Shfaqja teatrore “Andrra e jetës”, e bazuar mbi poemën me të njëjtin titull nga Ndre Mjeda, vjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në datën 4 shtator me regji dhe përshtatje nga Anila Balla.
Nën interpretimin e Ermela Rurit, Joana Omerajt dhe Eva Gjikës, shfaqja sjell jetën e një familjeje në një qoshe të vogël shtëpie, ku ëndrrat, shpresa dhe realiteti përplasen. Personazhet Trina dhe Zoga mbështillen me ngjyrën e shpresës, ndërsa Lokja (nëna) qëndron si rrënjë e fortë në përditshmëri. Një natë vendimtare sjell lajme për të dyja vajzat, duke e kthyer jetën në një dramë ku zgjedhjet djegin si flakë.
“Vepra vjen në një formë të re, pak ndryshe, dhe vjen në një formë të guximshme për të parë këto tre personazhe, të cilët i ka shënuar Ndre Mjeda me veprën e tij ‘Andrra e jetës’, por vijnë në një realitet skenik,” thotë regjisorja Balla.
“Ka qenë një punë shumë e bukur, nga ato punët e veçanta. Ky lloj stili që regjisorja ka përdorur futet deri te skutat më të fshehta të Ermelës,” tregon aktorja Ruri.
Shfaqja është prodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dhe vjen premierë në datat 4, 5, 6 dhe 7 shtator.
- RTSH-
Lini një Përgjigje