KPA shkarkon Rilinda Selimin për shkak të kontakteve të papërshtatshme

22 Qershor 2022, 16:31Kronika TEMA

KPA shkarkon Rilinda Selimin për shkak të kontakteve të

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës së Apelit Administrativ Rilinda Selimi, pasi e konstatoi atë të papërshtatshme në kriterin e figurës. KPA rrëzoi pjesët e tjera të ankimit të Komisionerit Publik.

Vladimir Karaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të mërkurën shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës së Apelit Administrativ Rilinda Selimi, pasi e konstatoi atë të papërshtatshme në kriterin e figurës. Në përmbledhje të vendimit trupa kryesuar prej Sokol Çomos, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Natasha Mulaj, Albana Shtylla dhe Mimoza Tasi, vuri në dukje se kontaktet me një person me inicialet F.D, e shkuara e të cilit kishte qenë ndër elementët penalizues edhe në rivlerësimin e bashkëshortit të Selimit, e bënin gjyqtaren të papërshtatshme.

F.D sipas KPA edhe pse ishte dënuar vetëm për “moskallëzim krimi”, kishte qenë i hetuar që prej vitit 2013 për trafik të narkotikëve. Kolegji arsyetoi se kontaktet e gjyqtares me këtë person nuk ishin rastësore, por se ata kishin lidhje familjare. Në fund Kolegji arsyetoi se gjyqtarja Selimi nuk arrin nivel të besueshëm sa i përket kriterit te “pastërtisë së figurës” dhe se duhej të shkarkohej nga detyra. KPA në të njëjtin vendim rrëzoi kërkimet e Komisionerit Publik në kriterin e pasurisë.

Rilinda Selimi, gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit, u konfirmua në detyrë në 14 dhjetor 2020 nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit drejtuar nga Pamela Qirko, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici. Por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, rekomandoi menjëherë apelimin e vendimit, duke arsyetuar se KPK nuk kishte hetuar apo kishte hetuar sipërfaqësisht disa prej problemeve të gjyqtares që preknin të tre kriteret e rivlerësimit.

Komisioneri Publik bazuar në këtë rekomandim ankimoi çështjen dhe kërkoi shkarkimin e Selimit. Më herët KPK dhe KPA shkarkuan edhe Shkëlzen Selimin, bashkëshorti i gjyqtares dhe ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë, për shkak të kontakteve me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

1 Komente

  1. T
    Tik Kosi

    O sa lajm I bukur. Ishalla perfundon ne burg bashke me ate ndyresiren qe ke per burre.

    Lini një Përgjigje