BËRI HISTORI SI GRUAJA E PARË NË HAPËSIRË! Dokumentari "Spacewoman", tregon jetën dhe misionet e Eileen Collins: Nuk doja të thonin “gruaja gaboi”!

21 Tetor 2025, 14:05Kulturë TEMA
BËRI HISTORI SI GRUAJA E PARË NË HAPËSIRË! Dokumentari

Historia e Elen Kollins, gruas së parë komandante në hapësirë rikthehet përmes dokumentarit "Spacewoman". Aty rrëfehet jeta dhe arritjes e saj, së bashku me frikën për të mos dështuar duke e konsideruar misionin jo vetëm si personal, por si forcë për të gjitha gratë që do të vinin pas saj në këtë detyrë.

Lexova një artikull për astronautët kur isha 9 vjeç, dhe thashë me vete: Ky është profesioni më i mirë në botë. Dua ta bëj!

Kështu nis dokumentari i Eileen Collins, gruas së parë që ka komanduar një mision hapësinor të NASAs.

Doja të isha astronautja grua në një kohë kur gratë nuk përfshiheshin fare në misionet hapësinore, thotë ajo.

Për të arritur ëndrrën, Collins iu bashkua Forcave Ajrore dhe u bë pilote, një ndër rrugët e vetme drejt kabinës së komandës së një anijeje hapësinore.

Në vitin 1995, ajo hyri në histori duke pilotuar një Space Shuttle të NASA-s.

Me presionin e madh publik mbi  suksesin e misionit, Collins ishte e vendosur të mos gabonte.

Nuk doja që njerëzit të thonin: Ajo bëri një gabim. Sepse nuk ishte vetëm për mua, ishte për të gjitha gratë që do vinin pas meje, shprehet e emocionuar Collins.

Pas suksesit në misionin e parë, u emërua komandante duke thyer një tjetër barrierë gjinore në NASA.

E gjithë kjo, ndërkohë që ishte edhe nënë e dy fëmijëve të vegjël.

“Është më e vështirë të jesh prind sesa komandant i një anijeje hapësinore,” thotë me humor.

Pas tragjedisë së Space Shuttle Columbia në vitin 2003, ku humbën jetën shtatë astronautë, ishte Collins që komandoi misionin e parë pas aksidentit.

Gjatë atij misioni, ndodhi përsëri një defekt me rënien e një cope shkume izoluese.

Collins mori përsipër një nga manovrat më të rrezikshme në historinë e NASA-s: një rrotullim 360 gradë në hapësirë për ti shpëtuar  dëmit.

Falë guximit dhe vendimit të saj, anija dhe ekuipazhi u kthyen të sigurt në Tokë.

Collins u tërhoq pas misionit të saj të katërt, duke i lënë vend brezave të rinj. Por ajo vijon të frymëzojë, veçanërisht vajzat që ëndërrojnë të shkojnë në hapësirë.

“Bëni detyrat e shtëpisë, dëgjoni mësuesin dhe lexoni shumë libra, është mesazhi i saj.

Megjithëse nuk ka plane të rikthehet në hapësirë, ajo shton:

“Nëse ndonjëherë lirohet ndonjë vend... do më pëlqente të shkoja sërish në mision, qoftë edhe si gjyshe!”

Dokumentari, i cili titullohet "Spacewoman",  tregon jetën dhe misionet e Eileen Collins, dhe pritet të sjellë në qendër të vëmendjes historinë e një prej grave më të guximshme të eksplorimit hapësinor. /ora/

Lini një Përgjigje