Në prag të pjesëmarrjes së Shqipërisë në Bienalen e 61-të të Venecias, u zhvillua një bisedë publike ku ishte i pranishëm edhe artisti përfaqësues, Genti Korini.
Biseda solli në vëmendje procesin e përzgjedhjes së projektit përfaqësues, konceptin artistik të projektit “A Place in the Sun” të Genti Korinit dhe qasjen kuratoriale që qëndron pas tij.
Gjatë diskutimit u vlerësua rëndësia e këtij momenti për artin bashkëkohor shqiptar, për rolin e institucioneve publike në përfaqësimet ndërkombëtare dhe për mënyrat se si bashkëpunimi ndërmjet aktorëve institucionalë dhe atyre të pavarur forcon praninë dinjitoze ndërkombëtare të Shqipërisë në skenën e artit.
Të pranishëm në diskutim ishin zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Arteve, Adela Demetja, Elian Stefën (drejtor i Albanian Visual Arts Network) etj.
Genti Korini do të përfaqësojë Shqipërinë në Bienalen e 61-të të Artit në Venecia me projektin e tij “A Place in the Sun”.
Ky projekt u përzgjodh prej jurisë së përbërë nga Adela Demetja, Katerina Gregos, Blanche de Lestrange, Elian Stefa dhe Arnisa Zeqo, si projekti më bindës ndër 17 aplikimet e pranuara përmes thirrjes së hapur. Juria tha se: “Projekti spikat për thellësinë e kuadrit të tij konceptual dhe për saktësinë e realizimit vizual. Duke ndërthurur kërkimin arkivor, folklorin dhe imagjinatën, Korini eksploron mënyrën se si kujtesa kolektive dhe ideologjia formësojnë identitetin dhe hapësirën, duke endur lidhje mes së shkuarës shqiptare dhe ndërthurjeve të saj me Bashkimin Sovjetik”.
Biseda publike u organizua nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Galeria Kombëtare e Arteve, në bashkëpunim me Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD). A.K./TemA
Artistet e Lalit, kudo jane po ato emra dhe fytyra