Syri i Kaltër vijon të jetë një ndër atraksionet më të vizituara në jug të vendit. Me statusin e ri si Park Kombëtar Natyror, kjo perlë natyrore regjistron mesatarisht 5 mijë vizitorë në ditë.
Por mes këtij fluksi mbresëlënës, mungon një element bazë, një qendër shëndetësore verore, gjë e cila pohohet nga vet bluzat e spitalit të Delvinës.
“Edhe këtë vit, pavarësisht që kemi bërë kërkesa pa fund pranë Ministrisë si edhe tek Bashkia e Finiqit, përsëri nuk u ngrit një qendër shëndetësorë. Mua më duhen 23 minuta për të shkuar tek Syri i Kaltër. Nëse një pacient ka shancin për 6 minuta për të mbijetuar në një atak kardiak, unë nuk e arrij dot për ta shpëtuar”, shprehu shqetësimin Dr. Nikolin Kote, Mjek urgjence në Spitalin e Delvinës.
Mjeku Kote, thekson se vizitorët, vendas apo të huaj, meritojnë të njëjtin standard shërbimi, për të shmangur tragjeditë që mund të ndodhin për shkak të mungesës së ndihmës së parë.
“Të huaj apo shqiptare, jeta është e njëjtë për të gjithë. Ndodh që edhe ambasadat të ankohen sepse ato kanë fuqi, por pse duhet të shkojë puna deri atje. Ne kemi misionin të shpëtojmë jetë.”, tha mjeku.
Urgjenca e Spitalit “Ismet Shushi” në Delvinë është e përgatitur për situata të rënda si infarkte apo gastroenterite. Megjithatë, mungesa e disa medikamenteve dhe vonesat në terren e kufizojnë ndërhyrjen në kohë.
Spitali i Delvinës ka bërë hapa përpara në organizim dhe qasje mjekësore, por kërkon një autoambulancë të përshtatshme për terrenin malor dhe më shumë investime në infrastrukturë.
Lini një Përgjigje