Besmir Korça është një muzikant rruge, që me saksofonin e tij sjell shpirt në qytetin historik të Prizrenit.
Është nga qyteti i serenatave, nga Korça, por prej katër vitesh e quan Prishtinën shtëpi. Megjithatë rrugët nuk e mbajnë gjatë në një vend.
E takuam në sheshin “Shatërvan” të Prizrenit – një prej zonave më të gjalla të qytetit, ku historia përplaset me ritmin modern të jetës.
“Gjynah të mos vish këtu. Shumë turistë vijnë nga e gjithë bota,” thotë saksofonisti.
Repertori i tij është po aq i larmishëm sa dhe rrugët që përshkon, nga serenatat korçare, që i rikthejnë kujtesës rrugicat me kalldrëm të qytetit të tij të lindjes, te këngët popullore shqiptare dhe hitet botërore. Kujton se ka nisur të luajë që në moshën 15-vjeçare.
Për Besmirin, Prizreni nuk është vetëm një stacion. Është një pikë takimi mes artit dhe jetës së përditshme. Një vend ku muzika nuk ka nevojë për skena të mëdha për të prekur zemrat e njerëzve, transmeton rtsh.
Lini një Përgjigje