
Teksa edhe ky vit është drejt fundit dhe të gjithë nxitojmë të krijojmë listat e librave, filmave apo albumeve muzikore të preferuara, duket e pamundur ta shmangësh ritualin e renditjeve dhe aspiratave për vitin e ardhshëm, sado të jesh kundër përpjekjes për të shndërriuar shijet personale në udhëzime publike se çfarë meriton më shumë a më pak vëmendje. Zgjedhjet e mëposhtme janë subjektive, jokonsistente dhe me gjasë tregojnë më shumë për zakonet vetjake të leximit se sa për vetë librat e përmendur.
Megjithatë, përmes tyre ravijëzohet një vit letrar mjaft i gjallë, ku autorët shqiptarë – veçanërisht autoret – duket se mbartën në shpatullat e tyre stinën kulturore, ndërkohë që shumë prej nesh parapëlqyem si zakonisht të ankohemi nëpër rrjete sociale. Por, nëse letërsia shërben, ndër të tjera, edhe si pasqyrë e klimës emocionale të një vendi, atëherë 2025-a ishte viti kur veçanërisht gratë shqiptare parashikuan një stuhi, kohë përpara se të gjithë ne të mund të pikasnim retë në horizont.
Më poshtë, janë pesë vepra të cilat mbeten akoma brenda meje, ose më saktësisht, pesë libra që do të isha i gatshëm t’i mbroja publikisht (edhe pse janë mjaftueshëm të arrirë për të mos patur nevojë për mbrojtje).
“Të Poshtëruar” – Lea Ypi
Është e pamundur, pavarësisht çdo përpjekjeje, t'i shmangesh këtij libri. Sado që të tentosh të mos flasësh për të, “Të Poshtëruar” refuzon të anashkalohet. Pjesërisht memuar, pjesërisht filozofi dhe reflektim politik, ky është një libër përmes të cilit Ypi zgjeron terrenin që hapi me librin e saj të parë, “Të Lirë.” Këtë herë, autorja ndjek impaktin e shpërbërjes së perandorive mbi popujt e rajoneve dhe vendeve periferike. Në Ballkan perandoritë vijnë dhe ikin, bien, shkrumbohen, ndërsa njerëzve s’iu mbetet tjetër veçse të mësojnë si të bashkëjetojnë me ndryshimet e vazhdueshme dhe pasigurinë, teksa njëkohësisht përpiqen të gjejnë dhe ruajnë dinjitetin mes kësaj trysnie të përhershme për t’i zvheshur prej tij. Por, ajo çka e bën “Të Poshtëruar” vërtet tërheqës, nuk është fakti se sa bie ose jo dakort ti si lexues me këndvështrimin politik të autores, por qartësia dhe tensioni narrativ me të cilat ajo paraqet konfliktet e saj të brendshme, duke i shndërruar kështu debatet politike abstrakte në dilema të jetuara. Është një libër që, pasi e lexon, mund të përfundosh duke diskutuar ethshëm me të – ndonjëherë edhe me zë të lartë – dhe pikërisht kjo e bën atë të domosdoshëm për t’u lexuar.
“Keqkuptimi” – Ledia Xhoga
“Keqkuptimi” është një nga romanet më intrigues dhe më me vetëbesim i shkruar nga një autore shqiptare këtë vit. I strukturuar rreth pamundësisë së kuptimit të vetes dhe të tjerëve – deformimeve që gjuha shpesh shkakton dhe mënyrës se si kujtesa riorganizon veten – romani na zbulon se si historitë që rrëfejmë në lidhje me njëri-tjetrin rrallëherë përputhen plotësisht me të vërtetën. Historia nis me disa keqkuptime personale të personazhit kryesor, të cilat gradualisht përshkallëzohen në diçka shumë më të madhe dhe shqetësuese, duke zbuluar se si kuptimi mund të shndërrohet në vetvete në një formë pushteti. Megjithatë, ajo çka e bën vërtet tërheqës këtë roman, është aftësia e Xhogas për të përcjellë me një sinqeritet të rrallë dhe thuajse çarmatosës përjetimin e gjendjes së ndërmjetme të të qenit emigrant sa në vendin e huaj ku shkon për të jetuar, po aq edhe në vendin tënd kur kthehesh. Është një përjetim i trajtuar rrallë në mënyrë kaq intime, të sinqertë, por edhe me mjaft humor, në letërsinë shqipe ndonëse është realiteti i një numri gjithnjë e më të madh njerëzish. Xhoga shkruan me mjaft efikasitet, pa ekzagjerime, duke ndërtuar kështu një rrëfim sa intim, aq edhe politik dhe duke na ofruar një vëzhgim se si frika e të kuptuarit të vetes, shpesh na bën që të keqkuptojmë edhe njëri-tjetrin.
“Në atë vend” – Ardian Vehbiu
Libri më i fundit i Vehbiut mund të lexohet pjesërisht si travelogue, pjesërisht si një meditim historik, por edhe si gërmim në kujtesën tonë kulturore. I ndërtuar në formën e fragmenteve të shkurtra, ku fraza “Në atë vend” e bën vendin për të cilin flitet sa të prekshëm aq edhe imagjinar, libri ndjek pikëtakimet e autorit me vende të shenjuara nga harresa, trauma, por edhe sedimente ideologjike. Vehbiu duket i interesuar këtu jo edhe aq për mënyrën se si e shkuara shpesh na përndjek, por për mënyrën se si peizazhet shpesh kthehen në palimpseste ngjarjesh, mitesh dhe heshtjesh. “Në atë vend” është një libër që arrin të riorganizojë ndjesinë tënde si lexues ndaj vendit dhe përkatësisë, duke na bërë të vetëdijshëm se sa shumë versione të një vendi mund të bashkëekzistojnë në të njëjtën hapësirë fizike.
“Girlhood at War: Interpreting War and Liberation in Kosovo” – Vjosa Musliu
Arsyeja e vetme përse nuk gjendet më lartë në renditje është se nuk e kam përfunduar ende, por edhe deri në gjysmë të tj, forca e këtij libri është e pagabueshme. Përgjatë 32 tregimeve të shkurtra, Musliu ndërthur narrativën personale, reflektimin etnografik, teori të feminizmit dhe historinë politike në një tekst që i reziston kufizimeve të imponuara nga zhanret letrare. Libri analizon se si shpaloset vajzëria në mes të një konflikti, impaktin e luftës ndaj identitetit, si trashëgohet kujtesa dhe se si trupi i gruas shndërrohet shpesh në fushëbetejë të dhunës dhe kuptimësisë. Është një vepër ambicioze intelektualisht, por që mbetet mjaft njerëzore në aspektin emocional dhe që ngre pyetje jo vetëm në lidhje me atë çfarë lufta shkatërron, por edhe cilat versione të vetes tonë ajo detyron të ekzistojnë dhe cilave jua heq këtë të drejtë.
“Merimanga dhe Pasvdekja” – Bashkim Shehu
Romani i Bashkihm Shehut shpaloset me kompleksitetin karakteristik të autorit, ku shkrihen bashkë parehatia metafizike dhe mënyra tejet elegante e të rrëfyerit. Romani ndjek historinë e Fatjon Matës, një ish i burgosur politik, trauma e të cilit, pas lirimit nga burgu me rënien e diktaturës, shndërrohet në material kulturor – një film – nga shoku i tij i dikurshëm i qelisë. Paralelisht me historinë e Fatjonit qëndron edhe hija e babait të tij të ndjerë, një figurë që kujtohet herë si hero e herë si tradhëtar, në varësi të atyre që e tregojnë historinë dhe asaj çfarë ata kanë nevojë të justifikojnë. Në këtë roman të vdekurit risillen në jetë, pa dëshirën e tyre, sa herë që të gjallët kanë nevojë të legjitimojnë diçka. Ndërkaq, vetë titulli, “Merimanga dhe Pasvdekja,” evokon pikërisht këtë vazhdimësi gati-gati parazitare të një pasvdekjeje, ku kujtesa kthehet në fillin që endet nga të tjerët dhe shtrihet për të mbushur hapësirat e lëna bosh nga heshtja e historisë.
Zëra të rinj që meritojnë vëmendje
“Imun” – Tobias Xhaxhiu
Pas “Memento Mori,” Tobias Xhaxhiu rikthehet me romanin e tij të ri, “Imun”, një libër që mund të shihet edhe si sozia e një ditari pandemie, me shumë pasqyra brenda. Një virus misteroz, i cili prek fillimisht rrugët respiratore dhe më pas trurin, shkakton haluçinacione të fuqishme, që shkrijnë kufirin mes fantazisë dhe perceptimit. Përmes dy personazheve kryesore – Davidit dhe Gretës – romani eksploron ndjesitë e turpit, dëshirës, arrogancës shkencore, narcisismit, por edhe nevojën tejet njerëzore për t’iu besuar frikërave tona, edhe kur ato na tradhëtojnë. “Imun” është një rrëfim atmosferik, i guximshëm, që na tregon se Xhaxhiu është ende larg përfundimit të eksperimentimit me formën dhe përmbajtjen.
“Kaos Zherminal” – Elvin Nuri (Poezi)
Poezitë e këtij vëllimi debutues mbartin konfuzionin që pasqyron mënyrën se si një gjeneratë mjaft specifike – Millenials – lëvizin mes transformimit kaotik të Tiranës: herë të pandalshëm, herë të dorëzuar, por gjithmonë duke negociuar pritshmëri që vetë nuk i kanë pranuar asnjëherë me ndërgjegje të plotë. Poezitë të japin ndjesinë e diçkaje të pastër dhe të drejtpërdrejtë, por njëkohësisht edhe mjaft preçize… Ndjesia se poeti është duke krijuar “inventarin” e një bote që po ndryshon me shpejtësi të atillë, sa gjuha e ka të pamundur ta ndjekë. Ajo çka e bën tërheqës këtë vëllim poetic është mënyra se si poezitë brenda tij përthithin turbulencat e qytetit, pa u përpjekur të japin zgjidhje. Prej tij duket sikur rrjedhin të njëjtat gjëra që të gjithë ne mbartim brenda vetes: presionin për t’u shfaqur të rritur, pa e ditur se ç’do të thotë plotësisht kjo fjalë; sfilitjen nga nevoja për të përkufizuar vazhdimisht veten, por edhe vetminë e heshtur që jeta moderne prodhon pikërisht aty ku gjenden më shumë njerëz.
“Dy Javë nën Balonë” – Dionis Prifti
Libri i dytë i Priftit, pas vëllimit me tregime “Bar Sahara”, na kujton se letërsia jonë ka ende zëra të rinj të aftë që të na befasojnë. Ngjarjet në roman vendosen në qytetin imagjinar të Morpias, ku befas shfaqet një balonë në trajtën e një syri të gjallë. Banorët e shohin, spekulojnë në lidhje me të dhe përpiqen ta shpjegojnë dhe t’i japin kuptim. Për disa, balona është një shenjë hyjnore, ndërsa për të tjerë fatkeqësi, shaka, paralajmërim… Në thelb, një simbol në kërkim të kuptimit, për të cilin askush nuk bie dakort. Narrativa e Priftit i ndjek këto interpretime me një ironi të lehtë, duke ekspozuar se sa lehtësisht i veshim kuptim edhe fenomeneve më të pashpjegueshme. Në një moment kulturor kur të gjithë duket se jemi shumë të dhënë pas kategorizimit, analizimit dhe përpjekjes për të ç’koduar gjithçka rreth nesh, “Dy Javë nën Balonë” ngre pyetjen nëse jemi vërtet në gjendje të pranojmë një realitet pa kuptim, apo nëse dëshira impulsive për të shpjeguar dhe etiketuar çdo gjë, është në fakt mënyra e vetme për të mbijetuar. Një roman filozofik dhe argëtues, që e bën Dionis Priftin një nga zërat e rinj më premtues të vitit.
Vlejnë për t’u përmendur
Titujt më poshtë nuk janë pjesë e “top 5”, jo për shkak të ndonjë nacionalizmi letrar, por sepse janë ndërkaq mjaftueshëm të njohur dhe të klasifikuar në një sërë listash. Megjithatë, janë libra që kanë shumë për të thënë rreth klimës intelektuale të vitit:
“Brezi i Ankthit” – Jonathan Haidt
Një studim rreth mënyrave se si jeta digjitale ka transformuar krejtësisht fëmijërinë dhe adoleshencën, duke risjellë në vëmendje në mënyrë edhe më shkencore, shqetësime ndërkaq të pranishme në bisedat e çdo familjeje dhe çdo klase shkollore.
“Shpikja e Morelit” – Adolfo Bioy Casares
Një klasik i letërsisë lationamerikane, por që vetëm këtë vit erdhi në shqip, duke përkuar edhe me ndjesinë e përgjithshme të urgjencës dhe alarmit që shoqëron kohën në të cilën po jetojmë. Tematikat e tij – nga perceptimi te riprodhimi dhe dëshira e ethshme për të mos u harruar – tingëllojnë tejet bashkëkohore në një epokë të formësuar nga pasjetët digjitale dhe fantazmat algoritmike.
“Liberation Day” – George Saunders
Nuk është një botim i këtij viti dhe nuk gjendet ende në shqip (sikurse e gjithë krijimtaria e atij që mund të cilësohet si shkrimtari më i rëndësishëm amerikan i kohës në të cilën jetojmë), por megjithatë një nga librat më domethënës që pata mundësi të lexoj gjatë 2025-ës. Në tregimet e këtij vëllimi, Saunders vijon të zbërthejë pushtetin, mizorinë dhe mënyrat e padukshme se si korporatat fabrikojnë bindjen tonë. “Liberation Day” (e përshtatur lirshëm si “Dita e Çlirimit), është një nga leximet më të sinkronizuara me epokën në të cilën po jetojmë. Nga bjerrja e komunikimit publik, te rezistenca dhe format e bindjes që i marrim për normalitetin e jetës, janë disa nga tematikat që trajtohen në këto tregime. Letërsia e Saunders-it analizon pushtetin dhe mizorinë si ndodhi të përditshme, duke na kujtuar se tregimet e shkurtra shpesh arrijnë ta diagnostikojnë të tashmen edhe më saktësisht se sa esetë apo manifestet politike. Një libër që nuk duhej të qe pjesë e kësaj liste, por që këmbëngul të jetë këtu.
Lini një Përgjigje