Zbulohen detajet nga atentati ndaj vëllait të "Lencit të Yzberishtit", i akuzuar për vrasjen e biznesmenit italian

3 Nëntor 2023, 12:10Kronika TEMA
Zbulohen detajet nga atentati ndaj vëllait të "Lencit të

Detaje të reja janë zbuluar nga atentati ndaj 46-vjeçarit Agim Hida, mbrëmjen e së enjtes në kryqëzimin e Bathores.

Mësohet se shënjestra ka marrë dy plumba në këmbë, ndërsa në vendngjarje janë gjetur 3 gëzhoja.

Raportohet se i plagosur po pinte kafe në lokalin ku edhe ndodhi ngjarja kur dy autorët që lëviznin me motor kanë shkuar në drejtim të tij.

Njëri prej tyre i është afruar afër dhe e ka qëlluar në këmbë. Autorët dyshohet se e njihnin Agim Hidën dhe e kanë pasur objektivin e qartë pasi dinin edhe lëvizjet e tij, por edhe lokalin ku Hida e frekuentonte shpesh.

Autorët e ngjarjes kanë qenë dy, njërin në rolin e qitësit ndërsa tjeri shoferi i motorit. Identifikimi i tyre nga grupi hetimor është i vështrirë pasi kanë qenë të maskuar.

Pasi plagosjes së 46-vjeçarit, ata janë larguar sërish me motor nga vendngjarja.

Mësohet se vëllai i të plagosurit Flamur Hida vite më parë akuzohej se ka vrarë një italian në zonën e Yzberishtit.

Ndërkohë i plagosuri ende nuk ka dhënë një dëshmi lidhur me ngjarjen që mund të ndihmonte grupin hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarje.

E shkuara e vëllait të shënjestrës

Flamur Hida, i njohur me nofkën “Lenci” i Yzberishtit, u arrestua në vitin 2009 në Tiranë, 11 vite pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit italian Stefano Rossi.

Gjithashtu në atë kohë u arrestuar edhe vëllai i tij Fatmir Hida, i cili akuzohej se kishte strehuar Flamur Hidën të dënuar tri herë nga gjykata e Tiranës. “Lenci” i Yzberishtit hetoj edhe për disa ngjarje të tjera të rënda në kryeqytet.

I shpallur në kërkim që nga viti 1998, Flamur Hida ra në pranga në një lokal pranë banesës ku fshihej te “Komuna e Parisit” në Tiranë në vitin 2009.

Një ditë pas kapjes së tij në pranga u vendos edhe i vëllai, i cili akuzohej se e kishte strehuar të shumëkërkuarin duke e ndihmuar t’i fshihej ndjekjes së policisë.

Duke mbajtur në CV-në e tij një aktivitet kriminal të pazakontë, Flamur Hida jetonte i qetë në Tiranë falë ndryshimit total të pamjes së tij fizike si dhe mungesës së fotove të tij në dosjen e policisë.

Burimet e policisë thanë për Gazetën Panorama në atë kohë se se Hida ishte shpallur në kërkim në moshën e adoleshencës, ndërsa imazhi i tij kishte ndryshuar.

Veç kësaj i kërkuari si vrasës me pagesë lëvizte kryesisht natën, duke i shpëtuar vëmendjes policore. Burime zyrtare të policisë konfirmon se i shumëkërkuari Flamur Hida po hetohej për pjesëmarrje në dy vrasje, atë të Altin Hoxhës dhe Ilir Mezirit në vitin 2008.

I shumëkërkuari njihet si eksponent i bandës së Yzberishtit, ndërsa arrestimi i tij erdhi pas disa grabitjeve që dyshohet se ai kishte kryer, çka ktheu vëmendjen e policisë tek “I harruari”.

Me këtë emër u kodua edhe aksioni për kapjen e Flamur Hidës. Në banesën ku strehohej “Lenci” i Yzberishtit policia zbuloi edhe një arsenal armësh, tri pistoleta me silenciator (zhurmëshues), një automatik, fishekë, tritol dhe municione të tjera.

Hetimi

Në kohën kur Flamur Hida mendonte se ishte harruar nga drejtësia, 11 vjet nga shpallja e tij në kërkim, policia është vënë në ndjekje të tij. Disa grabitje të ndodhura muajt e fundit në Tiranë, por edhe vrasje pa autor të ndodhura në Kombinat vitin e kaluar, çuan policinë në gjurmët e Lencit të Yzberishtit.

I dyshuar si një killer profesionist me pagesë, 29-vjeçari u arrestua në banesën e të vëllait, Fatmirit, në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë. Identifikimi prej shumë vitesh ka qenë i vështirë, pasi në kohën kur ai u shpall në kërkim ishte vetëm 18 vjeç.

Veç vrasjes së biznesmenit italian Stefano Rossi në vitin 1998, vjedhjes me armë me pasojë vdekjen të vëllezërve Bedri dhe Agim Ago, plagosjen e Aqif Lamit, Flamur Hida dyshohet të jetë autor edhe i dy vrasjeve të tjera dhe një sërë grabitjesh të ndodhura në Tiranë.

Akuzat për Hidën

1. Vjedhje me armë me pasojë vdekjen e biznesmenit italian Stefano Rossi, dënuar me 12 vjet e 6 muaj burg.

2. Dënuar me vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, më datë 28 janar 2002, me 20 vjet burg, për vjedhje me armë me pasojë vdekjen ndaj Bedri dhe Agim Agos.

3. Më 18 korrik 2007, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 5 vjet e 4 muaj burg për plagosjen me dashje të Aqif Lamit.

4. Dyshohet së është autor i vrasjes së 36-vjeçarit Altin Hoxha, i cili është gjetur i vdekur më 7 maj të vitit 2008, në komunën e Kasharit, i vrarë me hanxhar në kokë.

5. Dyshohet se është autor i vrasjes së Ilir Mezirit, ngjarje e ndodhur më 25 tetor të vitit 2008, tek rruga e Qelqit në Kombinat.

6. Dyshohet të jetë autor i dhjetëra grabitjeve me armë që kanë ndodhur në zona të ndryshme të Tiranës. (Panorama)

Lini një Përgjigje