumbat as në reanimacionin e një spitali e as në qendrën e Europës, në Bruksel.


Të gjithë e lidhin historinë me atë që njihet si “masakra e sanatoriumit”, por në fakt një vrasje tjetër kishte ndodhur, dy javë para vrasjes së dyfishtë në spital.

Hasmëria mes Kasandër Nogës dhe vëllezërve Hasanbelli shkaktoi 6 të vrarë e disa të plagosur në atentate të dështuara. Noga në Shqipëri akuzohet për 4 ngjarje të rënda, e fundit e ndodhur 2 vite më parë në Tiranë. Ai pagoi 100 mijë euro për të vrarë armikun e tij, por vrasësi me pagesë ngatërroi objektiv dhe qëlloi një të pafajshëm.

Tonin Vocaj

“Nga tërësia e veprime të thelluara hetimore, vlerësimit të fakteve dhe provave të siguruara, deklarimet, provave shkresore, të dhënave në ekzekutim të letër porosisë nga autoritet belge, krijohet dyshimi i arsyeshëm, bazuar në prova, se shtetasi Kasandër Noga në bashkëpunim me shtetasin Kevin Zeneli (Suçi), kanë zhvilluar takime dhe biseda, kanë siguruar dhe kanë dhënë shuma monetare, me qëllim vrasjen e shtetasit G. H., dhe 2 nipave të tij për shkak të një hasmërie të vjetër, që shtetasi Kasander Noga, ka prej disa vitesh me vëllezërit E. H., alias M. R. dhe G. H”.

Megjithatë, para se të niste këtë hasmëri me vëllezërit Hasanbelli, Kasandër Noga ishte akuzuar edhe për dy vrasje të ndodhura në Patos në vitin 1999, pa ndonjë motiv konkret.

28 Shkurt 1999

Vritet në Patos Kastriot Gropa

Në orët e pasdites së datës 28 shkurt të vitit 1999, në qytetin e Patosit ndodh një vrasje, të cilës as sot nuk i është mësuar motivi. Ekzekutohet me armë zjarri, brenda makinës së tij, Kastriot Gropa. Në vendimin nr. 523, të datës 6 qershor 2007, Gjykata e Lartë, shpjegon edhe rrethanat e ngjarjes.

Ditën e ngjarjes, viktima shoqërohej nga miku i tij, i quajtur Edmir. Ata kanë qenë duke bërë xhiro me makinën tip “BMW”, në qytetin e Patosit. Rreth orës 19:00, ata janë ndaluar në afërsi të stacionit të autobusëve dhe kanë qëndruar brenda në makinë. Në sediljen e shoferit ka qenë viktima Kastriot Gropa, ndërsa në sediljen e pasagjerit, ka qenë miku i tij, Edmiri. Në këtë kohë, tek automjeti është ofruar një person me xhup në kokë dhe ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Kastriot Gropës. Dëshmitari nuk ka mundur të njohë personin që qëlloi.

Për shumë kohë ngjarja mbeti pa autor. Derisa një akt ekspertimi e lidhi atë me një tjetër vrasje, të ndodhur vetëm pak më pas, për të cilën ishte dyshuar si autor Kasandër Noga.

Sipas akt-ekspertimit balistik nr.814, të datës date 6 mars 2003, ka rezultuar se gëzhojat e fiksuara në vendin e ngjarjes, të datës 20 mars 1999, ku është vrarë Edison Meminaj, janë qitur nga e njëjta armë që ka qitur gëzhojat e fiksuara në ngjarjen e datës 28 shkurt 1999, ku është vrarë Kastriot Gropa.

Për të dy këto ngjarje është identifikuar dhe shpallur në kërkim Kasandër Noga, i cili është arrestuar e më pas është ekstraduar nga Belgjika në Shqipëri, më 16 maj të vitit 2005. Gjykata e Fierit, me vendimin nr.41, datë 23 mars 2004 e ka dënuar Nogën me 23 vjet burg, duke e akuzuar për vrasjen me paramendim të Kastriot Gropës. Por me bashkim dënimesh, duke e shpallur fajtor edhe për vrasjen tjetër para saj e për armëmbajtje pa leje, e ka dënuar përfundimisht me 25 vjet burg.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.233, të datës 14 shtator 2004, e ka dënuar Nogën me burgim të përjetshëm. Ndërsa Gjykata e Lartë, në vitin 2007, vërente se ky vendim ishte rezultat i zbatimit të gabuar të ligjit penal e procedural e si i tillë duhej prishur, dukë lënë në fuqi vendimin e Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Fier

20 Mars 1999

Vritet Edison Meminaj në Patos

Më 20 mars 1999, pasi ka pirë kafe tek lokal “Pisha”, në qytetin e Patosit, Kasandër Noga së bashku me dy shokët e tij, Arben Golloshi dhe Eduart Yzeiri, kanë dalë xhiro në drejtim të vendit të quajtur “Gjashtëkëndëshi”. Gjatë ecjes, Noga ka parë Edison Meminajn, për të cilin u ka thënë dy shokëve: “Unë këtë njeri e urrej”.

Duke vazhduar xhiron, ata kanë parë përsëri viktimën dhe Kasandër Noga u ka thënë shokëve: “Do të shkoj ta vras…” dhe është nisur menjëherë drejt tij, duke nxjerrë nga brezi një pistoletë që e mbante me vete. Pas pak, dy shokët e tij kanë dëgjuar tri të shtëna arme dhe janë larguar me vrap. Të nesërmen, kur janë takuar, Noga ka kërcënuar dy miqtë e tij, duke u thënë që të mos flisnin për atë që kishte ndodhur dje, në të kundërt do t’i vriste.

Edhe në lidhje me vrasjen e Edison Meminajt, Gjykata e Lartë ka konstatuar se vendimi i Gjykatës së Shkallës së parë Fier, që ka kualifikuar veprën penale si vrasje me dashje, është i drejtë e i bazuar ne ligj. Ashtu siç kanë pranuar të dy shkallët e gjykimit, ka rezultuar e provuar se Kasandër Noga e ka ndjekur viktimën nga pas dhe e ka qëlluar 2 herë me armë zjarri, duke realizuar kështu vrasjen me dashje. Gjatë gjykimit nuk është provuar motivi i vrasjes, pasi edhe pretendimi për motiv të dobët, se viktima ishte i fejuari i vajzës që Kasandër Noga kishte dashur, është hedhur poshtë nga deklarimet e vetë vajzës dhe dajës së saj, të pyetur në cilësinë e dëshmitarëve.

Duke analizuar rrethanat e ngjarjes rezultonte se, Noga ka vendosur në çast që të realizoje vrasjen, pavarësisht se në mes tyre nuk ka pasur asnjë konflikt apo grindje të çastit, ashtu siç nuk u provua asnjë motiv për të realizuar vrasjen me paramendim.

HASMËRIA E KASANDËR NOGËS

ME VËLLEZËRIT HASANBELLI

Kur ende nuk kishte dhënë llogari para ligjit për dy vrasje pa motiv të ndodhura në Patos, një vit më vonë, eliminimi i mikut të Kasandër Nogës krijon hallkën e parë të një zinxhiri ekzekutimesh për hakmarrje. Një zinxhir që nisi në vendlindjen e tij, në Patos, duke u zhvendosur në Belgjikë, ku përplasja sa vinte bëhej më e ashpër. Ishte gushti i vitit 2000 kur mes Kasandër Nogës dhe vëllezërve Mikel e Gentian Hasanbelli, që më pas ndryshuar emrat në Erion dhe Geron, nisi një “luftë” që shkaktoi disa viktima. U hap një kapitull i ri krimesh, me vrasje e atentate të dështuara, që në vitin 2022 i morën jetën edhe një të pafajshmi në Tiranë.

4 Gusht 2000

Vritet në Patos Mariglen Hodaj

Një konflikt që duket se ishte mbartur nga Italia, shkaktoi një të vrarë e një të plagosur më 4 gusht në vitit 2000 në Patos. Nga një shkëmbimme armë zjarri, u vra miku i Kasandër Nogës dhe u plagos njëri nga autorët e dyshuar.

Në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Fierit, dhënë në muajin nëntor të vitit 2009, sqarohet se, në qytetin e Patosit, në një lokal, ka pasur shkëmbim zjarri mes shtetasve Mariglen Hodaj dhe Geron Hasanbelli, si pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi Mariglen Hodaj dhe është plagosur shtetasi Geron Hasanbelli, i cili me pas u shtrua në spitalin e Senatoriumit në Tiranë.

Ngjarja e kishte pikënisjen jashtë kufijve të vendit, pasi Erion Hasanbelli ishte largua në Itali. Atje kishte takuar Mariglen Hodajn, mikun e Nogës, të cilit i ka dhënë një shumë parash që t’ia dërgonte në Fier, babait të tij, Aqif Hasanbelli. Pas disa ditësh ka mësuar se Hodaj nuk i kishte dorëzuaer paratë dhe më 4 gusht mendohet se ka organizuar ngjarjen, ku mbeti i vrarë Marigleni dhe u plagos Geron Hasanbelli. Ishte kjo ngjarje që duke se egërsoi Kasandër Nogën, duke nxituar të organizonte hakmarrjen për mikun e tij.

19 Gusht 2000

Ndodh “Masakra e Sanatoriumit” në Tiranë

Më datë 19 gusht të vitit 2000, rreth orës 16:00, në dhomën Nr.11 të Sanatoriumit, në Tiranë, Kasandër Noga, në bashkëpunim me mikun e tij, Julian Çelaj, vrasin me armë zjarri babanë e vëllezërve Hasanbelli, Aqif Hasanbelli, si dhe shokun e tij Dritan Hajdini. Gjithashtu, ata tentojnë të vrasin, por lënë të plagosur Agron Hasanbelli, Geron Hasanbelli dhe Lavdosh Karaj.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë, thuhet se:

Nga ana e të pandehurit Kasandër Noga, u pranua kryerja e veprës penale të vrasjes me paramendim në bashkëpunim të mbetur në tentativë të shtetasit Gentian (Geron) Hasanbelli. Nga ana e tij, dhe mbrojtësit tij, u pranua të procedohet me gjykim të shkurtuar, sepse çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet e grumbulluara gjatë hetimeve paraprake.

Për ish-bashkëpunëtorin e tij gjatë këtij gjykimi, Julian Çelajn, çështja u pushua në vitin 2006, pas dorëzimit të certifikatës së vdekjes.

Vendimi i Gjykatës

Ata kanë kërkuar vëllezërit Erion e Gentian Hasanbelli dhe vetëm në datën 19.08.2000, kanë mundur të gjejnë Gentianin, pasi kishin studiuar mirë lëvizjet e të afërmve të tyre, të cilët po atë ditë, kanë lëvizur nga Fieri drejt Sanatoriumit.

Gjatë gjykimit në atë kohë, Kasandër Noga tha se kishte dashur të vriste vetëm Gentianin dhe se kur në dhomën 11 të spitalit u shfaqën edhe të tjerët, ata nuk hezituan të qëllojnë ndaj tyre. Mes të pyeturve gjatë gjykimit për masakrën, ishin jo vetëm dëshmitarë që treguan mekanizmin që kishin parë, por edhe mjekë që gjendeshin në detyrë.

E megjithatë, edhe pse në atë kohë u konsiderua si një nga ngjarjet më të rënda, Kasandër Noga sërish i shpëtoi burgimit të përjetshëm, duke u dënuar me 25 vjet heqje lirie.

25 Gusht 2001

Vritet në Belgjikë Astrit Shpërdheja

Më 25 gusht të vitit 2001, një 37-vjeçar nga Patosi, ekzekutohet në Anvers të Belgjikës. Viktima ishte Astrit Shpërdheja. Ai u qëllua për vdekje në mes të ditës, nga një person që udhëtonte me biçikletë. Autoritetet atje arrestuan si autor të dyshuar për ngjarjen, Kasandër Nogën. Ndërsa mediat vendase raportonin se bëhej fjalë për një larje hesapesh midis shqiptarëve. Dëshmitarë të kësaj ngjarjeje ishin dy djem 12-vjeçarë. Kasandër Noga u përball me drejtësinë belge në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Anversës, por në përfundim të procesit ai fitoi edhe atje. Trupa gjyqësore duket se nuk u bind nga provat e paraqitura në gjykim, duke i dhënë pafajësinë Kasandër Nogës.

17 Mars 2002

Vritet Julian Çelaj e plagoset Kasandër Noga në Belgjikë

Më datë 17 mars të vitit 2002, në qytetin Antwerp, në Belgjikë, në një barin “Pre-Historie”, rreth orës 17:15, janë qëlluar me armë zjarri dy shqiptarët nga Patosi, Julian Çelaj dhe Kasandër Noga. Si pasojë, Julian Çelaj ka mbetur i vdekur, ndërsa Kasandër Noga është plagosur rëndë. Nga autoritetet e policisë dhe të drejtësisë së shtetit të Belgjikës janë kryer veprimet hetimore, të cilat me anë të letërporosisë i janë dërguar shtetit shqiptar për të proceduar autorët e dyshuar të kësaj ngjarje. Nga njoftimet e para të marra nga Zyra e Interpolit në Tiranë, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtoria Qendrore e Policisë Kriminale, Prokuroria e Fierit ka regjistruar provedim penal për vrasje në rrethana cilësuese, më 16 maj të vitit 2002. Procedimi është regjistruar në ngarkim të Erion Hasanbelli, në ngarkim të të cilit është caktuar edhe masa e arrestit në mungesë një ditë më vonë.

Prokurori i çështjes, më datë 16 shkurt 2005, ka vendosur pushimin e hetimeve për mungesë provash. Vendimi i pushimit të çështjes është shfuqizuar nga titullari i Prokurorisë së Fierit me vendimin e datë 27 dhjetor 2007 dhe është urdhëruar vazhdimi i hetimit. Autoritetet belge në ekzekutimin e letërporosisë së kërkuar nga Prokuroria e Fierit kanë dërguar informacionin e kërkuar, një dosje prej 80 faqesh, në gjuhë të huaj.

Më datë 30 korrik 2008 është pyetur me cilësinë e personit që tregon rrethana të hetimit, personi që ishte plagosur në atë ngjarje, Kasandër Noga. Kur është pyetur menjëherë pas ngjarjes, më 19 mars 2002, Kasandër Noga ka njohur në fotografi vetëm shtetasin Erion Hasanbelli, duke thënë se me 99% ai është personi që e ka qëlluar. Ndërsa në deklarimin e datës 10 nëntor 2002 Noga ka mohuar të njihte personin që e ka qëlluar dhe atë që e shoqëronte.

Në dosjen e mbërritur në Fier nga Belgjika, është edhe dëshmia e dëshmitares Elena Bekerman, e cila ka qenë kamariere në lokalin ku ndodhi ngjarje. Ajo ka përshkruar me detaje autorët dhe veprimet e tyre. Ndërsa disa ditë më vonë dëshmitares i është bërë një paraqitje për njohje me 6 fotografi të personave të ndryshëm.

Elena Bekerman

“Unë mund të them 100% e sigurt se numri 4 është ai që qëlloi. Ishte ai që bëri pagesën. Dy kriminelëve u shërbeu pronari i kafes por personi i fotos 4 erdhi tek unë dhe më bëri pagesën. Dhe unë mendoj se personi i fotos 4 i ngjan atij. Kriminelin e dytë nuk e kam parë mirë por di se ishte pak ezmer”.

Përveç dëshmisë, paraqitje për njohje me 16 fotografi personash të ndryshëm i është bërë edhe dëshmitarit Dilen Yakup, i cili ishte administratori i barit ku ndodhi ngjarja. Sipas procesverbalit të mbajtur për këtë veprim rezulton se ky dëshmitar ka njohur të pandehurin Erion Hasanbelli, i njohur në Belgjikë edhe me emrin Jani Sotiri, si personi me xhaketë bezhë që qëlloi në ngjarjen e datës 17 mars, ku mbeti i vrarë shtetasi Julian Çelaj dhe u plagos Kasandër Noga.

Dilen Yakup

“Unë e njoha menjëherë foton nr. 10 dhe jam njëqind për qind i sigurt se ky është personi që më datë 17 mars pasdite filloi të qëllonte në kafen time. Ky është krimineli. Kriminelin e dytë nuk e pashë shumë mirë, atë e pashë shumë pak”.

Në lidhje me këtë procedim, është marrë në pyetje edhe Kasandë Noga. Në kohën që i është marrë dëshmia, më 30 korrik të vitit 2008, Noga ndodhej në Burgun e Rrogozhinës duke vuajtur dënimin që në atë kohë ishte ende burgim i përjetshëm, para se të bëhej 25 vjet heqje lirie. Në këtë dëshmi ai ka deklaruar rrethana të ndryshme rreth ngjarjes së ndodhur në Belgjikë ku ishte plagosu dhe miku i tij kishte humbur jetën. Noga deklaronte se ai dhe viktima Julian Çelaj kishin folur me të pandehurit ne telefon për t’u pajtuar lidhur me hasmërinë që kishin më përpara si pasojë e vrasjes së babait të tyre. Ai ka treguar se atë ditë e kishin lënë për t’u takuar me të pandehurit te bar “Prehistorie”.

Kasandër Noga

“Porositëm diçka për të pirë dhe pritëm ulur në tavolinë rreth 20 min. Kemi parë që jashtë lokalit po vinte për të hyre brenda në lokal Geron Hasanbelli, me telefon në vesh duke folur. Kur ky shtetas ka qenë rreth 3 metër pa hyrë në lokal, nga krahu i kundërt i lokalit ka dalë Erion Hasanbelli duke qëlluar drejt nesh me armë zjarri. Unë kam marrë një plumb në bark dhe jam palosur me fytyrë nga xhami i lokalit. Në këtë moment kam parë dhe dëgjuar Geron Hasanbellin që erdhi tek dera e lokalit dhe kapi Erionin nga krahu i majtë duke i thënë “Hajde ikim se i vramë”, dhe i kam parë nga xhami duke u larguar”.

Gjykata ka arsyetuar, se në lidhje me akuzat në ngarkim të Geron Hasanbelli, nuk e gjen të mbështetur në prova pretendimin e akuzës se ai është bashkëautor në ngjarjen e ndodhur në Belgjikë. Provat e vetme të pretenduara nga Prokuroria kanë qenë veprimi i njohjes i bërë nga dëshmitarja Elena Bekerman dhe thëniet e fundit të datës 30 korrik 2002 të Kasandër Nogës dhe të nënës së tij Afërdita Zyryka. Gjykata hodhi poshtë këto prova, duke argumentuar se:

“Veprimi i njohjes së dëshmitares Elena Bekerman nuk është i besueshëm për gjykatën për arsye se njohja e bërë nga kjo dëshmitare ishte në kundërshtim me njohjen e bërë nga dëshmitari Dilen Yakup, i cili e njohu personin që qëlloi si i pandehuri Erion Hasanbelli, njohje që mbështetet dhe me prova të tjera. Gjithashtu veprimi i njohjes se Elena Bekerman nuk përputhet as me thëniet e Kasandër Nogës në momentet e para pas ngjarjes kur ai ka deklaruar para autoriteteve belge se personi që e qëlloi quhet Erion Hasanbelli ndërsa personin tjetër nuk e njihte. Për këto arsye gjykata ka krijuar bindjen se Geron Hasanbelli nuk ka qenë personi që ka qëlluar në drejtim të Julian Çelaj dhe Kasandër Nogës, por ky person ka qenë Erion Hasanbelli”.

Ndërsa për deklarimin inkriminues të Kasandër Nogës në drejtim të Geron Hasanbelli, Gjykata ka krijuar bindjen se Noga e ka dhënë këtë dëshmi i shtyrë nga dëshira e tij për të dëmtuar familjen Hasanbelli, për arsye se janë në hasmëri të vazhdueshme që nga viti 2000, ku ndodhi ngjarja në Sanatorium. Këtë arsyetim gjykata e mbështet edhe në faktin që Kasandër Noga mund të kishte deklaruar që në momentet e para pas ngjarjes emrin e të Gëronit si bashkëautor në këtë ngjarje, por nuk e ka bërë edhe pse i njihte shumë mirë të dy vëllezërit. Gjithashtu gjykata nuk i ka marrë si të besueshme as deklarimet e Afërdita Zyrykës, nënës së Kasandër Nogës, e cila nuk ka qenë në vendngjarje por i referohet komunikimeve me të birin.

Gjykata e Fierit, me vendimin nr. 217, të datës 07 shtator 2009, ka dënuar me 25 vjet heqje lirie Erion Hasanbelli, ndërsa ka shpallur të pafajshëm vëllain e tij, Geron Hasanbelli.

Kundër këtij vendimi, ka paraqitur ankim Prokuroria e Fierit, duke kërkuar ndryshimin e vendimit për Geron Hasanbelli dhe deklarimin fajtor sipas akuzës. Ankim ka paraqitur edhe Erion Hasanbelli që kërkonte pushimin e çështjes. Por Gjykata e Apelit të Vlorës më 19 dhjetor 2012 ka vendosur të lërë në fuqi vendimin për Erion Hasanbelli, ndërsa ka dënuar me 14 vjet burg Geron Hasanbelli.

Çështja ka shkuar në Gjykatën e Lartë, e cila ka vendosur prishjen e vendimit dhe kthimin e saj për gjykim po në Gjykatën e Apelit Vlorë. Në vendimin e datës 24 janar 2017, e njëjta Gjykata ka lënë në fuqi vendimin për Geron Hasanbelli dhe ka prishur vendimin për Erionin, duke arsyetuar se vendimi i Gjykatës së Fierit ishte mbështetur mbi prova të marrë në shkelje të ligjit.

Kundër këtij vendimi ka bërë rekurs Prokuroria e Fierit dhe Gjykata e Lartë, ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trupë gjykuese.

4 Janar 2022

Vrasësit ngatërrojnë objektiv, qëllojnë një të pafajshëm

Pasditen e 4 janarit 2022, 35-vjeçari Erion Çela po pinte kafe me vëllain e tij dhe disa të afërm, kur breshëritë e kallashnikovit e lanë të vdekur në vend. Ngjarja ndodhi në një lokal në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë.

Përveç tij, mbetën të plagosur edhe 4 persona të tjerë, mes të cilëve edhe vëllai i viktimës, Blerim Çela, 28 vjeç. Personat e tjerë të plagosur ishin Arben Dani, 46 vjeç, Azbi Selimaj, 19 vjeç dhe Edmond Crroj, 41 vjeç.

Pasi kanë qëlluar, atentatorët, janë larguar me një makinë tip Mercedes Benz me targa AA 125 UK. Kur kaluan 9 muaj nga ajo ngjarje, Policia e Tiranës njoftoi se Erion Çela nuk kishte bërë asnjë faj dhe se autorët kishin ngatërruar objektiv duke qëlluar ndaj disa personave që nuk kishin lidhje me problemet e tyre.

Pas një aksioni të madh që çoi në arrestimin e 14 personave, Policia tha se dy prej tyre, vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj, në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga Kevin Zeneli alias Kevin Suçi dhe Ilirian Feçi, për llogari të shtetasit Kasandër Noga, kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës.

Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit. Ata kishin planifikuar që vrasja të bëhej në zonën e Don Boskos, pasi kishin informacione se personi që do të eliminonin frekuentonte një lokal në atë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit Gentian dhe Indrit Beqiraj nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje. Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë u vra Erion Çela.

Tonin Vocaj

“Për të organizuar vrasjen e këtyrë personave, shtetasi Kasandër Noga ka kontaktuar dhe porositur shtetasit Kevin Zeneli (Suçi), i cili më pas ka kontaktuar shtetasin Ilirian Feçi dhe vëllëzerit Indrit dhe Gentjan Beqiraj, të cilëve iu është premtuar dhe dhënë si parapagim një shumë monetare.

Shtetasi Kevin Zeneli (Suçi) dhe Ilirian Feçi, në bashkëpunim me njeri – tjetrin, kanë kryer veprime konktrete, takime dhe biseda, janë interesuar për lëvizjet dhe kanë vëzhguar për disa muaj intinerain e mundshëm të lëvizjeve, kanë siguruar mjetet dhe armët, më qëllim vrasjen e shtetasit G. H., duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Nga deklarimet e vellezërve Beqiraj, rezulton se megjithesë fillimisht ata kanë marrë përsipër kryerjen e vrasjes dhe kanë kryer veprime konkrete, pas disa kohësh janë tërhequr nga frika, dhe për gjetjen dhe vrasjen e shtetasit G. H., dhe nipave të tij, shtetasit Kasander Noga dhe Kevin Zeneli (Suçi) kanë kontaktuar persona të tjerë të pa identifikuar deri tani.

Gjithashtu, nga deklarimet e vellëzerëve Beqiraj, ka rezultuar se më datë 04.01.2022, shtetasi Kevin Zeneli (Suçi), në bashkëpumim me dy persona të tjerë, ende të pa indentifikuar, si porosi e shtetasit Kasander Noga, kanë qëlluar me armë zjarri drejt një lokali në Don Bosko, për të vrarë shtetasin G. H., por autorët kanë ngatërruar objektiv, dhe si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka gjetur vdekjen shtetasi Erion Çela dhe janë plagosur 4 të tjerë.

Gjithashtu, nga provat e mbledhura deri tani dyshohet se shtetasi Kevin Zeneli (Suçi) dhe personat e tjerë, janë ndihmuar nga shtetasi Roland Ahmetsulaj, i cili ka një njësi shërbimi që merret me riparim automjetesh, shërbim karrotreci, shit – blerje automjetesh etj. Nga analiza e të dhënave telefonike rezulton se ky shtetas, ditën e ngjarjes ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes, dhe ka komunikuar me shtetasin Kevin Zeneli (Suçi)”.

11 Qershor 2022

Plagoset në Belgjikë Erion Hasanbelli

Ishte data 11 qershor e vitit 2022 dhe në Bruksel nuk ishte errësuar ende, kur para një hoteli u qëllua me 6 plumba një shtetas shqiptar. Ai ishte 44-vjeçari Erion Hasanbelli. Recepsionisti i hotelit dëshmoi se nuk e njihte viktimën, por kamerat e hotelit kishin filmuar gjithçka.

Për fatin e tij të mirë, Erion Hasanbelli ia hodhi paq breshërisë së plumbave. Ai u nënshtrua menjëherë operacionit në një nga spitalet e Brukselit dhe ia doli të mbijetonte pavarësisht se plagët që mori ishin të rënda. Sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje, autorët ishin dy persona, ku njëri sipas tyre qëlloi disa herë papritmas ndaj objektivit të tyre, duke zgjedhur më pas të ikë nga një rrugë anësore në krahun e majtë të hotelit. Sipas përshkrimit të bërë nga një grua dëshmitare gjatë krimit, burri që qëlloi ishte pa flokë dhe trupmadh.

Vetëm tri ditë pas këtij atentati, në orët e para të mëngjesit, Policia e Vjenës ndaloi në lagjen Donastad, shqiptarin Kasandër Noga, i cili po bëhej gati të kthehej në Shqipëri me fluturimin e radhës. Fluturimi u vonua enkas në Aeroportin e Vjenës nga autoritetet vendore policore, për të mos i dhënë asnjë mundësi Nogës për t’u arratisur. Autoritetet austriake kishin gati për të një urdhër arresti ndërkombëtar për ekzekutim të lëshuar nga kolegët belgë, të cilët e kishin shpallur në kërkim pikërisht për plagosjen e Erion Hasanbelli.

Në gusht të vitit 2023, Gjykata në Bruksel e ka shpallur fajtor Kasandër Nogën dhe e ka dënuar me 15 vjet heqje lirie.

Tonin Vocaj

“Shtetasi Kasander Noga aktualisht ndodhet në burg në Belgjikë, dhe ekzekutimi i masës së sigurimit personal ndaj tij do të bëhet nëpërmjet letër-porosisë.”

Kasandër Noga sot është 47 vjeç dhe nuk është më i lirë. Ndonëse i akuzuar zyrtarisht për 5 vrasje, për gati 25 vjet ai ka arritur të manovrojë me të gjitha shkallët e gjyqësorit duke arritur të shpëtojë nga burgu përjetë e madje ka përfituar edhe ulje dënimi herë pas here. Ka arritur të përfitojë leje nga Burgu i Rrogozhinës në vitin 2013, gjatë kohës që vuante dënimin atje edhe pse në fakt e ka shijuar vetëm për 1 orë e 30 minuta. Por leja e tij u kushtoi vendin e punës drejtorit të burgut dhe mjekut të këtij institucioni. Në atë kohë ai kishte për të vuajtur edhe 15 vjet e 4 muaj dënim. Por as këtë kohë të mbetur dënimi nuk e shleu të plotë, duke përfituar ulje herë pas here. Sot ai ndodhet në burg në Belgjikë për një plagosje të ndodhur atje e njëkohësisht është në hetim në Shqipëri për një vrasje të porositur prej tij. Dosja kësaj here duket e kopsitur mirë, aq sa Kasandër Noga rrezikon të kalojë pjesën e mbetur të jetës pas hekurave. Sigurisht nëse nuk do gjendet sërish ndonjë hapësirë ligjore për të nisur ping-pongun me gjykatat. Por për fundin e hasmërisë, nuk jep siguri askush dhe asgjë. As hekurat e qelive.

Lini një Përgjigje