Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit priti sot në një vizitë zyrtare Rektorin e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj (FOTO)

3 Qershor 2025, 18:07Kulturë TEMA
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit priti sot në një vizitë zyrtare Rektorin e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj. Takimi me Kryetaren e Autoritetit, znj. Gentiana Sula, synoi nxitjen e një bashkëpunimi konkret për përfshirjen e universiteteve publike në procesin e dokumentimit dhe ndriçimit të së kaluarës komuniste, përmes përdorimit shkencor të arkivave të ish-Sigurimit të Shtetit.

Prof. Dr. Gjuraj vlerësoi rolin e Autoritetit si një urë e rëndësishme ndërmjet brezit të ri dhe kujtesës historike:

“Historia shpesh është një keqkuptim i gjatë dhe ka nevojë për një rishikim të ndershëm. Dosjet, fotografitë dhe dokumentet e ruajtura në këtë institucion janë të një vlere të veçantë për studimet akademike, të cilat duhet të jenë të shoqëruara nga burime dhe dëshmi konkrete. Universitetet tona mund dhe duhet të angazhohen për të hulumtuar jetët e individëve dhe ngjarjet tragjike që nuk kanë marrë ende dritën që meritojnë.”

Znj. Sula nënvizoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi:
“Autoriteti mirëpret çdo nismë nga institucionet arsimore për të sjellë të vërtetën më afër brezave të rinj. Këto dokumente nuk janë vetëm histori – janë dëshmi që ndihmojnë në forcimin e demokracisë dhe në përpunimin e së shkuarës.”

Në takim u diskutua gjithashtu organizimi i një simpoziumi të përbashkët shkencor, që do të zhvillohet në bashkëpunim me Universitetin e Shkodrës dhe Bashkinë e Shkodrës. Ky simpozium do të trajtojë ngjarjet në kufi dhe metodat e ndjekura nga Sigurimi i Shtetit për kontrollin dhe shtypjen e popullsisë në këtë qark gjatë periudhës së diktaturës. Simpoziumi do të shërbejë si platformë për të ekspozuar fakte, emra dhe dëshmi që lidhen me personat e vrarë apo zhdukur në përpjekje për të kaluar kufirin, si dhe për të trajtuar aspektin memorial dhe përgjegjësinë ndaj brezave të rinj.

Znj. Nertila Seitaj, Drejtore e Drejtorisë së Procesit te Verfikimit dhe Rikuperimit të Personave të Zhdukur, solli ne vëmendje se simpoziumi që do të mbahet së shpejti në Shkodër, në bashkëpunim me Universitetin dhe Bashkinë ka nxitur interesin e studiuesve dhe synon me tej ngritjen e një memoriali kujtese në këtë qytet.

Ne takim, u theksua rëndësia e hapjes së praktikave kërkimore dhe mësimore në ambientet e Autoritetit për studentët e universiteteve, për të përgatitur tema diplome apo projekte të thelluara mbi historinë e komunizmit dhe pasojat e tij në jetën e njerëzve.

Lini një Përgjigje