Zbulohet emri i shqiptarit që u kap me 200 kg në Romë, çfarë deklaroi para hetuesve

14 Tetor 2025, 15:44Kronika TEMA
Zbulohet emri i shqiptarit që u kap me 200 kg në Romë,

Operacioni i kryer së fundmi nga policia italiane në zemër të vendit, çoi në zbulimin e një apartamenti të mbushur me 200 kg kokainë dhe i kthyer në laborator, teksa në pranga ra edhe një 22-vjeçar që mendohet se bënte ruajtjen e ngarkesës për llogari të kartelit.

I arrestuari është Kristian Preni, i cili u mbrojt para gjyqtarit hetues gjatë masës paraprake: “Unë vij nga një familje e varfër, u përfshiva në një biznes të keq”, vijoi ai.

Karabinierët gjetën 200 kilogramë kokainë në apartamentin e tij në Tor Vergata, Romë, një sasi që do të kishte vlerën e të paktën 16 milionë eurove në treg. Një Beretta 92 e vjedhur dhe 30,000 euro para të gatshme u gjetën gjithashtu në apartament.

Arrestimi i Kristianit, i akuzuar për posedim me qëllim shpërndarjen e narkotikëve, marrjen e mallrave të vjedhura dhe posedimin e paligjshëm të armëve, u vërtetua nga gjyqtari i hetimeve paraprake dhe tani ai ndodhet në burgun e Rebibbias.

“U përfshiva në një situatë të keqe sepse familja ime është e varfër, jeton në kushte të dëshpëruara dhe shumë të vështira”, i tha ai gjyqtarit hetues.

Hetuesit besojnë se ngarkesa i përket një organizate të fuqishme kriminale, për shkak të sasisë së madhe të saj.

“Kur më ndaluan, po kthehesha në Shqipëri”, shtoi ai, fjalët e të cilit u raportuan nga “La Repubblica”. Është hera e parë që bëj diçka të tillë. Arma nuk është e imja; nuk e kam blerë dhe as përdorur kurrë”, vijoi ai.

Babai i tij ishte alkoolik dhe nëna e tij e papunë. Ja se si, siç raporton gazeta, e përshkroi i riu situatën e vështirë familjare që do ta çonte atë të bëhej një gur shahu për trafikantët e drogës.

“Kisha qenë në Itali për periudha të shkurtra në të kaluarën, por u transferova në Romë gjashtë muaj më parë dhe kërkova punë si hidraulik”, vazhdoi ai.

22-vjeçari nuk zbuloi asgjë rreth organizatës kriminale.

Lini një Përgjigje