Gjykata e Apelit Durrës ka rikthyer sërish në detyrë gjashtë punonjësit e policisë së Elbasanit, të akuzuar për shpërdorim detyre gjatë ngjarjes së 21 prillit 2021, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.
Ato u pezulluan me vendim gjykate pas kërkesës së prokurorisë së Elbasanit.
Efektivët u akuzuan nga prokuroria për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe atë të “Deklarimit të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Çfarë ndodhi 1 vit më parë?
Vrasja e Pjerin Xhuvanit e gjeti Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë të tronditur, pasi pati edhe një sfond elektoral.
Gjithçka ndodhi vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani.
Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan.
Katër të tjerë u plagosën në vendngjarje, ndër të cilët një efektive e forcave “Shqiponja”.
Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore.
Autori u vu nën pranga pak pas ngjarjes, duke u shoqëruar dhe në komisariat. Deklarata e tij pati qenë se “sulmi ka ndodhur për vetëmbrojtje”.
Mbi 20 persona u shoqëruan drejt komisariatit asokohe. Ndër ta, dy kandidatë demokratë: Gazment Bardhi dhe Luçiano Boçi.
Ndërsa në burg, mbahet ende Paplekaj, në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata.
Lini një Përgjigje