Shpesh ne flasim për kujtesën si diçka që e mbartim brenda nesh, por po sikur e kundërta të jetë e vërtetë? A do të përbënte harresa atëherë çlirim nga pesha e kujtesës në çaste kur ajo bëhet e papërballueshme, apo mos ndoshta do të shpërbënte edhe ato gjëra që nuk e kemi luksin t’i humbasim?
Kjo është një nga pyetjet që qëndron në qendër të romanit të autorit Andreas Dushi, “Në besë të tatuzahit tënd” – një roman që del jashtë formës tradicionale të rrëfimit, për të sjellë një histori, e cila trajton pikërisht çështje të identitetit, të shkuarës, sfida të shëndetit mendor, kujtesës.
Në episodin më të fundit të Apostrof Podcast, Dushi jep një përgjigje përtej romanit në lidhje me të shkuarën dhe peshën herë-herë shtypëse të kujtesës. Ai përmend një teori, e cila sugjeron kujtesa transmetohet përmes ujit, i cili duke qenë një nga elementët e përhershëm të organizmit, transmeton heshturazi kujtesën mes individëve dhe brezave.
Por, nëse kujtesa nuk ruhet vetëm në mendje por në trup, çfarë do të thotë kjo për njeriun? Po nëse trauma nuk është thjesht një kujtim, por diçka që e mbartim fizikisht, në trup, në gjak, në vetë heshtjen tonë? Nëse do të përpiqeshim të harronim, çfarë ekzaktësisht do të humbisnim në këtë rast?
Personazhet në romanin e Dushit gjenden në një lloj përpjekjeje të vazhdueshme për t’u arratisur nga vetja. Një baba, që kërkon të kthejë kohën pas dhe të rinohet. Një djalë, që kërkon të rritet sa më shpejt me shpresën se do të shpëtojë nga problemet e shëndetit mendor. “Në besë të tatuzahit tënd” është një roman i shkruar me një stil të qetë, një rrëfim i shtruar, i cili nuk ‘bërtet’ në asnjë moment, por njëkohësisht vibron i gjithi nga gjërat që personazhet lënë pa thënë.
Na pëlqen t’i themi vetes se të harrosh është një formë shërimi, por a është kjo e vërtetë, apo mos ndoshta thjesht e kemi të pamundur të reflektojmë rreth gjërave që na formësojnë dhe na bëjnë këta që jemi? A mund t’ia nisim nga e para nëse nuk presim rrënjët e vetë identitetit tonë? Po, a mund të rritemi dhe të bëjmë përpara nëse e zbrazim të shkuarën që na bën këta qe jemi?
Ndonjëherë është më e lehtë të fshish se sa të përballesh me të kaluarën. Por, nëse harrojmë gjithçka, nga frikërat te dështimet dhe trashëgimia, a bëhemi vërtet më të lirë, apo thjesht më të zbrazët?
Ndoshta nuk është e shkuara armiku ynë. Ndoshta shqetësimi dhe parehatia që ajo na sjell janë prova e fundit se vazhdojmë ta njohim veten.
Episodi i 23-të i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00.
Te gjithë jemi mërgimtarët e së shkuarës sonë. Fjodor Dostrojevski.