Në mbyllje të filmit Alien Resurrection – teknikisht i katërti i serisë filmike Alien – anija kozmike Betty, tashmë e pastruar pas shumë peripecish nga alienët exomorph-ë, hyn në atmosferën e Tokës dhe gatitet për t’u ulur në planetin mëmë; ndërkohë, në hyrjen e hapur të hangarit të anijes, shohim të shfaqen dy personazhet kryesore – Ellen Ripley-n (Sigourney Weaver) dhe Annalee Call-in (Winona Ryder), që i kanë mbijetuar masakrës gjithë duke fituar dhe pastaj kultivuar simpatinë e shikuesit. E çuditshmja këtu është se asnjëra prej tyre nuk është humane; Ripley nuk është veçse një klon i Ripley-t të vjetër, rikuperuar nga një qelizë e vetme dyqind-vjeçare me ADN-në e alienit xenomorph të inkorporuar në organizëm; ndërsa Call-i është një synth, organizëm sintetik, që është rebeluar ndaj padronëve të saj, e ka nxjerrë jashtë përdorimit antenën që e mbante të varur nga komandat e qendrës dhe ka zhvilluar vetëndije (sentience) dhe vetëdije. Personazhe të tilla, të njohura si replikantë, i kemi takuar tashmë në filmin Blade Runner, të Ridley Scott-it.
Filmi Alien Resurrection nuk do të mbahet mend veçse si vazhdimi mediokër i franchise-s; regjisori Jean-Pierre Jeunet i dha një aromë frënge, me nota absurdiste, por pa e arritur dot lëbyrjen horror të fimave paraprijës. Por spikat, megjithatë, për lëvrimin më në thellësi të temës së post-humanizmit edhe në elementet e veta makabre. Grupi i shkencëtarëve në laboratorin ushtarak Auriga patën siguruar mostra DNA-je të Ripley-t nga burgu i sigurisë së lartë në Fiorina "Fury" 161 (Alien 3), dhe i patën përdorur për të rikrijuar një klon të Ripley-t vetë, me idenë që, që andej, të ekstraktonin dhe pastaj të kultivonin një ekzemplar xenomorph; përpjekjet fillestare të klonimit dështuan – në një skenë të vonë të filmit, Ripley 8 (kloni) zbulon muzeun makabër të klonëve të saj ende të gjallë, por të skartuar si të papërdorshëm, që ruhen ende në laborator; galeria fantazmagorike e qenieve të deformuara sjell në vëmendje temën e mutantit, aq të dashur dhe të shfrytëzuar nga fantashkenca, duke e vënë në një kontekst me klonimin dhe klonët. Tek e fundit, vetë Ripley 8 është jo vetëm klon, por edhe mutant, meqë bart në gjakun e vet dhe në DNA-në e vet elemente të alienit; të cilat e shndërrojnë, në fakt, në hibrid. Përkundrazi, synth-i Call, e luajtur nga Ryder, është personazhi më human nga të gjithë, i vetmi që i ka “ruajtur” disa virtyte elementare të mirëbesimit dhe të ndershmërisë (filmi e vë madje të bëjë kryqin, në një moment dobësie – e vetmja që tradhton një farë besnikërie ndaj traditës shpirtërore, në një botë të shkuar për lesh. E gjithë kjo dinamikë përcjell një pesimizëm të madh për fatet e njeriut, në epokën post-humaniste, madje pa marrë fare në vëmendje sfidat e inteligjencës artificiale.
Temën e fantazmagorisë zoo-semiotike që shoqëron post-humanizmin e ka trajtuar mirë Renato Giovannoli, në studimin e gjerë La scienza della fantascienza, botimi i dytë i zgjeruar në 2015 (mund të shfletohet falas në Internet Archive); duke shfletuar katalogun e tij tipologjik, nuk mund të mos mendosh për demonologjinë kristiane, fantazitë mesjetare, alkiminë dhe dramën faustiane të njeriut Zot. Nëse përbindëshat biologjikë i ndeshim që me Frankenstein-in, me fantashkencën britanike klasike (The Island of Dr. Moreau, i Wells-it) dhe me bio-fantashkencën kozmiste sovjetike ( tregimi “Jetë qeni” i Bulgakovit dhe romani “Njeriu amfib” i Beljajevit), si orvatje për ta përmirësuar njeriun (satirike, në rastin e Bulgakovit), ishte fantashkenca amerikane që u dha këtyre krijesave hapësirën ku të shtohen e të shumohen lirisht. Giovannoli ndërton katërkëndësha semiotikë si ato të Greimas-it, ku alieni i kundërvihet si njeriut, ashtu edhe cyborg-ut dhe android-it; dhe të tjerë ku shtjellohet fenomenologjia e kalimit nga njeriu te mutanti dhe pastaj te kloni, për të përfunduar në hibridizim.
Në të njëjtën kohë, kontakti i njeriut me alienin (jashtëtokësor) do të trajtohet si një formë kontaminimi, me narrativa që rimarrin, në mos në formë të paktën në atmosferë, ato të epidemive në Mesjetë; nëse në episodet e hershme të Alien-it xenomorph-ët kanë nevojë për trupin e njeriut, si host për t’u riprodhuar – të gjithëve do të na kujtohet skena me larvën xenomorph-e që kërcen nga veza në fytyrën e njeriut (face hugger), në kërkim të një rruge të shpejtë për të depërtuar në organizëm; dhe pastaj momenti kur alieni, i rritur brenda trupit si një lloj fetusi i përçudshëm, e gjen dhunshëm rrugën për të dalë në botë, duke ia shqyer host-it të vet krahërorin. Por deri këtu alien-i është sjellë si parazit; duke marrë pastaj një formë të re, kur e rindeshim, tashmë të shndërruar në DNA, si pjesë e DNA-së së Ripley-t (të klonuar).
Në studimin që përmenda, Giovannoli merr në shqyrtim mënyrat si riprodhohet krijesa aliene në serinë e filmave – mënyra që luajnë rol kyç në shtjellimin narrativ, sa kohë që krejt ekzistenca dhe prania e xenomorph-it në ekran, përfshi edhe masakrimin e njerëzve, janë thjesht pjesë e përpjekjeve të tij për t’u riprodhuar. Ai përmend, në këtë kontekst, një analizë nga Deleuze-Guattari, për një lloj riprodhimi biologjik e cila “pushon së qeni ... filiative dhe hereditare, për t’u shndërruar në diçka komunikative dhe ngjitëse” (Gilles Deleuze e Felix Guattari, Mille plateaux, Paris, Minuit, p. 292). Shumëzimi nëpërmjet epidemisë ose ngjitjes (contagio), thonë ata dy autorë, nuk ka asgjë të përbashkët me filiacionin hereditar... Vampiri nuk bën fëmijë, por ngjitet si sëmundje. Diferenca këtu është që ngjitja, njëlloj si epidemia, fut në lojë terma heterogjenë: për shembull, një njeri, një kafshë, dhe një bakter, një molekulë, një mikro-organizëm. Virusi, vazhdon Giovannoli, është në fakt një model tjetër për alienin parazit. I paaftë për të mbijetuar pa një organizëm ku të parazitojë, virusi e shkrin membranën e vet me atë të qelizës që do të infektojë. Materiali i tij gjenetik kalon në qelizë dhe integrohet me atë të qelizës, pastaj merr në kontroll mekanizmin biosintetik të qelizës dhe e detyron këtë fabrikojë kopje të panumërta të vetvetes. Më në fund, qeliza shpërthen, për të çliruar viruse të reja që do të infektojnë qeliza të reja. Përfundon Giovannoli: Alieni (xenomorph), në analizë të fundit, nuk është veçse një virus i përmasave njerëzore.
Përballë kësaj lemerie, edhe metafizike, indiferenca e alienëve xenomorph-ë ndaj synth-ëve dhe androidëve të tjerë, që qarkullojnë tashmë mes njerëzve, ofron një lloj ngushëllimi; me kusht që individët sintetikë të mos jenë programuar prej krijuesve të tyre (zotave të tyre) që t’i ruajnë alienët nga shfarosja dhe t’i sjellin në Tokë, që pastaj këta të përdoren si armë; kështu veproi synth-i i parë i serialit, oficeri (sekretari shkencor) Ash (Ian Holm), i cili kishte urdhër që ta ruante alienin me çdo kusht, edhe sikur kjo të kish për pasojë shfarosjen e ekipazhit.
Tani mitologjia e Alienit ka edhe një serial të vetin televiziv: Alien Earth, që po shfaqet nga Fox dhe nga Hulu; dhe që ka shtuar të paktën një variacion të ri në temë – veç alienëve të mirëfilltë, synth-ëve dhe cyborg-ëve, janë edhe “hibridët”, të cilët përftohen kur vetëdija e një njeriu transferohet te një trup sintetik, nëpërmjet një procesi të ngjashëm me upload-in e një skedari në kompjuter. Në episodin e parë, premisa e këtij seriali prezantohet kështu: njeriu do ta arrijë pavdekësinë me tri mënyra të ndryshme: si njeri i përmirësuar me rrugë kibernetike (cyborg); si qenie inteligjente artificiale (synth) dhe si qenie sintetike të pajisura me vetëdije njerëzore (hibridë). Të krahasohet kjo me mitologjinë e Robocop-it, një cyborg që përmban material organik nga modeli i vet human (Murphy). Megjithatë, në analizë të fundit, edhe androidët e klasës Terminator kanë material organik në konstruktin e tyre (lëkurë, etj.), por kjo nuk i bën më pak makina dhe më shumë “njerëzorë”. Pyetja se sa material organik dhe i ç’lloji duhet të jetë përdorur ky, për ta quajtur produktin një makinë “hibride” merr kështu konotacione filozofike. Tek Terminator: Dark Fate (2019, me regji të Tim Miller), rezistenca anti-makinë dërgon prapa në të shkuarën një “ushtar të augmentuar”, Grace-n (Mackenzie Davis), e cila ka fituar tashmë aftësi të ngjashme me një terminator, duke lejuar integrimin e robotikës në trup; por Grace mbetet njerëzore, pavarësisht nga “augmentimi”; pa e kaluar pragun që ndan makinën nga biologjikja.
Për t’u shënuar këtu edhe se, disa nga replikantët më të famshëm të fantashkencës amerikane, sado të padallueshëm nga njerëzit në vështrim të parë, janë të programuar me “obsoleshencë” – e kanë jetën të shkurtër. Giovannoli përmend tregimin Guinevere for Everybody, të Jack Williamson-it, që rrëfen për një vajzë artificiale, të prodhuar në seri, dhe të shitur me çmim të arsyeshëm: 4.95 dollarë copa. Është një produkt gati i përsosur, në gjendje të mendojë dhe të vuajë, aq i besueshëm sa një nga blerësit bie në dashuri me të; pa e ditur se – për t’i mbajtur kostot e produksionit të ulëta – vajza është programuar që të funksionojë vetëm 24 orë. Edhe për replikantët e filmit Blade Runner (që ata vetë vazhdojnë ose “replikojnë” njëfarësoj paraardhësit e tyre në Do Android Dream of Electric Sheep), na thuhet – në film nga gjahtari i tyre, Deckard – se gjithçka që ata donin ishin përgjigje të njëjtat me ato që i duam edhe ne njerëzit: nga vij, ku shkoj, edhe sa më ka mbetur.” Angështia e tyre ekzistenciale kish lidhje edhe me atë që kishin zbuluar se ishin programuar të “jetonin” vetëm pesë vjet.
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA,
Ardian vexhiu I arabistan tyrqise