100 vite pa Luigj Gurakuqin, u vra pabesisht nga djali i tezes së tij, Baljton Stambolla

2 Mars 2025, 18:29Kulturë TEMA
100 vite pa Luigj Gurakuqin, u vra pabesisht nga djali i tezes së tij,

Më 2 mars 1925, në Bari të Italisë u vra pabesisht nga djali i tezes së tij Baljton Stambolla, veprimtari i çështjes kombëtare, hartuesi dhe nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poeti, arsimtari, gjuhëtari, diplomati, deputeti dhe patrioti i madh shqiptar Luigj Gurakuqi.

Luigj Gurakuqi lindi më 20 shkurt 1879. Dora e tij shkroi edhe alfabetin e miratuar nga Kongresi i Manastirit.

Luigj Gurakuqi kreu Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh të Shën Mitrit në Itali dhe studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit. Ai ka një veprimtari të pasur letrare, publicistike, kombëtare dhe politike.

Veprimtaria e tij filloi me poezi lirike dhe përkthime në gjuhën shqipe. Vijoi me botimin e teksteve të abetares në dy dialektet e shqipes. Shkroi artikuj në organet e shtypit shqiptar. Në vitin 1908 mori pjesë si nënkryetar i komisionit për njësimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit. Është hartuesi i parë i veprës “Metrika Shqip”.

Më 1911 ishte një prej hartuesve të Memorandumit të Greçës gjatë kryengritjes së malësorëve të Mbishkodrës të vitit 1911. Në vitin 1912 mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit. Ishte në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë dhe u caktua Ministër i Arsimit nga Ismail Qemali.

Në vitin 1916 u caktua Drejtor i Përgjithshëm i Arsimit dhe anëtar i Komsisë Letrare në Shkodër. Në vitin 1918 mori pjesë në Kongresin e Durrësit dhe u zgjodh Ministër i Arsimit dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1921-1924 ishte deputet në Këshillin Kombëtar.

L. Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924 dhe u zgjodh Ministër i Financave në qeverinë e Fan Nolit.

Gurakuqi ishte njohës i thellë i trashëgimisë kulturore të popullit të vet dhe i kulturës klasike romake e latine. Historia e vendit dhe ajo botërore ishin objekt i përhershëm i studimeve të tija. Njihte arkeologjinë e shkencat ekonomike e financiare, trashëgiminë arsimore pedagogjike kombëtare dhe europiane. Gurakuqi ishte poliglot. Përveç shqipes, zotëronte latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten, njihte greqishten e gjermanishten, ka të ngjarë edhe anglishten dhe kishte një kujtesë të çuditshme.


Është ndër hartuesit kryesorë të programit arsimor e kulturor të levizjes kombëtare për autonomi, liri e pavarësi. Në këtë kuadër ai ishte njohësi dhe propaganduesi më i mirë i traditave të popullit tonë, i traditave kulturore e patriotike, i traditës gojore e shkrimore dhe i psikologjisë së popullit shqiptar.

Si krijues Gurakuqi pati marrëdhënie të shkëlqyera me elitën intelektuale të vendit. Disa nga veprat e krijimet e veta, L. Gurakuqi ia kushtoi Gjergj Fishtës, Prenk Doçit, Hilë Mosit e Mati Logorecit. Por edhe Gurakuqit i drejtohen mjaft dedikime e përkushtime nga Filip Shiroka, Hilë Mosi vazhdon ta quajë bylbyl në tingëllimin që i kushton, “S’kndôn bylbyli”. Gjergj Fishta i dedikon atij vepren “Pika e voeset”. 

6 Komente

  1. G
    Go West

    Autori ka harruar dedikimin e Nolit, elegjia me rastin e humbjes se tij, mbetet nje kryeveper e letersise shqipe. Nëno moj, mbaj zi për vllanë, Me tre plumba na i ranë, Na e vran' e na e shanë, Na i thanë tradhëtor. Se të deshte dhe s'të deshnin, Se të qante kur të qeshnin, Se të veshte kur të çveshnin, Nëno moj, të ra dëshmor. Nëno moj, vajto, merr malin, Larot t'a përmbysnë djalin Që me Ismail Qemalin Ngriti flamur trimëror. Nëno moj, m'a qaj në Vlorë Ku të dha liri, kurorë, Shpirt i bardhë si dëborë; Ti s'i dhe as varr për hor. Nëno moj, ç'është përpjekur Gojë-mjalt' e zëmër-hekur, Syrgjyn-gjall' e syrgjyn-vdekur, Ky Vigan Liberator.

    Përgjigjjuni
    1. V
      Vezhguesi

      Go West-dikur Nena Shqiperi lindte burra qe i vune gjoksin memedheut. Fatkeqesisht ata burra nuk lindin me. Xhaxhai i tim eti, D.K., qe ishte djali me i madh i shtate vellezerve ku gjyshi im ishte me i vogli, ka qene vellam gjaku me Luigj Gurakuqin dhe po ashtu prezent ne atentatin qe ju be atij ne Bari te italise. Luigji ka dhene shpirt pikerisht ne krahet e tij. D.K. ka qene nje atdhetar perparimtar i shkolluar ne shkollat me te mira te Frances e Italise. Nje kundershtar i vendosur i te vetequajturit Mret i shqiptareve, Zogu i I, i cili e burgosi dhe torturoi barbarisht ate deri sa vdiq. Para se te vdiste, i kerkoi vellait te tij me te vogel, gjyshit tim, H.K. qe ti merrte gjakun Luigjit. Im gjysh ka qene ai qe qe bashku me Kajo Karafilin kane ekzekutuar Baltjon Stambollen ne nje dite pazari ne qytetin e Rrogozhines.

      Përgjigjjuni
      1. L
        Liri

        Respekt

        Përgjigjjuni
    2. R
      RAMAZAN ABDYLI

      ALLAH EKBER AMIN ,,,

      Përgjigjjuni
      1. R
        RAMAZAN ABDYLI

        ALLAH EKBER AMIN ,,,

        Përgjigjjuni
        1. A
          Arbi Gjergji Arianiti

          Nuk e ka shkruar Gurajuqi alfabetin e Kongresit të Manastirit

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje