Del së afërmi në librari “Vjeshta e Mesjetës”, nga historiani holandez Johan Huizinga

10 Qershor 2025, 14:22Kulturë TEMA

Del së afërmi në librari “Vjeshta e Mesjetës”,

Del së afërmi në librari “Vjeshta e Mesjetës”, nga historiani holandez Johan Huizinga (me përkthim nga Enis Sulstarova).

Libri përuron gjerdanin tonë të ri me vepra në fushën e historisë, të quajtur “pika historike”.
“Vjeshta e Mesjetës” është analizë historike e jetës kulturore të Mesjetës së Vonë, veçanërisht asaj në Francë dhe Vendet e Ulëta gjatë shekujve XIV dhe XV. Kjo vepër analizon në thellësi mënyrat e mendimit, format e shprehjes, besimet fetare dhe doket shoqërore të asaj epoke. Libri argumenton se kjo periudhë karakterizohet nga një qytetërim manierist dhe i stilizuar gjer në tepri, me theks te kalorësia dhe dashuria oborrtare, te një mendësi fetare e dominuar nga frika prej vdekjes dhe botës së përtejme, dhe një mjedis kulturor me imagjinatë të harlisur e thellësisht pesimist.

“Vjeshta” mbetet vepër me ndikim edhe një shekull pas botimit, veçanërisht për qasjen origjinale të autorit (vëmendja për estetikën dhe psikologjinë e epokës), dhe për theksin që vë në aspektin dekadent të Mesjetës, ndryshe nga vepra të tjera paraardhëse e pasardhëse, që e vunë theksin te kjo epokë si kohë e hedhjes së filizave të modernitetit perëndimor.

Johan Huizinga (1872-1945) ishte historian holandez, i njohur botërisht për veprën “Herfsttij der middeleeuwen” (“Vjeshta e Mesjetës”; 1919). Huizinga studioi në universitetin e Groningen-it dhe atë të Leipzig-ut. Dha mësim lëndën e historisë në Haarlem dhe letërsi indiane në Amsterdam. U bë profesor i historisë fillimisht në Groningen (1905-15), mandej në Leiden gjer më 1942, ku u arrestua nga nazistët. Mbeti në arrest deri kur vdiq, më 1945. Në veprat e para ai u mor me studimin e letërsisë indiane dhe kulturës. Përveç “Vjeshtës së Mesjetës”, u shqua për veprën “Homo Ludens”. /pps/

Lini një Përgjigje