Policia Kufitare e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë pranë ishullit të Sazanit, ku 11 emigrantë nga vendet e treta rrezikuan të mbyteshin teksa lundronin me një gomone.
Si rezultat i hetimeve, është arrestuar organizatori i dyshuar i tentativës për transportimin e tyre drejt Italisë. Bëhet fjalë për një 43-vjeçar Masud Emir nga Afganistani, i cili, sipas Policisë, kishte organizuar nga Greqia futjen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri të 10 shtetasve të huaj, me qëllim dërgimin e tyre më pas në Itali.
Nga hetimet rezulton se gomonen ai e kishte marrë në Seman të Fierit, në vendin që i ishte dërguar si lokacion nga një shtetas shqiptar, identiteti i të cilit nuk është zbuluar ende. Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e tij.
Në kuadër të operacionit, specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, arrestuan 43-vjeçarin për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ndërkohë, u proceduan penalisht për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” edhe 10 shtetasit e tjerë, nga Bangladeshi, Pakistani, Liberia dhe Haiti, të cilët ndodheshin në bordin e gomones.
Sipas Policisë, emigrantët ishin futur ilegalisht në Shqipëri nga territori grek, ndërsa më pas do të transportoheshin me gomone nga Semani drejt Italisë.
bytheziun MASUD do ishte mire ta hidhnit ne det ,ta hanin peshkaqenet, dhe jo ta kthenit ne shqiperi