Në një nga intervistat e fundit[1], Borges-i – që kish qenë tashmë i verbër prej dekadash – i pat thënë gazetares Gloria López Lecube:
Përfitimet e verbërisë janë ekzagjeruar tepër. Sikur të mund të shihja, nuk do të kisha dalë kurrë nga shtëpia, do të rrija brenda, duke lexuar librat e shumtë që më rrethojnë. Tani janë aq të largët nga unë, sa Islanda, edhe pse kam qenë në Islandë dy herë, por nuk do të shkoj dot asnjëherë te librat...
Ka një paradoks te ky patriark i verbër, që thotë se, po t’i kish sytë, nuk do të kish dalë kurrë nga shtëpia – meqë lexuesi pret diçka klishe, si “po të mund të shihja, do të shkoja në Vatikan, te Cappella Sistina, ose në Egjipt te piramidat, ose në Afrikë, të kundroja savanën, ose fundja do të dilja natën, vetëm, në shkretëtirë, për të parë yjet në qiell...”
Jo, thotë ai; duke nënkuptuar se, tani që del nga shtëpia dhe shëtit nëpër botë, e bën edhe ngaqë nuk sheh; dhe se sytë për të do të ishin, më shumë se një dritare e vyer drejt botës, një dritare edhe më e vyer, drejt librit.
Gjithnjë kam qenë më i mirë si lexues, se si shkrimtar, thotë Borges-i, te një intervistë tjetër, këtë herë me Richard Burgin-in. Mes librave dhe botës, ka parapëlqyer librat, sepse këta mund t’i afrojë aq shumë te sytë, sa t’ua shquajë hollësitë. “Kur mendoj për fëmijërinë time, mendoj për librat dhe ilustrimet në librat.” Ky kontakt me botën i ndërmjetësuar nëpërmjet fjalës së shkruar dhe imazhit, më çon edhe mua në fëmijëri. “Ilustrimet në enciklopedi dhe në fjalor, i mbaj mend shumë mirë. Chambers Encyclopaedia ose botimi amerikan i Encyclopaedia Britannica, me gravurat e kafshëve dhe të piramidave...” vazhdon Borges-i. Duke më kujtuar mua një Larousse, botim të paraluftës të ilustruar, që e shfletoja shpesh kur isha fëmijë... dhe që më vinte në kontakt me një botë, të cilën nuk e njihja ndryshe.
Ilustrimet në fjalorë janë në shërbim të fjalëve – dyfish të larguara, dyfish të ndërmjetësuara. I zëvendësohen botës, duke i sjellë lexuesit realitetin e zbutur, të njerëzuar, të kuptimeve.
Të vjen në mendje shpella e Platonit.
Edhe pse emblemë e shkrimtarit të verbër, avatar i Homerit në botën moderne, Borges-i ishte krijesë e shkrimit dhe e shenjës shkrimore; deri edhe temporalitetin e ligjërimit e përjetonte si të spacializuar, në materialitetin e dorëshkrimit. “E kam jo të vështirë, por të pamundur që të shkruaj tani,” i thotë ai Burgin-it. “Më pëlqen t’i kthehem atyre që kam shkruar, jam shumë i pasigurt për çfarë kam nxjerrë nga dora.”
“Më duhet të kufizohem me gjëra të shkurtra,” vazhdon ai. Natyrisht, Borges-i është mjeshtri i prozës së shkurtër, duke pasë shkruar gjithë jetën tregime dhe ese, por asnjëherë – të them – një roman. Në momentet e veta sublime, proza e shkurtër e Borges-it fiton diçka magjike, për të mos thënë gnomike; aq sa lexuesit i duket sikur këto tekste kanë qenë gjithnjë në botë, duke pritur që ai – lexuesi – t’i zbulonte. Ndoshta pikërisht këtu do kërkuar efekti, te një autor i verbër, i vështrimit të munguar – te kthimi i tij drejt fjalës, jo si komunikuese dhe surrogato e realitetit, por si realitet i epërm.
Në bisedë me Burgin-in, Borges-i përmend edhe një poezi që ia ka kushtuar Milton-it, “Una rosa y Milton”; atij John Milton-i që, njëlloj si pasardhësi i tij 300 vjet më pas, e humbi krejtësisht shikimin në 1652, kur ishte 44 vjeç. Ashtu, i verbër, shkroi disa nga veprat e veta më të arritura, përfshi edhe poemën “Paradise Lost”.
Kjo “Una rosa y Milton”, thotë Borges-i, është “një poemë për trëndafilin e fundit që mbajti në dorë poeti anglez; unë përfytyroj si Milton-i e afron trëndafilin në fytyrë, ia nuhat aromën, edhe pse, natyrisht, pa qenë në gjendje të dallojë nëse trëndafili ishte i bardhë, i kuq apo i verdhë.” Dhe më pas: “Kur e shkrova atë poezi për Milton-in... duhet të kem menduar se verbëria, për të, ishte në një kuptim dhuratë e Zotit. Sepse tani që bota e kish lënë, ai ishte i lirë të zbulonte – ose të shpikte, të dy fjalët kanë të njëjtin kuptim – botën e vet, botën e epikës... Ideja se ti humbet diçka [kur verbohesh, A.V.], por edhe fiton diçka tjetër, dhe se kjo diçka tjetër mund të jetë thjesht ndjesia e humbjes, por edhe se diçka të është dhënë.” Dhe më poshtë: “Nëse arti është i përsosur, atëherë bota është e tepërt... Poeti kurrë nuk arrin ta përballojë realitetin. Dhe unë mendoj për artin dhe natyrën ... si dy botë të ndryshme... Edhe pse arti nuk mund ta replikojë natyrën dhe nuk arrin të jetë përsëritje e natyrës, megjithatë është i justifikuar, në mënyrën e vet.”
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është punuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.
[1] Jorge Luis Borges: The Last Interview: and Other Conversations, Melville House, 2013.
Lini një Përgjigje