Përkatësia është diçka që shpesh e marrim për të mirëqenë, por ç’ndodh kur ajo thyhet në moshë të hershme? Kur një fëmijë rritet mes disa botëve, pa qenë plotësisht pjesë e asnjërës?
Kjo është një pyetjet qendrore të romanit “Dielli në Mërgim” të autores Ani Wilms, e cila është e ftuar në episodin e kësaj jave të Apostrof Podcast nga Bjorn Runa. Libri ndjek historinë e Josef Jakoel, një të riu hebre që, pas një periudhe internimi në Greqi gjatë Luftës së Dytë Botërore, vendoset në Shqipëri, në Vlorë. Përmes syve të tij, shpaloset një periudhë kyçe e historisë së Shqipërisë, siç është ajo e viteve 1940-1949.
Josefi është një personazh që mbart në vetvete disa identitete njëkohësisht. Ai është hebre, vlonjat, flet greqisht dhe italisht, është rritur në mjedise të ndryshme kulturore. Kjo shumësi, aq sa ia bën atij më të lehtë të kuptojë nuancat e kontekstit në të cilin jeton, po aq e bën të mos i përkasë plotësisht asnjërit prej këtyre identiteteve. Edhe pse i rrethuar nga miq dhe të afërm, në çdo dhomë që hyn, ai duket i huaj, sikur nuk përket në asnjë prej tyre.
Duke folur në Apostrof Podcast, Ani Wilms e përkufizon këtë si boshtin kryesor të romanit: “Ndjenja e përkatësisë është diçka delikate që këputet dhe thyhet lehtë për të gjithë njerëzit e rinj, për fëmijët, për rininë… është shumë e lehtë t’ia këputësh identitetin një fëmije.”
Sipas saj, historia e Josef-it është ndër të tjera reflektim i një realiteti më të gjerë për hebrenjtë e Vlorës dhe më gjerë për komunitetet ballkanike të kohës, të cilat jetonin mes lëvizjeve, gjuhëve dhe ndikimeve të shumta kulturore. “Ai është hebre, vlonjat, ka lindur në Janinë… është rritur me murgjit katolikë… flet greqisht, italisht… kjo ishte një biografi pak a shumë e zakonshme,” shprehet autorja.
Episodi i plotë me Ani Wilms në Apostrof Podcast publikohet të dielën, në orën 17:00.
Lini një Përgjigje