Rrëfehet i penduari Skerdi Tasi: 130 mijë euro për kokën e Emiliano Ramazanit, ngjarjen do ia faturonim dikujt tjetër

15 Korrik 2025, 13:44Kronika TEMA
Rrëfehet i penduari Skerdi Tasi: 130 mijë euro për kokën e

Ka dëshmuar sot për herë të parë përpara gjykatësve të posaçëm Skerdi Tasi, i penduari i tretë në dosjen “Plumbi i artë”.

Tasi ka zbardhur disa ngjarje kriminale, mes tyre dhe ekzekutimin e Emiliano Ramazanit.

Për vrasjen e këtij të fundit, ai thotë se janë vendosur 130 mijë euro, ndërsa rrëfen me detaje sesi e kreu ekzekutimin dhe ngjarja do t’i faturohej dikujt tjetër.

“Vendosëm në shënjestër Emiliano Ramazanin. Ramë dakord për 130 mijë euro në këtë vrasje.

Ne kishim foto të Emilianos, i dinim edhe makinën. Nuk po e gjenim dot në Elbasan. Kishim tre opsione, shtëpia, palestra, apo lokali.

Gjatë kësaj kohe rrinim në Tiranë. Çdo ditë shkonim në Elbasan, me makina të ndryshme me qira.

Në atentat përdorëm makinë që na e siguroi Nuredini. E njëjta që do përdornim për Bujar Çelën. Dy herë makinën e kemi marrë në Bradashesh në një magazinë, që më pas mësova se ishte e Arben Lazës.

Kishim 4 armë për këtë ngjarje. Po ta qëllonim në parakalim do përdornim kallash, ndryshe pistoletën.

Ditën e ngjarjes i shkuam tek palestra, por pamë që s’ishte vend i përshtatshëm. Kështu që e pritëm tek shtëpia, në rrugë kryesore.

E pamë që u afrua. Vinte me një “Ford fiesta”. Unë zbrita. Henriku qëndroi shofer.

Unë mora 2 pistoleta me vete. U afrova dhe pasi parkoi dhe fiku makinën, u afrova me vrap. I dola nga xhami i pasagjerit. Nga aty e qëllova disa herë, në kokë, qafë. Ai nuk më pa, se po merrej me telefon. Në oborrin brenda pallatit ndodhi.

E dogjëm makinën pas krimit, bashkë me 2 armë. Armët që përdora i mora me vete. Ikëm ne TR duke i rënë nga Peqini. Diku ku ishin ca betoniere fshehëm armët dhe Riku i çoi foto Nuredinit në SKY, pasi ato do çoheshin diku tjetër, me qëllim që t’i faturohej ngjarja dikujt tjetër.

Na kontaktoi edhe një Klara për lekët. Në kishim marrë disa shuma ndërkohë. Si rregull duhet të ndanim 60 mijë euro me Rikun, por unë mora 25 mijë”, - rrëfeu i penduari i drejtësisë.

 

Lini një Përgjigje