Lufta ndaj policëve që shkelin ligjin ka sjellë rezultate edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka publikuar bilancin e saj 6-mujor, ku rezulton se dhjetëra efektivë janë përballur me masa të rënda, nga përjashtimi nga Policia e deri te arrestimi dhe ndjekja penale.
Sipas raportit, nga janari deri në qershor janë përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit 24 efektivë. Ndërkohë, 232 punonjës policie dhe dy punonjës të Gardës së Republikës janë referuar në Prokurori për vepra të ndryshme penale.
Goditjet nuk kanë mbetur vetëm te procedimet. Gjatë kësaj periudhe, AMP ka arrestuar në flagrancë nëntë punonjës policie, një gardist dhe një punonjës të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të dyshuar për shkelje të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës.
Raporti hedh dritë edhe mbi denoncimet e qytetarëve. Në gjashtë muaj, AMP ka marrë 752 ankesa, por pjesa më e madhe e tyre nuk janë konfirmuar pas verifikimeve. Konkretisht, 434 ankesa kanë rezultuar të pabazuara, ndërsa për 251 të tjera nuk janë gjetur prova të mjaftueshme.
Megjithatë, një pjesë e kallëzimeve kanë nxjerrë në pah shkelje të dyshuara. Si rezultat i tyre, AMP ka regjistruar 15 procedime penale, të cilat janë në proces hetimi.
Bilanci i publikuar tregon se kontrollet ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit vijojnë me synimin për të larguar nga uniforma ata që abuzojnë me detyrën, ndërsa qytetarët mbeten një hallkë e rëndësishme përmes denoncimeve të rasteve të paligjshmërisë.
Imagjinoni në çfarë situate ështe shqipëria ku policia që duhet të jetë shembull i zbatimit të ligjit,është kriminele dhe që shkel ligjin.Por kjo situate eshte edhe ne Gjykata,ushtri,banka, administratë,dhe kudo.Por nuk mund t'ja thuash sepse fillojnë të shajnë ato fshatarë që duan te tregojnë një shtet ideal ,për të mposhtur kompleksin e theksuar të inferioritetit.