Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal për parandalimin e zjarreve, duke theksuar se zjarrvënia nuk është thjesht pakujdesi, por një vepër penale që dënohet me burg.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lamallari apeloi për më shumë përgjegjësi qytetare, duke nënvizuar se çdo zjarr i shkaktuar nga dora e njeriut rrezikon jetën e qytetarëve, pronën, pyjet dhe pasuritë natyrore.
“Kujdes! Zjarrvënia nuk është pakujdesi, por krim që ndëshkohet me burgim. Çdo zjarr i shkaktuar nga dora e njeriut është një kërcënim për jetën, pronën, pyjet dhe të mirën e përbashkët. Kërkohet më shumë përgjegjësi qytetare dhe gatishmëri për të mbrojtur çdo qytetar dhe shmangur katastrofa,” shkruan ministri.
Lamallari kujtoi se me ndryshimet më të fundit në Kodin Penal janë ashpërsuar ndjeshëm dënimet për zjarrvënien, në varësi të rrethanave dhe pasojave të shkaktuara.
Sipas legjislacionit në fuqi zjarrvënia e qëllimshme dënohet me burgim nga 5 deri në 8 vjet kur kryhet gjatë stinës së nxehtë, në kushte që favorizojnë përhapjen e zjarrit ose pranë zonave të banuara; nga 4 deri në 10 vjet kur prek zona të mbrojtura, objekte të trashëgimisë kulturore, objekte kulti, monumente kulture ose infrastrukturë kritike; ndërsa dënimi arrin nga 7 deri në 15 vjet burg kur zjarrvënia kryhet me qëllim ndryshimin e kategorisë ose destinacionit të tokës.
Lini një Përgjigje