Akademia e Shkencave, në konferencën shkencore të Procesit të Berlinit

23 Tetor 2025, 19:21Kulturë TEMA
Akademia e Shkencave, në konferencën shkencore të Procesit

Në kryeqytetin e Sllovenisë, Lubjanë, u mbajt Konferenca e 9-të e Përbashkët Shkencore në kuadër të Procesit të Berlinit 2025.

Tema e edicionit të këtij viti ishte: “Shkenca nën presion – sfidat dhe mundësitë”. Akademia e Shkencave e Shqipërisë u përfaqësua nga akad. Anila Hoda dhe prof. asoc. dr. Elda Zotaj.

Që nga viti 2015, Procesi i Berlinit përfshin një shtyllë të dedikuar për shkencën, arsimin, kërkimin, inovacionin dhe transferimin e njohurive, e cila koordinohet nga Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave “Leopoldina”. Konferenca 3-ditore reflektoi mbi sfidat me të cilat përballet komuniteti shkencor në të gjitha vendet e Procesit të Berlinit, si dhe mbi pritshmëritë e larta që i adresohen shkencës në shoqëri.

Tematikat kryesore të trajtuara në punimet e konferencës ishin:

– Mbrojtja e vlerave dhe parimeve të lirisë akademike dhe autonomisë institucionale, përfshirë rolin e tyre si hapësira të sigurta për demokracinë dhe mbrojtëse të sundimit të ligjit dhe barazisë;

– Kontributi i shkencës në konkurrueshmëri, ekonominë e dijes dhe sigurinë;

– Reformat kyçe për përshpejtimin e përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet e BE-së, me vëmendje të veçantë ndaj pritshmërive të brezit të ri.

Në përfundim të konferencës u hartua një Deklaratë e Përbashkët me rekomandime konkrete për Samitin e 11-të të Ballkanit Perëndimor të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive, i cili do të mbahet më 22 tetor 2025 në Londër.

/atsh/

Lini një Përgjigje