Aldo RAGONE,
Pianist koncertist, D.M.A. Profesor i Pianos, Itali
Profesioni im si muzikant shpesh më ka çuar jashtë vendit tim të origjinës dhe, për këtë arsye, kam pasur mundësi të luaj, të jap mësim dhe të studioj jashtë vendit, duke njohur realitete kulturore të ndryshme. Në tre kontinente të ndryshme, gjatë qëndrimeve të mia në vende të ndryshme, ishte e pashmangshme të krahasoja botën muzikore italiane me atë të vendeve të tjera. Në mënyrë të pazakontë, nga të gjitha vendet që pata mundësi të vizitoja, njëri në veçanti më bëri më shumë përshtypje se të tjerët, Azerbajxhani.
I shtrirë mes Azisë dhe Evropës, i kufizuar në lindje nga Deti Kaspik dhe në perëndim nga vargmalet e Kaukazit, ky vend i vogël euro-aziatik (i vogël vetëm për nga madhësia, por i madh në tradita), në zhvillim të shpejtë ekonomik dhe me prestigj ndërkombëtar, ruan dhe shpreh një vëmendje të veçantë me krenari të kuptueshme për muzikën klasike.
Vizitat e mia në Azerbajxhan datojnë në vitet 2017 dhe 2018, vizita që i konsideroj ngjarje të lumtura në veprimtarinë time profesionale. Në veçanti, atëherë pata mundësinë të luaj dhe të zhvilloj dy masterklasa disa ditore për studentët e Akademisë Kombëtare të Muzikës në Baku, institucioni kryesor i studimeve muzikore në vend. I zhytur në atë mjedis të ri muzikor, u ambientova shpejt, duke u ndjerë thellësisht i impresionuar. Pasi takova talente të rinj të shkëlqyer dhe disa nga pedagogët më të njohur, pata rastin të dëshmoj personalisht një entuziazëm dhe respekt për muzikën klasike që është tepër e rrallë të gjendet mes të rinjve italianë, madje edhe në radhët e studentëve të Konservatorëve tanë. Duke ndjekur marrëdhëniet profesionale dhe miqësore që krijova me disa muzikantë të atij vendi, mësova për prestigjin që qeveria azerbajxhanase u atribuon artistëve të saj dhe për vlerësimin që i jep traditës muzikore kombëtare. Kjo traditë është rezultat i ndërthurjes së shkollës ruse-sovjetike me pasurinë mahnitëse të muzikës azerbajxhanase, stili i së cilës është fryt i bashkimit të ritmeve dhe kromatizmave me ngjyresë të fortë orientale, të ndikuara nga muzika klasike perëndimore, si dhe nga Turqia dhe Persia e lashtë.
Pasioni për muzikën kombëtare është i jashtëzakonshëm mes muzikantëve azerbajxhanas, deri në atë pikë sa çdo student ose profesionist shpesh përfshin në programet e tij të studimit ose koncerteve vepra të Beethoven, Bach, Chopin krahas atyre të Fikret Amirov, Kara Karayev apo Arif Melikov, për të përmendur disa. Edhe unë, pas zbulimit emocionues të muzikës klasike azerbajxhanase, kam interpretuar në koncerte të ndryshme pjesë nga Melikov, Amirov, Magomayev dhe Ceyhun Allahverdiyev, një kompozitor dhe pianist fantastik që pata kënaqësinë ta takoja gjatë një prej edicioneve të Konkursit dhe Festivalit Pera Piyano në Stamboll, ku të dy ishim anëtarë jurie. Maestro Allahverdiyev është professor i kompozicionit në Akademinë Kombëtare të Bakusë, si dhe Artist i Popullit, një titull i rezervuar për personalitetet artistike më të shquara të vendit. Me rekomandimin tim, disa studentë të mi kanë mësuar dhe interpretuar gjithashtu pjesë nga kompozitorë të Azerbajxhanit, aq sa njëri prej tyre, në vitin 2021, fitoi “Konkursin Ndërkombëtar Muzikor Kara Karayev”.
Italia është një vend me traditë të madhe muzikore, një traditë që ka mbizotëruar në zhanre vokale dhe melodramatike, në dëm të asaj instrumentale. Të shumtë janë adhuruesit e Palestrinës, Monteverdit, Rossinit, Bellinit, Donizetti, Verdi apo Puccini, por të paktë janë ata që njohin ose konsiderojnë veprat instrumentale të Sgambati, Martucci, Respighi apo Castelnuovo – Tedesco.Gjatë një takimi me kolegë mësues ku u vendosën programe të reja për studimet akademike të pianos, më duhej të duroja “blasfeminë” e një kolegu, i cili, me shkujdesjen më të madhe, tha se nuk i mungonin aspak autorët italianë mes veprave të interpretuara nga studentët. Kjo mungesë konsiderate për repertorin instrumental kombëtar është për fat të keq shumë e përhapur midis muzikantëve italianë. Në këtë kuptim, besoj se Azerbajxhani, i pari ndër vendet e botës myslimane që pa, në vitin 1908, krijimin e një zhanri të tij lirik kombëtar me “Layla dhe Majnun” të Uzeyir Hajibeyov, ndryshe nga Italia, dëshmon një hapje ndaj një kulture muzikore më gjithëpërfshirëse, që nuk diskriminon, por përkundrazi e pasuron trashëgiminë e vet në të gjitha format. Hajibeyov, 140-vjetori i të cilit do të festohet këtë vit më 18 shtator (Dita Kombëtare e Muzikës së Azerbajxhanit), njihet si babai i muzikës klasike azerbajxhanase. Ai kompozoi muzikën e himnit kombëtar të Republikës Demokratike të Azerbajxhanit (që u rivendos pasi Azerbajxhani rifitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991).
Ekziston jo vetëm një krijmtari e pasur vokale dhe instrumentale, por edhe një stil kombëtar në zhanrin e xhazit, Xhaz-mugham, i themeluar nga kompozitori dhe pianisti Vagif Mustafazadeh. (E bija e tij, Aziza Mustafazadeh, është gjithashtu këngëtare, pianiste dhe kompozitore e njohur, e cila luan një kombinim të xhazit dhe mughamit me ndikime klasike dhe avangarde). Arsyeja përkëtë qëndrimi të hapur dhe pa paragjykime nga kolegët azerbajxhanas buron mbi të gjitha nga mënyra se si vendi ka kombinuar ndikimet e ndryshme kulturore që janë përqendruar atje me kalimin e kohës. Ecuria evolucionare e gjuhës muzikore dhe gjerësia e saj duhet të ketë dëshmuar tashmë se ndryshimet, por edhe ndërthurjet, janë të natyrshme në krijimtarinë muzikore dhe më gjerë. Vizioni muzikor i muzikantëve azerbajxhanas është i jashtëzakonshëm, pasi në veprat dhe interpretimet e tyre muzika klasike perëndimore ndërthuret me ritme dhe harmoni orientale.
Muzika klasike duhet gjithmonë të konsiderohet një shtyllë në një shoqëri të përparuar, studimi i një instrumenti muzikor një vlerë e shtuar për individin. Unë besoj se Azerbajxhani përbën një shembull të shkëlqyer në këtë drejtim. Një model përkushtimi dhe vlerësimi të forcave krijuese të popullit të tij, duke ruajtur pasurinë e një tradite muzikore si një pikë referimi të domosdoshme për qytetërimin, dimensionin shpirtëror dhe si një instrument i bashkimii paqësor të popujve.
Po ti nuk ke degjuar muzikotellallet tourkalvanoi, birazeret e azereve.....spesialista te....sumes!!!