Në shkurt të vitit 1991, pas themelimit të Partisë Demokratike, organizatorët nisën procedurat për zgjedhjen e kryetarit. Në atë kohë, Azem Hajdari ishte kryetar i komanduar, ndërsa formimi i fraksioneve po bëhej gjithnjë e më i dukshëm. Në votim u hodhën dy emra: Azem Hajdari dhe Aleksandër Meksi, dhe fitues doli ky i fundit.
Pas shpalljes së rezultatit, Hajdari dhe Arben Imami reaguan me revoltë, duke deklaruar se kjo nuk ishte partia që kishin themeluar studentët. Preç Zogaj, në librin “Fillimet” të botuar nga UET PRESS, shprehet se ishte ai që kërkoi pavlefshmërinë e procesit, pasi shumë prej atyre që kishin votuar nuk kishin të drejtë ta kryenin këtë proces. Kjo solli anulimin e votimit dhe hapi rrugën për zgjedhjen e kryetarit legjitim.
Ngjarjet precipituan falë një sherri që shpërtheu në komision pasditen e datës 10 shkurt në lidhje me përbërjen e një delegacioni që do të shkonte në një takim me Ramiz Alinë. Kontestatorët e Azemit e kundërshtuan me forcë përfshirjen e tij në delegacion, duke më propozuar e zgjedhur mua në vend të tij. Në fillim nuk i dhashë rëndësi. Por kur e pa se nuk po kundërshtoja, Berisha më tha mënjanë: “Mospërfshirja e kryetarit të partisë në këtë delegacion do të thotë se e kemi shkarkuar”. Kishte të drejtë. Nuk u mendova dy herë për t’u tërhequr, duke i lënë të zhgënjyer kontestatorët e Hajdarit. Emocionet, qofshin edhe të bazuara, nuk mund ta cënonin në atë shkallë solidaritetin tonë sa të shkarkonim de facto drejtuesin e Lëvizjes, kryetarin formal të partisë, të cilin e kisha mik dhe e pranoja si një kryetar kalimtar me veset e tij të lartësisë së virtyteve, me defektet e tij të lartësisë së meritave. E doja dhe e çmoja pikërisht se nuk ishte linear, se jetonte brenda aventurës, dyzimeve dhe një guzimi më shumë të verbër se të matur. Pa të gjitha këto nuk do të kishte qenë e nuk do të ishte Azemi që kishim njohur e do të njihnim.
Azem Hajdari ishte lehtësisht i zëvendësueshëm si kryetar partie, madje drejt me e thënë, ai nuk e kishte ushtruar asnjë ditë funksionin e drejtimit të një grupi njerëzish më të mëdhenj se ai në moshë, të cilët nuk i shihte as si rivalë, as si rrezik. Azemi konkuronte sipas meje në sfera të tjera, për sfida të tjera më popullore, më të epërme, që nuk kishin lidhje me jetën e partisë në atë kuptimin që kishte ngulitur doktrina puniste e partisë mbi të gjitha.
Në këto sfera ma merr mendja se e kishte vetëdijen e të qënit unik, i pazëvendësueshëm. Me mëtimin se kupa e arrogancës dhe arbitraritetit të Azemit ishte mbushur e nuk mbante më, kontestatorët e tij kërkuan me forcë, do thosha në një formë ultimative, po atë pasdite, votimin e kryetarit të partisë. Caktuan edhe datën: të nesërmen paradite. Kush ishte për një kryetar të votuar le të vinte të hidhte votën. Kush ishte për xhungël e rrumpallë le të vazhdonte rrugën e tij! Të nesërmen në 11 shkurt Komisioni u mblodh në selinë e vogël të partisë. Azemi dhe Imami rrinin në një kafe afar selisë. Nuk donin të vinin. Dikur erdhën. Azemi kishte një pamje të vrarë. Mundohej të qeshte dhe ndoshta i vinte përnjimend për të qeshur: fati po e përballte me një shaka të huaj për natyrën e tij prej tribuni. E qeshura i dilte sterile dhe sikur e tjetërsonte. Kontestatorët e tij ishin të qetë, madje paksa të ndrojtur. Ishin marrë vesh si do të procedonin, e kishin ndarë mendjen t’i shkonin në fund asaj që kishin në mendje. Me gojën e Merita Zaloshnjës rikapituluan qëndrimin e tyre, duke theksuar se partia nuk mund të vazhdonte asnjë ditë më tej me kryetar të pavotuar.
Berisha dhe “grupi i tij” dëgjonin në heshtje mendjetretur. Nuk ishte kërkush kundër zgjedhjeve në parim, e dinim të gjithë se me krijimin e degëve në rrethe po shkonim drejt forumeve të votuara, se të gjithë do të kalonim në kudhrën e votimit të fshehtë. Pse duhej të nguteshim për kryetarin? Çfarë tagri kishim ne të votonim një kryetar, kur vetë ishim të pavotuar? Nga krahu tjetër u përgjigjen se kishim tagrin e nismëtarëve, të themeluesve, të njëjtin që kishim patur kur kishin zgjedhur Azemin kryetar.
E kotë t’u kërkoje të përmbaheshin, të prisnin edhe ca kohë. Në vështrimin e tyre kishin ndodhur gjëra të patolerueshme për atë që populli na dinte. “Populli ka varur shpresa të mëdha te ky komision, populli na njeh për heronj, kurse kryetari ynë…”. “Nëse populli na njeh për heronj, na njeh parasëgjithash për shkak të Azemit”- replika jonë. Donim ta shtynim votimin, me qëllim që të fitonim kohë e të përgatiteshim dhe “ne”, siç duhej qartë se ishin përgatitur “ata”. Por Azemi, vetë Azemi, i nxehur dhe konfuz si ata luftëtarët që ftohen në arenë me provokime, ngulmoi të votohej. “Ata” propozuan Aleksandër Meksin si kandidat për kryetar Partie. Kandidati tjetër ishte kryetari në detyrë, Azem Hajdari. U përgatiten pusullat e votimit me emrat e të dyve.
Demeti i shpërndau si letra loje për secilin prej anëtarëve të pranishëm. U votua shpejt e shpejt, dikush duke u kthyer me shpinë, dikush duke mbuluar me pëllmbën e hapur të dorës pusullën e vet. Azemi, në inat e sipër dhe më një ndjenjë vetshkatërruese sigurie, votoi hapur kundër vetes. Por në rezultatin përfundimtar, kjo votë u thjeshtua me atë të Meksit, për të cilin u tha se kishte votuar gjithashtu kundër vetes dhe kur u pyet nga zoti Demeti pse e kishte bërë këtë dha këtë përgjigje: “Isha afër me Azemin. Kur unë po votoja, ai zgjati kokën për të parë kujt po i hiqja vizë, prandaj ia hoqa vetes”. Votat u hodhen në tryezë, u hapën dhe u numëruan në sy të të gjithëve. Meksi fitoi. Atë çast ai ishte kryetari i ri i Partisë Demokratike. I votuar. Në komision ra heshtja. Asnjë duatrokitje, asgjë gjest nga ato që festojnë një fitore, urojnë një fitues. E pra partia më e madhe opozitare sapo kishte zgjedhur kryetarin e ri. Dukej sureale gjithçka. Me urtësinë e tij Meksi më kishte ngatërruar kur e kishin propozuar dhe vazhdonte të më ngatërronte me heshtjen e tij timide, a thua nuk besonte as vetë se sapo ishte zgjedhur kryetar i një partie që kishte lindur e vazhdonte të ngrihej në imazhin e një shkëmbi mes tallazeve të periudhës. Ndërkaq një shpërthim po fryhej mes heshtjes që kishte pllakosur dhomën e vogël ku kishim votuar.
Azem Hajdari dhe Arben Imami brofën në këmbë njëri pas tjetri, duke deklaruar largimin e tyre nga Partia Demokratike. “Kjo nuk është më Partia Demokratike që krijuam me studentët në qytetin “Studenti””, tha Azemi më një zë të mpakur. “Mbajeni”, thirri në të ikur. Nuk më kujtohet a shtoj “nuk do ta gëzoni”, por ky paralajmërim- kërcënim po nxirrte flakë në vështrimin e tij prej të vjedhuri. Ikën. Ai dhe Imami.
Ikja e tyre la pas një lloj fikjeje apo stakimi të të gjithëve. Meksi me mbështetësit e tij dukeshin të tronditur, e njihnin forcën e dy të ikurve, nuk e kishin pritur me sa duket që ata të reagonin ashtu. Rrinim kokulur e pa fjalë të gjithë, jo sikur sapo kishim zgjidhur për herë të parë me votë të fshehtë kryetarin e partisë- çfarë do të ishte vërtetë një ngjarje për tu festuar- por sikur na ishin vrarë shokët. U ngrita dhe thashë se duhej ta konsideronim të paqenë votimin që kishim bërë. Ne ishim Komision Nismëtar, nuk ishim zgjedhur me votim të fshehtë, e dinim të gjithë si ishim zgjedhur, e dinim të gjithë pse kishim pranuar Azemin kryetar provizor. Ngulmova se nuk kishin tagër të bënim atë që kishim bërë, se nuk do të arrinim asgjë me atë që kishim bërë. Por meqë kishim ardhur në këtë pikë sa të rrezikonim çarjen e Partisë, atëherë lë te shkonim drejt zgjedhjes normale të kryetarit në aktivin e partisë që do të mblidhej pas pak ditësh. Berisha mbështeti propozimin tim për t’u votëbesuar të gjithë në aktiv dhe paralajmëroi reagime të publikut nëse nuk kthehej arsyeja, domethënë nëse nuk anullohej votimi. Zot i madh! Do të ngriheshin dy PD kundër njëra tjetrës. Meksi me shokë nuk e mbrojtën fitoren e tyre. Ndoshta i përfshiu katastrofizmi i përçarjes së Partisë edhe ata. Por nuk përjashtohej mundësia të ndiheshin të kënaqur edhe duke e lëshuar për momentin postin e porsafituar të kryetarit. Kishin arritur shumë. E kishin rrëzuar Azemin. Me votë të fshehtë. Votimi mund të anullohej për Meksin që kishte fituar, por nuk kishte sens të konsiderohej i anulluar për Azemin që kishte humbur. Na kishin dhënë një mësim edhe ne të tjerëve. I kishin hapur ndërkaq rrugën zgjedhjes me votë të fshehtë të një kryetari legjitim.
Po e ngrinin organizimin dhe funksionimin e partisë në një stad cilësisht të ri, ku drejtuesit e çdo niveli do të zgjidheshin me votë. Meritonin përgëzime. Po ta kishin kalkuluar si lojë atë që kishin bërë meritonin dyfish përgëzime. Në të vërtetë, “ata” kishin dashur ta merrnin kryetarin që atë ditë. Ikja demonstrative e Azemit dhe Imamit, kundërshtimet e Berishës dhe të miat, pasiguria apo mosdashja e Meksit për të vazhduar pa ne apo me ne kundër, sollën dorëheqjen tij fisnike dhe burrërore nga posti i porsafituar.
Mua s’më pritej të takoja Imamin dhe Azemin për tu njoftuar të rejat. I kërkova gjithandej në kafenetë rreth e rrotull por nuk i gjeta. Leka Meksi dhe Eduard Selami kishin shkuar ndërkohë në shtëpinë e Arbenit diku afër ATSHsë dhe atje i kishin gjetur. Na thanë se po pinin uiski, e kishin tharë një shishe
Lini një Përgjigje