“Fillimet” nga UET Press / Preç Zogaj, takim me protagonistët e ’90-’92, dëshmi dhe reflektime për ngjarjet që ndryshuan Shqipërinë

11 Dhjetor 2025, 19:55Kulturë TEMA
“Fillimet” nga UET Press / Preç Zogaj, takim me


Në momentet vendimtare janë një grusht ushtarësh që tregojnë drejtimin e historisë, shkruante autori spanjoll Javier Cercas në librin “Ushtarë të Salaminës”, romani i njohur që ndërthur rrëfimin historik me reflektimin personal për ditët e fundit të Luftës Civile Spanjolle. “Edhe Shqipëria në vitet ‘90-‘91 i ka njohur një grusht ushtarësh të Salaminës, që çanë rrugën e historisë, të cilët u kthyen nga jeta e zakonshme dhe përmbushën akte të jashtëzakonshme.”

Me një paralelizëm të tillë e nisi fjalën publicisti Preç Zogaj, në takimin që bëri bashkë protagonistët e viteve 1990-1992 dhe të ngjarjeve që ndryshuan Shqipërinë. Shkak u bë botimi i dytë nga UET Press i librit të tij “Fillimet”, i cili sjell zhvillimet e vrullshme të atyre dy viteve vendimtare për të ardhmen, parë nën dritën e fakteve, dokumenteve arkivore dhe rrëfimeve të mbledhura nga Zogaj, i cili ishte dëshmitar, pjesëmarrës aktiv e njëkohësisht protagonist i ndryshimit.

“Janë fillime ku u plazmuan kohët që jetuam dhe jetojmë. U plazmuan 35 vite. Janë fillime që vazhdojnë dhe nuk mbesin atje”, u shpreh Zogaj, duke e cilësuar këtë takim me bashkëkohësit, bashkëpunëtorët dhe kolegët si më të bukurin dhe më të rëndësishmin në rrugëtimin e tij si autor librash.

Ai sqaroi se evidentimi i rolit të disa njerëzve të zakonshëm që prodhuan ngjarje të jashtëzakonshme ishte motivi për të shkruar librin “Fillimet” dhe për të realizuar këtë takim me rastin e 35-vjetorit të rrëzimit të regjimit komunist dhe lindjes së filizave të parë të demokracisë.

“Jemi mbledhur për t’u parë me njëri-tjetrin, për të kujtuar, për të reflektuar dhe për të treguar e dëshmuar se ndryshimi në Shqipëri, demokracia në Shqipëri ka qenë e vërtetë, e pastër, e çiltër. Në koncertin e madh të lirisë që përjetoi gjithë bota lindore komuniste, shqiptarët marrin pjesë me aktet e tyre, me aktet e njerëzve të thjeshtë.”

Autori Preç Zogaj kërkoi më tej nga të pranishmit mbajtjen e një minute heshtjeje për të gjithë dëshmorët e demokracisë, siç i cilësoi ai, personazhet dhe figurat që luftuan për të sjellë ndryshimin, kërkuan me forcë që Shqipëria të bëhej si gjithë Evropa, disa prej të cilëve e paguan edhe me jetë, si Josif Budo apo Arben Broci.

“Një urë mes kujtesës historike dhe rrëfimeve personale”, e quajti librin kryeredaktorja e shtëpisë botuese UET Press, znj. Suadela Balliu, teksa shtoi se autori nuk bën vetëm rrëfimin e ngjarjeve siç i ka parë si dëshmitar, por ka mbledhur rrëfime politike, dëshmi të kohës, dokumente arkivore dhe reflektimet e tij.

Takimi me protagonistët, i mbajtur në godinën “Iliria” në Qytetin Studenti, vendin ku buçitën thirrjet e para për liri dhe demokraci nga ata që ishin nismëtarët dhe luftëtarët më të zellshëm – studentët –, vijoi me kujtimet dhe reflektimet e disa prej protagonistëve të atyre viteve, ku secili luajti rolin dhe bëri detyrën e vet për shoqërinë.

Gjergj Livadhi, i pari që e nisi këtë sagë dëshmish, tregoi për 14 janarin e vitit 1990 dhe për betimin shkodran për të rrëzuar bustin e Stalinit, për të vijuar më tej me Rexhep Rrugejën, njeriun që hodhi i pari parullat “Poshtë komunizmi, Liri-Demokraci”, në ndeshjen Besa–Partizani në Kavajë, më 25–26 mars.

Ylli Bodinaku kujtoi korrikun e 1990-ës të hapjes së ambasadave, kur mijëra të rinj e familje u strehuan në selitë diplomatike për të shkuar më tej drejt vendeve europiane. Ai vetë u bë protagonist duke shembur me makinë murin e ambasadës gjermane, për çka u dënua me 10 vite burg.

Një tjetër ngjarje dramatike e atij korriku ishte vrasja e 22-vjeçarit Josif Budo, i cili hyri në histori si dëshmori i parë i demokracisë. Lëvizjet e atyre ditëve në Kavajë erdhën nëpërmjet rrëfimit të Taulant Biturkut, student i dhjetorit dhe themelues i PD-së.

Shkrimtarja Vera Bekteshi, ish-e internuar nga regjimi, solli në kujtesë momentet e arratisjes së Ismail Kadaresë, i cili mori linjën Tiranë–Paris me mendimin për të kërkuar azil politik në Francë.

Një tjetër student i Dhjetorit, Spiro Çura, kujtoi ngjarjet në sheshin “Studenti”, ku u elaboruan kërkesat për pluralizëm politik. Fill pas këtyre ngjarjeve erdhi edhe themelimi i partisë së parë opozitare. Arben Demeti, ish-themelues i Partisë Demokratike, dhe Elsa Ballauri, dëshmitare e orës së parë, pagëzuesja e emrit të këtij subjekti politik, sollën reflektime për ato momente të rralla historike, euforinë, gëzimin dhe shpresën rinore për një të ardhme shumë herë më të mirë.

Përkrah partisë së parë erdhi edhe krijimi i medias së parë opozitare, “Rilindja Demokratike”, misioni dhe puna e së cilës erdhën përmes fjalëve të kryeredaktorit të parë, Frrok Çupi.

Ilir Dizdari, nënkryetar i Komisionit të Grevës së Urisë, dhe Gëzim Kalaja kujtuan betejën e studentëve për të hequr emrin e Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës, akt që kulmoi me organizimin e grevës së urisë, e cila i detyroi drejtuesit e kohës të plotësonin kërkesat e të rinjve.

20 shkurti i vitit 1991 shënoi momentin simbolik të rënies morale të regjimit. Astrit Hatellari rrëfeu momentin kur mori guximin dhe u ngjit për t’i vënë litarin bustit të Enver Hoxhës, i cili më pas u tërhoq zvarrë nga protestuesit.

Një figurë kyçe e Lëvizjes së Dhjetorit, por edhe e viteve që pasuan më pas, si politikan dhe pjesë e Partisë Demokratike, ishte Azem Hajdari. Bashkëshortja e tij, Fatmira Hajdari, risolli në kujtesë momentet kur u njoh me vendimin e tij për t’u nisur drejt një rruge të panjohur, fundin e së cilës as vetë nuk mund ta parashikonte.

Rrëfimi i protagonistëve vijoi me ish-nënkryetarin e Partisë Demokratike, Neritan Ceka, i cili foli për rolin e kësaj partie në proceset politike dhe formimin e institucioneve të reja, një rrugë që nisi e qartë por u mjegullua ndër vite.

Lini një Përgjigje