Baleti i kushteve të vështira, Baleti Kombëtar i Kosovës del i pari në Festivalin e Elbasanit

2 Maj 2024, 12:33Kulturë TEMA
Baleti i kushteve të vështira, Baleti Kombëtar i Kosovës del

Shfaqja “Time”, produksion i Baletit Kombëtar të Kosovës, është shpërblyer me çmimin e parë të festivalit “Albanian Dance Competition, Creativity&Interpretation”, për koreografinë më të mirë, mbajtur në qytetin e Elbasanit. Edicioni u mbajt ditën e Hënë dhe morrën pjesë 87 shfaqje.

Përgëzimet i takojnë koreografit të shfaqjes Taulant Shehu dhe balerinëve të BKK, të cilët kanë arritur të krijojnë një produkt të jashtëzakonshëm, të cilin pati mundësi ta shijojë edhe audienca e Elbasanit. Ky është edicioni i tretë i këtij festivali mbarëkombëtar që zhvillohet në Elbasan dhe përfshin artistë dhe grupe artistësh nga të gjithë trevat.

Ndërkohë, BKK-ja është prej institucioneve me kushtet më të vështira. Dy punonjës të skenës që i shërbejnë Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës, çdo ditë pak pas mesditës shkojnë në sallën e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve, “Shota”. Në orën 13:00, kur përfundojnë ushtrimet e provat e ansamblit të “Shotës”, ata nisin të shtrijnë mbi parket llastiqet prej linoleumi që duhet t’u shërbejnë balerinëve për ushtrime e prova. Mbi to më pas duhet të vendosen levat pa të cilat nuk punohet.

Ajo që bëhet aty është mjerim për institucionin. Pos anës organizative që merr kohë, detyrimit për vendosje e heqje të llastiqeve në baza ditore, kostos së ngjitësit prej 20 eurosh çdo ditë, ambienti nuk është ai i ushtrimeve. Po qe se balerinët sforcohen për leva, ato lëvizin pasi në kushte normale duhet të jenë të ngjitura në mure. Dhe ky është imazhi i prapaskenës së institucionit shtetëror të baletit. A.K./TemA

Lini një Përgjigje