Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme shqyrtoi dje projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 16/2018, “Për diasporën”, i ndryshuar”.
E pranishme në komision për të prezantuar projektligjin ishte zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Vilma Premti, e cila u shpreh se ai vjen si nevojë për të modernizuar kornizën ligjore që trajton çështjet e diasporës, për ta bërë atë më funksionale, më gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me realitetin institucional aktual si dhe me sugjerimet e vetë diasporës, të artikuluara veçanërisht gjatë Samitit të 3-të të Diasporës në nëntor të vitit 2023.
“Ky pr.ligj do të rregullojë qartë marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe ndërveprimit midis autoriteteve shtetërore dhe të diasporës do të garantojë ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor dhe arsimor të diasporës, do të forcojë rolin koordinues të ministrit përgjegjës për diasporën dhe instrumenteve në varësi të tij”, tha Premti.
Premti theksoi se, konkretisht një nga ndryshimet që do të vijë në ligj do të jetë, ridimensionimi i rolit të MEPJ-së si autoritet kryesor i politikave për diasporën.
Po ashtu, theksoi Premti, synohet, “forcimi i rolit strategjik të Këshillit të Ministrave në mbështetjen e gjuhës shqipe dhe arbëreshe, duke përqendruar funksionin e tij në drejtim politikash dhe harmonizim institucional”.
Gjithashtu parashikohet rregullimi ligjor i Agjencisë së Diasporës. Premti theksoi se, parashikohet edhe krijimi i qendrave kulturore për diasporën.
Gjithashtu synohet zgjerimi i rolit dhe funksioneve të Këshillit Koordinues të Diasporës si dhe do të synohet forcimi i kapaciteteve të tij dhe rritja e numrit të anëtarëve nga 15 në 21 anëtarë.
Relatorja e çështjes, Romina Kuko, theksoi se propozimi i këtij projektligji synon forcimin e mëtejshëm të politikave shtetërore për zhvillimin dhe konsolidimin e bashkëpunimit institucional me diasporën, duke rritur nivelin e autoritetit shtetëror përgjegjës për marrëdhëniet me diasporën nga niveli i një ministri shteti, në nivel ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe nga niveli i një agjencie kombëtare në nivel Ministrie për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, ku të ftuar ishin zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo dhe stafi shoqërues.
Zëvendësministri në fjalën e tij tha se, projektligji synon krijimin e një kuadri të qartë, të qëndrueshëm dhe konkurrues për nxitjen e investimeve private nëpërmjet koncesioneve dhe partneriteteve publike private (PPP).
Projektligji përcakton rregullat për planifikimin, dhënien, administrimin dhe mbikëqyrjen e kontratave të koncesionit/partneritetit publik privat, duke u mbështetur në parimet e transparencës, mosdiskriminimit, proporcionalitetit, efikasitetit dhe sigurisë juridike.
Relatorja Bora Muzhaqi vuri në dukje se ky projektligj synon përafrim të pjesshëm me direktivën 2014/23/BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës 26 shkurt 2014, “Për dhënien e kontratave koncesionare”.
Projektligji mbështet prioritetet e qeverisë për rritjen ekonomike nëpërmjet mobilizimit të kapitalit privat në infrastrukturë, energji, mjedis, turizëm, shëndetësi e arsim.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi, së bashku me ndryshimet e propozuara gjatë diskutimit. A.K./TemA
Lini një Përgjigje