Një nga personazhet e romanit “Imun,” Klajdi Korbi, bëhet pjesë e historisë si një personazh i nxjerrë pothuajse dhunshëm nga ndonjë rrëfim folklorik shqiptar. Një i ri që vjen nga një realitet rural, i cili mbart me vete barrën e varfërisë, i shenjuar nga dhuna dhe emigracioni qysh në fëmijëri, shpreson për një momento se bota e televizionit do t’i ofrojë një fat tjetër. Pjesëmarrja e tij në një dating shoë ngjan me diçka të pafajshme fillimisht, një mundësi për të qeënë pjesë e një bote më të shndritshme dhe më të shpejtë.
Por reality TV është gjithnjë i pamëshirshëm me ata që nuk janë të përgatitur për të. Përpara kamerave, Klajdi kthehet në shenjestër të poshtërimeve dhe përbuzjeve vogla dhe, ndërsa spektakli e zhvesh nga çdo sens drejtimi, dinjiteti dhe vetëbesimi. Autori Tobias Xhaxhiu e përshkruan këtë personazh si një njeri “të shenjuar” – një djalë me shumë ëndërra, por edhe me shumë trauma, të cilat ai vetë nuk arrin t’i dallojë tek vetja e tij. Për rrjedhojë, spektakli bëhet një kafshatë e madhe për t’u kapërdirë për të, ndërkohë që virusi në roman, duke ndikuar në psikën e tij, amplifikon gjithë plagët që Klajdi mbart.
Tragjedia e tij nuk vjen papritur. Ajo formësohet nga forcat që e kanë rritur atë: varfëria, emigracioni, vetmia dhe dëshira për t’u arratisur prej të tria këtyre. Dhe nevojitet një moment fare i vogël përbuzjeje dhe mungese dashurie, që jeta e Klajdit të anojë drejt katastrofikes.
Intermezzo-ja e tij në roman na kujton se sa lehtësisht shoqëria i thyen ata që janë më të brishtë dhe se sa e hollë është vija që dallon shpresën nga dëshpërimi kur bota kërkon më shumë se ç’duhet nga dikush të cilit nuk i është dhënë kurrë asgjë mjaftueshëm.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Virusi brenda nesh: Tobias Xhaxhiu për “Imun”, turpin dhe "shtëpinë" e xhamtë në të cilën jetojmë