Dirigjentja italiane Beatrice Venezi në Tiranë për koncertin e 21 qershorit: Orkestra e luan me zemër

20 Qershor 2025, 12:38Kulturë TEMA
Dirigjentja italiane Beatrice Venezi në Tiranë për koncertin e 21

Dirigjentja italiane me famë ndërkombëtare, Beatrice Venezi, ndodhet për herë të parë në Shqipëri, ku do të zhvillojë një koncert me Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar të shtunën, ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Gjatë një interviste për emisionin “Ekspres” në RTSH, dirigjentja italiane shprehu edhe vlerësimet për Orkestrën e RTSH.

“Jam e impresionuar nga cilësia e orkestrës. Ajo që më kënaq edhe më shumë përtej aspektit teknik është fakti që ata luajnë me zemër dhe këtë nuk mund ta thuash për çdo orkestër në botë”, u shpreh ajo.

Koncerti përfshin dy vepra, suitën e “Liqenit të Mjellmave” nga Çajkovski dhe “Sheherazaden” e Rimsky-Korsakov, transmeton rtsh.

Aktualisht drejtore e Teatro Colón në Buenos Aires, dirigjentja Venezi thekson se muzika klasike është themel për edukimin dhe ndërtimin e një shoqërie më të ndjeshme dhe se arti duhet të bëhet më i aksesueshëm për të rinjtë.

“Përtej përvojës estetike, muzika klasike ka edhe një vlerë tjetër thelbësore: arsimi në kompleksitet….Unë them gjithmonë që të luash në një orkestër na mëson shumë më tepër sesa thjesht muzikë – është një mësim i edukatës qytetare. Na mëson të dëgjojmë, për të filluar. Na mëson të respektojmë radhën tonë, të respektojmë hierarkitë, të përshtatim tonin e zërit sipas personit që kemi pranë. Dhe në të njëjtën kohë na mëson ndoshta gjënë më të rëndësishme nga të gjitha: rëndësinë e kontributit të individit për rezultatin kolektiv”, tha ajo.

Intervista e plotë për emisionin Ekspres në RTSH

Une ju prezantova, por ju lutem bëni edhe ju një përshkrim për veten tuaj

Jam Beatrice Veneci dhe jam një dirigjente orkestre. Aktualisht jam drejtoreshë e Teatrit Colón në Buenos Aires. Kam punuar në shumë te botës: në Japoni, në Kore, në Amerikën e Jugut, në Shtetet e Bashkuara, pothuajse në të gjithë Europën… në vende si Armenia, Azerbajxhani, pra vende të ish-Bashkimit Sovjetik.

Kam mbajtur gjithashtu rolin e drejtoreshës kryesore të Festivalit Puccini në Torre del Lago dhe të Orkestrës së Toskanës. Kam bërë shumë gjëra deri tani dhe nëse ka një dritë që më ka udhëhequr gjithmonë, është pikërisht Puccini, sepse unë kam lindur në Lukka, qyteti ku ka lindur edhe mjeshtri i madh.

Dhe sot je këtu, si u njohe me Shqipërinë?

Është hera e parë që vij në Shqipëri. Jam shumë e lumtur, madje te them të vërtetën entuziaste edhe për pritjen e orkestrës. Është hera e parë që punoj me orkestrën e Radios dhe Televizionit Shqiptar. Mezi pres të kem pak kohë të lirë për të shëtitur nëpër Tiranë dhe për ta njohur.

Cilat janë emocionet që ndjen për koncertin e fundjavës me orkestrën tonë?

Mendoj që do të jetë vërtet një koncert i bukur, së pari për shkak të repertorit, që është shumë komunikues me publikun, që e tërheq publikun. Kemi një pjesë të parë me muzikën e Çajkovskit, me suitën e “Liqenit të Mjelmave”, me melodi që të gjithë i kemi dëgjuar të paktën një herë në jetë.

Pjesa e dytë është po aq entuziazmuese, sepse do të interpretojmë “Sheherazaden” e Rimsky-Korsakov – pra bëhet fjalë për botën e “Njëmijë e një netëve”, muzikë ruse, muzikë e fuqishme për nga struktura orkestrale dhe gjithashtu shumë e vështirë për t’u interpretuar.

Si kanë shkuar provat dhe çfarë mendoni për nivelin artistik të instrumentistëve tanë?

Provat po shkojnë shumë mirë dhe te them të vërtetën jam e impresionuar nga cilësia e orkestrës. Ajo që më kënaq edhe më shumë përtej aspektit teknik është fakti që ata luajnë me zemër – dhe këtë nuk mund ta thuash për çdo orkestër në botë.

Thoni që ata luajnë me zemër – a ka lidhje kjo me faktin që jemi përballë Italisë, kaq pranë Italisë, apo ndonje arsye tjetër?

Jemi shumë pranë si vende, kemi qenë gjithmonë edhe historikisht. Kohët e fundit kjo lidhje është forcuar akoma më shumë. Kjo rrënjë e përbashkët ndjehet në shumë aspekte edhe në mënyrën si bëjmë muzikë. Ndoshta edhe në faktin që jemi pak sentimentalë, që udhëhiqemi nga emocionet. Ndihem si në shtëpi, për të qenë e sinqertë.

Ndiheni si në shtëpi, por perse ju desh kaq shumë kohë të vinit në shtëpi?

Epo, kjo do të thotë që duhet të kthehem më shpesh – ndoshta ky është mesazhi.

Ka ndonjë gjë tjetër të veçantë në koncert apo janë vetëm këto dy pjesë?

Janë këto dy pjesë dhe kemi një violiniste shumë të re që është koncertmaestër, jashtëzakonisht e talentuar. Do ta dëgjoni gjatë koncertit, sepse është një virtuoze e vërtetë shqiptare, prandaj ia vlen patjetër të vini dhe ta dëgjoni këtë koncert. Dhe nuk është vetëm ajo – sepse edhe në Itali kemi shumë violiniste të shkëlqyera.

Keni shumë violiniste, keni gjithashtu edhe zëra të mrekullueshëm që performojnë në të gjithë botën – talenti shqiptar është i shpërndarë në mbarë botën dhe njihet si i tillë.

Dua të pyes: çfarë është roli juaj si këshilltare artistike për artin në qeverinë italiane?

Po ja, bashkëpunoj me Ministrinë Italiane të Kulturës. Bota jonë, pa dyshim,  ka nevojë për një reformë të madhe për mënyrën se si janë menaxhuar teatrot deri më sot; në 20 apo 30 vitet e fundit. Ka një nevojë të madhe për të rinovuar këtë sektor nga brenda, për të përballuar vështirësi dhe çështje të caktuara që i përkasin kësaj fushe në mënyrë specifike dhe mbi të gjitha për mirëqenien e punonjësve që punojnë në këtë sektor.

Në këtë kuptim, jam e lumtur që jam zgjedhur për një detyrë kaq teknike – pra që më në fund të jetë përzgjedhur një muzikante për të folur për problemet e këtij sektori, që shpesh nënvlerësohet si pa te keq, sepse është një botë shumë e vogël, që përfshin një numër shumë të kufizuar punonjësish. Kjo, sipas meje, është një shenjë e rëndësishme.

Jeni zgjedhur sepse dini ta bëni këtë punë? Sepse qeveria ka dashur që ta bëni ju? Apo sepse keni një lidhje më të veçantë me Kryeministren?

Do të thosha të treja arsyet bashkë? Po, sigurisht që ekziston një miqësi që daton përpara se Giorgia Meloni të bëhej Kryeministre e Italisë. Është një grua që e admiroj shumë, mbi të gjitha si grua. U gëzova shumë që më kërkoi të merrem me këtë aspekt të veçantë. Kjo tregon, më në fund, ndjeshmëri dhe një risi në një panoramë të caktuar politike. Deri tani, kjo fushë, që mund të bëhet shumë mirë një motor i rëndësishëm edhe për ekonominë italiane, ka qenë lënë shpesh në vetë-menaxhim.

Çfarë roli ka muzika klasike në një aspekt tjetër, në edukimin e të rinjve?

Është thelbësore. Ekzistojnë studime shkencore që tregojnë saktësisht sa e rëndësishme është dhe këtë e shpjegojnë me një shembull shumë të thjeshtë: një fëmijë që rritet i rrethuar nga bukuria, kur të bëhet i rritur do të kërkojë pikërisht bukurinë – kjo e largon nga dhuna, nga sjelljet negative të shoqërisë. Në këtë kuptim është themelore. Për ne italianët duke qenë djepi i vërtetë i operës lirike dhe i muzikës klasike në përgjithësi, besoj që është pjesë e ADN-së sonë, por edhe më gjerë, për ne evropianët.

Kemi detyrimin por edhe të drejtën të jemi të vetëdijshëm për këtë trashëgimi dhe të mund ta përcjellim edhe tek brezat e ardhshëm. Unë them gjithmonë që të luash në një orkestër na mëson shumë më tepër sesa thjesht muzikë – është një mësim i edukatës qytetare. Na mëson të dëgjojmë, për të filluar. Na mëson të respektojmë radhën tonë, të respektojmë hierarkitë, të përshtatim tonin e zërit sipas personit që kemi pranë. Dhe në të njëjtën kohë na mëson ndoshta gjënë më të rëndësishme nga të gjitha: rëndësinë e kontributit të individit për rezultatin kolektiv.

Ka edhe një gjë tjetër. Si mund të ndihmojë muzika klasike për të ndërtuar ura mes kombeve?

Edhe në këtë aspekt, duke qenë një gjuhë jo semantike, ku një notë e vetme ose një frazë muzikore mund të ketë shumë kuptime dhe nuk është e kufizuar nga fjalët, është një mjet themelor për komunikim ndërkulturor. Dhe përsëri, kthehemi te koncepti i bukurisë – fakti që mund të shprehemi përmes një gjuhe që përpiqet të arrijë absoluten, që përpiqet të arrijë transcendencën, diçka që është përtej njeriut, mbi-njerëzore – kjo nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të ndërtojë ura.

Jeni e angazhuar me konservatorizmin. Konservatorizmi lidhet me fenë, ashtu si edhe me muzikën. Muzika klasike, gjithashtu, është e lidhur me fenë. Si ndërthuren, sipas jush, konservatorizmi dhe feja me muzikën klasike?

Siç e thashë edhe më parë, sigurisht që muzika klasike, në origjinën e saj, lind si një formë lutjeje. Shenjti Agostini thoshte se të këndosh është si të lutesh dy herë.
Kënga gregoriane, e cila në fillim kishte vetëm një vijë melodike, lindi me idenë që të gjithë njerëzit të mund të këndonin me një zë të vetëm një Zoti të vetëm. Më pas kjo u zhvillua, u bë diçka thellësisht njerëzore, duke përfshirë brenda vetes të gjitha pasionet njerëzore, por gjithmonë duke u përpjekur të ngjitej drejt një dimensioni shpirtëror, drejt diçkaje më të lartë se njeriu.

Si e shihni të ardhmen e muzikës klasike në epokën digjitale? Më duket sikur nuk funksionon aq mirë.

Unë besoj se ato mund të bashkëjetojnë. Edhe në epokën digjitale, përvoja e koncertit live, e operës live, e dridhjes reale të një instrumenti fizik, është një ndjesi që e ndjen në lëkurë. Është diçka që nuk mund të zëvendësohet me asgjë tjetër. Riti kolektiv dhe i përbashkët që është të shkosh në teatër, të shikosh një shfaqje, të ndjekësh një koncert së bashku, është një përvojë që mund të jetë edhe shpirtërore, sepse çdo mbrëmje është e ndryshme dhe unike. Kjo është diçka që digjitalja nuk mund ta zëvendësojë kurrë – dhe unë për këtë jam e bindur.

A është kjo arsyeja pse muzika klasike është dhe duhet të mbetet e rëndësishme në jetën moderne?

Unë mendoj se ajo duhet të rifitojë një rol qendror. Siç thashë më parë, pjesërisht për shkak të ADN-së sonë, të rrënjëve tona – dhe më vjen të them “ne si evropianë”, sepse në fund të fundit vijmë nga djepi evropian – dhe për këtë arsye, muzika klasike na lidh me origjinat tona më të thella.

Por përtej përvojës estetike, muzika klasike ka edhe një vlerë tjetër thelbësore: arsimi në kompleksitet. Sepse sot jetojmë në një shoqëri që na shtyn të thjeshtojmë gjithçka, të reduktojmë gjithçka në minimum, ndonjëherë edhe të konsumojmë ushqim të përgatitur paraprakisht – por edhe ide të përgatitura paraprakisht. Prandaj, mendoj se të rikthehemi në një gjuhë të ndërlikuar, siç është muzika simfonike, me të gjitha ato inpute të ndryshme, elemente, instrumente – apo edhe më shumë, opera, ku ka edhe këndim, skenografi, çdo gjë – është një mënyrë për të edukuar njerëzit në kompleksitet.
Dhe ky është një antidot shumë i rëndësishëm për të zhvilluar dhe forcuar mendimin kritik.

Po si mendoni se mund të jetë i përshtatshëm repertori klasik për të tërhequr publik të ri?

Unë jam e bindur që kushdo që vjen të dëgjojë Sherazade, do ta vlerësojë jashtëzakonisht shumë. Jam shumë e bindur për këtë. Ndonjëherë njerëzit mendojne se muzika klasike është diçka e vështirë, e pakuptueshme, që vetëm ata që kanë mjetet e duhura mund ta kuptojnë. Por, për shembull, kur shkojmë në një koncert të një ylli te muzikes pop nuk mendojmë shumë. Edhe nëse nuk njohim asnjë nga këngët e tij, gjithsesi shkojmë, sepse themi: “po shkoj të kaloj një mbrëmje ndryshe, për nje eksperience te re”. Duhet t’i afrohemi muzikës klasike pikërisht në të njëjtën mënyrë. Së pari, të shkojmë, talejojme veten të ndjejë muzikën klasike, dhe më pas, nëse duam, ta thellojmë dhe të fitojmë më shumë njohuri për ta kuptuar më mirë.

Po si mund të reformohet edukimi muzikor që të jetë më gjithëpërfshirës?

Në Itali, për shembull, kemi një problem të madh në këtë drejtim. Nuk e di si funksionon këtu në Shqipëri, por përsa i përket Italisë, edukimi muzikor është plotësisht për t’u reformuar. Ne në Itali, për shembull, përdorim shumë fyellin, por në fakt nuk është një flaut i mirëfilltë, por një flaut plastike, që është thuajse si një lodër. Dhe më shumë sesa tinguj, ajo prodhon fishkëllima dhe zhurma të tjera. Nuk besoj që është mjeti i duhur për të edukuar nga ana muzikore fëmijët. Unë besoj se duhet të rikthehemi te kori, këndimi koral, edhe për shkak të asaj që thashë më parë: të jesh në një orkestër, apo të këndosh në një kor, të mëson edukatë qytetare – të përdorësh zërin tënd, që është instrumenti yt i parë, dhe të përjetosh ndjesinë e komunitetit.

Gjithashtu, duhet të mësojmë si të dëgjojmë. Kur përfundoj arsimin e detyruar, zakonisht arrij të dalloj në fushen e arkitekturës nëse një kishë është gotike, romane apo baroke – por me muzikën kjo nuk ndodh. Nuk na jepen mjetet bazë për të kuptuar nëse një pjesë muzikore është nga epoka romantike, klasike, baroke apo tjetër. Këto janë elementë thelbësorë për të reformuar edukimin muzikor.

Si do ta përshkruaje stilin tënd të drejtimit orkestral?

Nuk e di… ua lë të tjerëve ta përshkruajnë.

Cilat janë ndikimet e tua muzikore më të mëdha?

Siç thashë, unë jam lindur në Lucca, prandaj jam rritur me muzikën e Puccinit, sepse ishte normale ta dëgjoje në qytet. Duhet të them se Puccini më ka sjellë gjithmonë shumë fat në debutimet e mia ndërkombëtare. Madama Butterfly ishte opera me të cilën debutova në Francë, Turandot ishte opera me të cilën debutova në Teatro Colón në Buenos Aires, gjithmonë Puccini ka qenë me mua edhe në debutimet në Japoni dhe në Kore. Kështu që ai ka qenë gjithmonë i pranishëm në momentet më të rëndësishme të karrierës sime. Për më tepër, kam frekuentuar shumë vende të rajonit të Kaukazit dhe ish-Bashkimit Sovjetik, kështu që kam përvetësuar edhe shumë nga mënyra ruse e të bërit muzikë. Këto dy gjëra do i konsideroja si shtyllatkryesore të repertorit tim.

Cili është roli i grave në botën e drejtimit orkestral dhe si mund të promovohet ai?

Është ende një temë e hapur, për të cilën duhet të flasim. Kam pasur fatin që në fëmijëri të studioja me Piero Beluxhin, një dirigjent i madh italian, dhe ai nuk e përmendi asnjëherë dallimin mes burrit dhe gruas. Për mua kjo kishte shumë domethënie, sepse u rrita me idenë se ishte plotësisht normale. Në përgjithësi, unë mendoj se – jo vetëm për drejtimin orkestral, por për çdo profesion ku gratë janë të pakta në numër apo të distancuara – duhet të normalizojmë përjashtimin. Pra, të mos i tregojmë më historitë e grave si “jashtë rregullit”, por të tregojmë se janë pjesë normale e profesionit. Kjo i ndihmon brezat e ardhshëm të vajzave ta shohin si diçka normale ndjekjen e një rruge të caktuar në arsim dhe në punë.

Cilat janë sfidat më të mëdha për artistët e rinj sot?

Jo vetëm për gratë, por për të gjithë. Sfida ka disa. Është një botë që ka ndryshuar shumë krahasuar me të kaluarën… edhe në aspektin e tregut. Fatkeqësisht, në industrinë tonë ka hyrë konsumizmi: një artist merret, shfrytëzohet për disa vite dhe më pas – kur është “shtrydhur” – zëvendësohet, sepse ka gjithmonë një tjetër. Kjo ndodh shumë shpesh edhe me këngëtarët, për shembull. Prandaj, sfida më e madhe sipas meje është të gjesh një ekip, bashkëpunëtorë, një agjent, njerëz që besojnë në vlerën e artistit dhe që mendojnë në plan afatgjatë.

Si mbetesh e motivuar dhe e frymëzuar në karrierën tënde?

Duhet të them se ndikon edhe fakti që udhëtoj shumë. Udhëtoj shumë për punë, por edhe sepse më pëlqen shumë. Sa herë që shkoj në vende të reja, përthith elementë të kulturave të ndryshme që më frymëzojnë dhe më pasurojnë. Gjithashtu, kuptoj gjithnjë e më shumë se kur futem brenda partiturave të operave dhe njoh personazhet e tyre, çdo herë më mëson diçka të re edhe për veten time si njeri. Pra, është një ushqyerje e vazhdueshme shpirtërore dhe profesionale.

Si bashkëpunon me muzikantët për të arritur një performancë të suksesshme? Me të rinjtë?

Së pari, duke punuar shumë mbi detajet, pa i lënë pas dore ato. Mua më pëlqen shumë të gërmoj në interpretim, mendoj se është e nevojshme të kesh një ide të kontekstit të përgjithshëm në të cilin një pjesë është menduar, konceptuar, shkruar dhe interpretuar për herë të parë. Të kuptosh jetën e kompozitorit në atë moment. Të gjitha këto janë elementë që ndikojnë në interpretim. Dhe interpretimi ndërtohet nga detajet, që janë shumë të rëndësishme.

Si ndikojnë përvojat personale në interpretimin tënd të një vepre muzikore?

Janë themelore. Mendoj gjithmonë që muzika klasike shihet si një objekt muzeal, shumë shpesh. Si diçka e vendosur nën një kupolë xhami, njësoj si në një muze arkeologjik.
Në realitet, është një qenie e gjallë, sepse çdo herë merr jetë të re nga interpretuesit bashkëkohorë, nga jeta dhe përvoja e tyre. Po ashtu edhe e njëjta partiturë, nëse i rikthehem pas disa vitesh, duket krejt ndryshe për sytë e mi. Dhe kjo më bën gjithmonë të reflektoj shumë.

Thua që muzika klasike shihet si vepër arkivi, por fatkeqësisht sot nuk kemi shumë kompozime të reja klasike si në kohën e Verdit apo Puccinit.

Në atë kohë kishte shumë prodhim. Dhe njerëzit prisnin me padurim premierën e Donizettit, njësoj siç pritet sot albumi i ri i një pop-stari. Ishte ky lloji i marrëdhënies. Fatkeqësisht, me modernizimin e shekullit XX gjithçka ndryshoi, si në aspektin e prodhimit të muzikës edhe të marrëdhënies me publikun. Muzika klasike u mbyll në vetvete, u përpoq të ishte gjithnjë e më elitare dhe jo gjithëpërfshirëse. Kjo e largoi gjithnjë e më shumë publikun dhe e zgjeroi distancën mes muzikës dhe dëgjuesve. Por unë besoj që sot ka hapësirë për ta rikuperuar këtë marrëdhënie.

Si mund të ndihmojë muzika klasike në zhvillimin personal dhe profesional të një individi?

Mendoj që ndihmon shumë – dhe nuk e them vetëm unë, por e tregojnë edhe studimet shkencore. Edukimi në kompleksitet, zhvillimi i një ndjeshmërie të veçantë, i një vesh të mprehtë – janë të gjitha elemente që formojnë një bagazh personal shumë të rëndësishëm. Gjithashtu, lidhja e kompozitorëve apo veprave me filozofinë, historinë, historinë e artit – janë kaq shumë pika takimi midis këtyre fushave, sa që kur në mendje krijon këtë rrjet lidhjesh, arrin të kesh një vizion më të qartë, më të plotë dhe më të thellë mbi çdo gjë.

Çfarë këshille do t’u jepje dirigjentëve të rinj?

Së pari, të gjejnë një mësues të mirë. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Një mësues i mirë nuk është ai që përpiqet të të imponojë vizionin e vet, por ai që di të edukojë, pra të nxjerrë më të mirën nga nxënësi. Kjo nuk është diçka që e bëjnë të gjithë mësuesit – e bëjnë vetëm mësuesit e vërtetë.

Ke ndonjë projekt artistik për të ardhmen?

Po, tani do të kthehem në Itali. Pas këtij koncerti do të dirigjoj Carmina Burana në Trieste, në Teatrin e Triestes. Më pas do të jem sërish në Buenos Aires, në Teatro Colón. Këtë vit kremtohen 100 vjetët e të gjitha trupave të përhershme: orkestra, kori, baleti – kështu që do të kemi një gala. Më pas Traviata dhe në fund të vitit Simfonia nr. 2 e Mahler-it.

Pastaj do të shkoj në Bangkok me Plácido Domingo, më pas në Santo Domingo, përsëri me të, dhe më pas do të rikthehem në Itali për koncerte dhe opera – kryesisht opera këtë vit.

Një këshillë për miqtë e vjetër dhe të rinj të orkestrës së Radio-Televizionit Shqiptar?

Të ndjekin këtë orkestër, që është shumë cilësore, të vijnë në koncertin tonë këtë fundjavë dhe të lënë veten të preken nga muzika, të emocionohen nga muzika klasike. Sepse nëse nuk e keni provuar kurrë këtë përvojë, do të jetë diçka që do t’ju mbetet gjatë në jetë.

Faleminderit që ishit me ne dhe paci fat!

Lini një Përgjigje