RENEA dhe Policia vijojnë kërkimet intensive në lumin Mat për 30-vjeçarin e zhdukur

17 Janar 2026, 14:11Kronika TEMA
RENEA dhe Policia vijojnë kërkimet intensive në lumin Mat

Palombarët e RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë dhe struktura të tjera shtetërore, vijojnë prej datës 10 janar 2026 operacionin e kërkimit në lumin Mat për gjetjen e shtetasit J. K., 30 vjeç.

Sipas dyshimeve paraprake, i riu është marrë nga rrjedha e përroit të fshatit Dars, i cili më pas derdhet në lumin Mat. Kërkimet po zhvillohen përgjatë shtratit të lumit, nga të dyja anët, me intensitet të lartë dhe pa ndërprerje.

Në operacion janë të angazhuar palombarët e RENEA-s, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forca e Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Komisariati i Policisë Mat, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe forca vullnetare dhe familjarë të 30-vjeçarit.

Deri në këto momente, pavarësisht përpjekjeve intensive, nuk ka qenë e mundur gjetja e trupit të të riut. Strukturat e përfshira në operacion konfirmojnë se angazhimi mbetet maksimal dhe kërkimet do të vijojnë deri në zbardhjen e plotë të rastit.

Lini një Përgjigje